Studimi më i fundit: Baballarët mund të trashëgojnë rrezikun për kancer të vezores tek të bijat

Përshtati në shqip: Blertina Koka

Shkencëtarët amerikanë besojnë se kanë identifikuar një mutacion të ri gjenetik që mund të rrisë rrezikun për kancerin e vezores, dhe ky mund të trashëgohet nga babai tek e bija.

Mutacioni gjenetik trashëgohet nëpërmjet kromozomit X dhe është i pavarur nga gjenet e tjera të njohura për të cilat gratë mund të testohen tashmë.

Megjithatë ekspertët theksojnë se duhet të bëhen më shumë kërkime shkencore për të konfirmuar identitetin dhe funksionin e këtij gjeni.

Rezultatet e këtij studimi janë publikuar tek revista PLoS Genetics.

Rreziku familjar

Aktualisht, gratë me një histori familjare të kancerit mund të testohen për gjenin BRCA, i cili rrit rrezikun që një grua të zhvillojë kancer të gjirit dhe atë të vezores.

Angelina Jolie për shembull e ka trashëguar gjenin BRCA1 nga nëna e saj – ajo i është nënshtruar një operacioni parandalues pasi mjekët zbuluan se rreziku për zhvillimin e kancerit të gjirit ishte 87% i lartë, ndërsa ai i kancerit të vezores ishte 50%.

Megjithatë shkencëtarët besojnë se mund të ketë edhe raste të tjera, sporadike, të trashëgimit të kancerit të vezores nëpërmjet kromozomit X nga babai tek vajza.

Dr. Kevin Eng dhe kolegët e tij tek Instituti i Kancerit Roswell Park dyshojnë tek një gjen, i quajtur MAGEC3, i gjetur tek kromozomi X tek baballarët.

Shkencëtarët shpresojnë që në të ardhmen ky zbulim i ri të mund të ndihmojë gratë me një histori familjare të kancerit të vezores të kuptojnë më mirë rrezikun e zhvillimit të kësaj sëmundjeje. Kjo është sidomos e rëndësishme sepse kanceri i vezores shpesh diagnostikohet në fazat e fundit, kur është shumë i vështirë për t’u trajtuar.

Burimi: BBC / Shendeti.com.al

Postime të ngjashme

Për herë të parë, turistëve të huaj u vihet tarifë për shërbimet shëndetësore
Reduktim i mjekëve në qendra shëndetësore dhe spitale, reagon Ministria e Shëndetësisë
Vrau 15 pacientë, mjeku dënohet me burgim të përjetshëm! Dëshmia: Mendova se ishte më e mira për ta
Kur një nënë e kuptoi menjëherë se vajza e saj ishte dhunuar, pse nuk u aktivizuan mekanizmat e sistemit shëndetësor?
Raporti i OBSH-së: Rastet e kancerit pritet të rriten ndjeshëm në mbarë botën
E sëmura me kancer në protestë: Jep para për koncert dhe nuk rimburson ilaçet tona
5 kura shtëpiake për pickimet e mushkonjave
5 mënyra për të mbajtur kockat tuaja të forta pas moshës 50 vjeç