Rritja eksponenciale e ndotjes mikroplastike gjatë 50 viteve të fundit mund të reflektohet në rritjen e kontaminimit në trurin e njeriut, sipas një studimi të ri.
Trupi i njeriut është i kontaminuar gjerësisht nga mikroplastika. Ato janë gjetur gjithashtu në gjak, spermë, qumësht gjiri, placentë dhe palcën e eshtrave. Ndikimi në shëndetin e njeriut është kryesisht i panjohur, por ato kanë qenë të lidhura me goditjet në tru dhe sulmet në zemër.
Një studim i publikuar në “Nature Medicine” ka zbuluar se truri i njeriut përmban përqendrime më të larta të mikroplastikës sesa organet e tjera.
Studiuesit nga Universiteti i Shkencave Shëndetësore në New Mexico konstatuan se prania e mikroplastikës në tru është rritur me 50% gjatë tetë viteve të fundit.
Sipas studimit, personat me demencë kanë deri në dhjetë herë më shumë mikroplastikë në tru sesa të tjerët. Megjithatë, studiuesit nuk arritën të provojnë nëse kjo është shkak i sëmundjes apo nëse vetë procesi i sëmundjes favorizon akumulimin e plastikës.
Ekspertët theksuan se grimcat e mikroplastikës, që janë të ngjashme në madhësi me viruset (më pak se 200 nanometra), mund të kalojnë barrierën gjak-tru. Polimeri më i zakonshëm i zbuluar ishte polietileni, i përdorur gjerësisht në paketim dhe shishe plastike.
Sipas toksikologut Matthew Campen, shumica e mikroplastikës mund të merret edhe përmes ushqimit, sidomos mishit. Ai tha se ujitja e fushave me ujë të ndotur nga plastika dhe përdorimi i plehrave organike krijojnë një “cikël të biomagnifikimit”.
Plastika më e zakonshme e gjetur ishte polietileni, i cili përdoret në qese plastike dhe në paketimin e ushqimeve dhe pijeve. Ai përbënte mesatarisht 75% të totalit të plastikës. Grimcat në tru ishin kryesisht copëza dhe thekon plastike në shkallë nano.
Kjo gjetje ka ngritur shqetësime të reja mbi ndikimin e plastikës në shëndetin e njeriut dhe mund të nxisë më shumë studime në këtë drejtim.