Studimi/ Ndotja nga hidrokarburet në Marinzë, 7 në 10 familje kanë një të sëmurë në shtëpi

Blertina Koka

Një studim i kryer nga ISHP në fshatin Marinzë (Fier) në prill të vitit 2014 (kohë kur në këtë fshat shpërthyen dy puse nafte), me qëllim vlerësimin e ndikimit të ndotjes në mjedis dhe impaktin në shëndetin e popullatës së ekspozuar ndaj hidrokarbureve, sjell të dhëna të frikshme për pasojat që mund të ketë ndotja e ajrit në shëndet.

Studimi mori në shqyrtim 5 komponentë të ndryshëm si: simptomatologjia që shfaqën pacientët menjëherë  pas shpërthimit,  cilësia e ajrit të brendshëm në banesë për tregues të CO dhe CO2, praninë e fenoleve në urinë, mostra të përbërjes së tokës për praninë e metaleve të rënda si Plumbi, Kromi, Bakri, Zinku, Mangani etj, ndërkohë që u plotësuan edhe 100 pyetësor, 1 pyetësor për familje nga 416 në total në fshat.

Lidhur mbi pasojat e ndotjes, të dhënat sollën fakte të tilla si: raste të fëmijëve të lindur me anomali, probleme astmatike, probleme pulmonare, probleme me lëkurën, probleme me shikimin, hipertensionin, sëmundjet malinje etj.

Ankesat afatshkurtra, menjëherë pas shpërthimit, nga Qendra Shëndetësore raportohet të jenë: të përziera, marrje mendsh, tharje dhe djegie fyti, gjendje përgjumjeje, konfuzion i lehtë, dridhje, djersitje, aritmi, dhimbje koke, dispne dhe këputje trupore.

Në hulumtim u përfshin 100 familje me një shpërndarje gjinie, moshe, profesionesh, vendlindje dhe viteve të banimit etj, ndërkohë që përqindjen më të madhe e përbënë meshkujt (71%). Numri total i banorëve të marrë në shqyrtim është 455 banorë (99 familje).

Të dhëna mbi sëmundshmërinë

Anomali në lindje: Nga 100 familje të mara në shqyrtim, 8 prej tyre rezultuan të kenë fëmijë me anomali të tilla si autizëm, deformim krahu, dëmtim në mushkri, epilepsi, malformacione kocke, problem motor, talasemi. Ndërkohë që 14% e familjeve rezultoi të kenë patur lindje të fëmijëve nënpeshë.

Astmë bronkiale:  19% e familjeve deklarojnë se kanë të sëmurë me astmë bronchiale të konfirmuar dhe që trajtohen nga mjeku specialist. Pra në total 22 raste të raportuara me astmë bronkiale në familjet e përfshira në studim. Ndërkohë që 51%  e familjeve të përfshira në studim, rezulton se herë pas here shfaqin probleme pulmonare ku përqindjen më të madhe e zënë pneumonitë ndjekur nga bronkitet dhe astma bronkiale.

Probleme të lëkurës: 50,51% e popullatës së studiuar rezultoi se vuajnë nga probleme të lëkurës, kryesisht në tre stinët e vitit (pranverë, verë dhe vjeshtë), ku format më të shprehura janë ato alergjike, pruritet, dermatitet, ekzemat e deri në melanoma.

Probleme me sytë: Si pasojë e ekspozimit ndaj ndotësve të ajrit, rezulton se 84% e popullatës së studiuar ka probleme të herë pas hershme me djegien dhe skuqjen e syve.

Hipertension: Në 70% të familjeve, ndodhet të paktën një person që vuan nga hipertensioni. Në total nga familjet e studiuara rezultoi se 94 persona vuajnë nga hipertensioni.

Sëmundje malinje: 11% e familjeve të pyetura rezulton të kenë të paktën një person me sëmundje malinje të tilla si: kancer pulmoni, kancer gjiri, kancer i qafës së mitrës, melanomë etj.

Të dhëna mjaft të rëndësishme në këtë studim sjellin edhe analizat e fenol urinës, të cilat rezultojnë disa herë mbi normë.

Gjatë punës në terren, specialistët e ISHP përzgjodhën 8 banorë të fshatit me banesa në pozicione dhe largësi të ndryshme nga pus shpimi i naftës, si dhe i instruktuan për mënyrën e mbledhjes së mostrës së urinës. Mostrat e urinës u ekzaminuan në laboratorin e Toksikologjisë Industriale në Sektorin e Sëmundjeve Profesionale, QSUT dhe nga rezultatet u konkludua se: në të gjitha rastet e analizave, pavarësisht gjinisë, moshës dhe profesionit, vlerat e fenol urisë janë mbi normë.

Prania e vlerave mbi normë të fenolit në urinë tek banorët e fshatit, të cilët nuk punojnë në industrinë e naftës tregojnë për praninë dhe e gazeve të biomasës si dhe ekspozimin e popullatës në zonën e banuar./ Shendeti.com.al

Postime të ngjashme

Pse obeziteti prek më shumë gratë sesa burrat?
Mjekja: Ja pse gratë shtojnë peshë në periudhën e menopauzës (VIDEO)
Kur duhet të konsiderojnë pacientët me obezitet trajtimin me medikamente për humbjen e peshës
Skema e re e furnizimit me barna dhe fondet publike: Ministria “refuzon” t’i përgjigjet TFL-së për projektligjin
Nga PMOS te disa lloje kancerash: Sëmundjet që u kanosen grave për shkak të obezitetit
Mjekja shpjegon pse vajzat dhe gratë kanë oreks të shtuar para ciklit menstrual
A ndikon obeziteti në fertilitetin e grave?
Prediabeti
Çfarë duhet të bëjë një pacient nëse diagnostikohet me prediabet