Studimi britanik: Vaksinat e gripit dhe të COVID-19 mund të merren njëkohësisht

Një studim britanik rezultatet e të cilit u bënë publike të enjten, arrin në përfundimin se është e sigurt që të merren njëkohësisht vaksina kundër COVID-19 dhe gripit dhe se një gjë e tillë nuk ndikon negativisht në reagimin e imunitetit ndaj asnjërës prej tyre.

Britania dhe vendet e tjera të hemisferës veriore po përgatiten për një dimër të ashpër dhe mundësinë e një rritjeje të rasteve të gripit ndërsa lehtësohen kufizimet e COVID-19 dhe masat e distancimit fizik.

Të moshuarve, grupeve më të rrezikuara dhe punonjësve të shëndetësisë në Britani po u jepen dozat përforcuese të COVID-19, ndërsa qeveria e kryeministrit Boris Johnson ka premtuar gjithashtu për programin më masiv të vaksinimit nga gripi në histori këtë vit.

Studimi, i udhëhequr nga Universiteti i Bristolit, zbuloi se efektet anësore të raportuara ishin zakonisht të lehta deri në të moderuara në testet me tre vaksina gripi dhe Pfizer ose AstraZeneca për COVID-19.

“Ky është një hap vërtet pozitiv që mund të nënkuptojë më pak vizita për t’u vaksinuar për ata që duhet të bëjnë të dyja vaksinat,” tha kryetarja e grupit studimor, Rajeka Lazarus.

“Rezultatet e këtij studimi i janë paraqitur Komisionit të Përbashkët për Vaksinimin dhe Imunizimin (JCVI) për shqyrtim dhe do të ndihmojnë hartuesit e politikave në planifikimin në të ardhmes të këtyre programeve të rëndësishme të vaksinimit”, tha ajo.

Vaksinat u dhanë në të njëjtën ditë, në krahë të ndryshëm.

Një grupi iu bë një dozë vaksine për COVID-in dhe një vaksinë gripi në vizitën e parë, dhe një placebo në vizitën e dytë, dhe një grupi tjetër iu dha një dozë vaksine COVID-19 dhe një placebo në të njëjtën ditë, e ndjekur nga një vaksinë gripi në ditën e dytë.

Sipas studimit, 97% e pjesëmarrësve thanë se do të ishin të gatshëm të merrnin dy vaksina në të njëjtën vizitë në të ardhmen. Studimi përfshiu 679 vullnetarë në Angli dhe Uells, dhe u botua si një studim paraprak dh rezultatet e plota që do të botohen në revistën shkencore Lancet./VOA

Postime të ngjashme

'Çohu o dreq mos bëj si e sëmurë'/ Infermierja te Psikiatria keqtrajton pacientët, reagon QSUT: Rast i papranueshëm, janë marrë masa për punonjësen
Mashtronin njerëzit me ilaçe false për sëmundje të rënda, goditet rrjeti kriminal që operonte në 15 shtete të Europës
Shkarkohet drejtori i Fondit të Sigurimit të Kujdesit Shëndetësor! Ja kush emërohet
Çfarë dihet për rastet e hantavirusit të lidhura me shpërthimin vdekjeprurës në anijet turistike
PCOS tani quhet PMOS. Çfarë duhet të dini rreth ndryshimit të emrit dhe çfarë do të thotë kjo për kujdesin
Sterilizimi, shtyhet seanca ndaj ish-ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqaj
Studimi i ISHP: Të rriten taksat për pijet me sheqer, të ulen për të shëndetshmet
Ngacmoi seksualisht pacienten 21-vjeçare, arrestohet kirurgu