Rezultatet e para të një studimi të ri të kryer nga gjiganti i testeve gjenetike “23andMe” sugjerojnë se grupi i gjakut ndikon në probabilitetin e prekjes me koronavirus, dhe se personat me grup gjaku 0 duket të jenë më pak të rrezikuar.
Të dhënat paraprake nga studimi – i cili është ende duke u zhvilluar, ku janë përfshirë 750,000 pjesëmarrës, mes tyre 10,000 persona të cilët kanë konfirmuar që janë prekur nga COVID-19, tregojnë se tek njerëzit me grup gjaku 0, probabiliteti është rreth 9-18% më i ulët që të rezultojnë pozitivë me COVID-19, krahasuar me personat me grupe të tjera gjaku.
Gjetjet ishin të njëjta edhe kur u morën për bazë faktorë të tjerë, si mosha, indeksi i masës trupore, etnia dhe sëmundje të tjera ekzistuese.
Një studim tjetër evropian, i publikuar javën e kaluar, tregoi gjithashtu se grupi i gjakut 0 lidhet me një rrezik më të ulët, dhe se tek pacientët me grup gjaku A probabiliteti është 50% më i lartë që të kenë nevojë për oksigjen ose ventilator.
Burimi: New York Post


