“Të dobësohesh shëndetshëm”, Marselinda: Dietat më bënë të shtoj në peshë

Marselinda Kortoçi është 33 vjeç. Gjatësia e saj është 158 cm, ndërsa pesha 86 kg. Shtimi në peshë ka filluar që prej moshës 27 vjeçe, kohë në të cilën ajo ishte 54 kg. Marselinda tregon se përgjatë 6 viteve ajo ka shtuar rreth 32 kg, çka nënkupton rreth 6 kilogramë në vit.

Në një intervistë për gazetën “Shëndet+”, 33-vjeçarja tregon për përpjekjet e saj për rënien nga pesha dhe shpresat që ka në pjesëmarrjen e programit “Të dobësohesh shëndetshëm” nga “Te Stela Resort“, në të cilin ajo merr pjesë falas pas aplikimit në faqen www.shendeti.com.al

Tre pjesëmarrëset në programin "Të dobësohesh shëndetshëm"

Tre pjesëmarrëset në programin “Të dobësohesh shëndetshëm”

Marselinda, cilat kanë përpjekjet tuaja për të rënë nga pesha dhe cili ka qenë rezultati?

Siç thashë,  shtimi në peshë ka qenë gjatë 6 viteve të fundit, një shtim që nuk arrij ta kuptoj. Krahasuar me gjatësinë time, pesha që kam aktualisht është shumë e madhe. Kështu që kam tentuar dy herë për të mbajtur dieta. Bëhet fjalë për një dietë 24-ditore ku në ditë të caktuara ti konsumon të njëjtin ushqim përgjatë gjithë ditë. Falë kësaj diete arrita të humbas 8 kg, por fatkeqësisht pas rënies nga pesha, rimarrja e kilogramëve që humba ishte më drastike. Kështu, në një kohë të shkurtër rimora më tepër sesa kilogramët e humbur. Ndaj vendosa të mos bëja më dietë.

A keni pasur probleme të tjera shëndetësore që kanë kushtëzuar peshën tuaj?

Jo, deri më tani nuk kam konstatuar të kem probleme shëndetësore që mund të kenë ndikuar në rritjen e peshës sime.

Cila është dieta juaj ushqimore e përditshme (si ushqeheni zakonisht)?

Nuk kam kam një ritëm të ushqyeri të rregullt në orare dhe ushqimin e konsumoj shumë shpejt. Preferoj brumrat (sidomos picat) dhe nuk konsumoj të ëmblat, pasi jam më shumë e tërhequr nga të kripurat.

A kryeni rregullisht aktivitet fizik (sport, palestër)?

Aktualisht nuk kryej asnjë aktivitet fizik. Kam tentuar disa herë me palestrën, por në muajin e dytë kthehet në monotone dhe më reduktohet dhe dëshira për ta frekuentuar.

Cilat janë arsyet që doni të bini nga pesha?

Dëshiroj të rikthehem në peshën që kam pasur për shumë arsye, duke filluar që nga shëndeti deri tek pamja fizike.

Takimi me doktorin dhe trajnerin e “Te Stela Resort” ju ka krijuar bindjen se tashmë do të humbisni peshë?

Takimi me specialistët ishte motivues dhe shpresoj që gjatë kësaj nisme tuajën të arrij rezultate të kënaqshme.

Postime të ngjashme

5 kura shtëpiake për pickimet e mushkonjave
5 arsye pse pjeshkët nuk duhet të mungojnë në dietën tuaj
Pse duhet të hani kikirikë në mëngjes
Si ta ruani avokadon të freskët për më gjatë? Truket e thjeshta që funksionojnë
Temperaturat e larta? Ja cilat ushqime duhet të shmangni dhe çfarë të konsumoni më shumë
Kripa në ushqim: 4 truke për ta reduktuar atë pa humbur shijen
Cila është koha më e mirë për të marrë vitaminën D? Ekspertët japin përgjigje
Tre perime që ndihmojnë lëkurën të shkëlqejë dhe të duket më e shëndetshme gjatë verës