Nga Denisa Canameti
Problemet ose defektet estetike përjetohen në mënyra të ndryshme nga njerëz të ndryshëm. Mungesa e vetëvlerësimit, të qëndruarit në hije, mospërfshirja mund të kthehen në një stres të vazhdueshëm. Kjo gjendje e shtyn individin të marrë vendimin e një operacioni estetik. Edhe pse jo gjithmonë ndërhyrjet estetike janë të nevojshme.
Rinoplastika është operacioni që një pacient kryen për të përmirësuar tipare të tilla, si: kurrizi i hundës, hundën si shalë, majën e gjerë dhe jo fine, raportin jo të bukur që ka hunda me buzën dhe pjesët e tjera të fytyrës. Për lexuesin e “Shëndet+” mjeku Sokol Isaraj jep detaje të mëtejshme.
“Dua” apo “duhet” të bëj ndërhyrje estetike në hundë?
Nëse dikush më vjen dhe më bën këtë pyetje, unë do t’i thoja se nuk ke pse e bën operacionin e hundës. Nuk ka “duhet”. Përjashto rastet që janë fiziologjike. Këtu futet shumë në lojë kirurgu ORL. Nga pikëpamja estetike nuk ka ndonjë “duhet” patjetër. Operacioni plastik në vija të përgjithshme nuk është asnjëherë duhet. Nëse dikush vjen tek unë dhe kërkon një rekomandim nëse duhet ta bëjë, përgjigjja është jo.
Pra, dëshira për të bërë hundën duhet të vijë vetvetiu. Mjeku ka për detyrë që të tregojë gjithçka për atë operacion: risqet, komplikacionet etj. Më parë, një individ që shkon te kirurgu duhet ta ketë të vendosur me veten se do ta bëjë atë operacion.
Cilët faktorë pengojnë ecurinë e punës?
Janë shumë faktorë. Ti përgatitesh për të bërë një hundë, sipas një plani të caktuar, sipas disa teknikave të caktuara etj. Rezultativ është ai që nuk përdor të njëjtin shabllon tek çdo hundë. Po ta shohësh në hundët që operohen, nuk gjen kurrë dy të ngjashme. Vijnë shpesh pacientë që thonë, a ke ndonjë rast si hunda ime, që ta shikoj si ka dalë. Përpiqem të gjej ndonjë gjë, po asnjëherë nuk gjen ndonjë gjë identike. Sepse kaq e larmishme është forma, pozicioni, asimetria etj. Bëhet fjalë për qenie njerëzore. Kirurgu sado i përgatitur të jetë, ndonjëherë mund të gabojë me 1 milimetër, ndonjëherë mund të gabojë me 4-5 milimetër, por që lëkura e pacientit e fsheh dhe nuk ka asnjë problem.
Po flasim për rastet kur kirurgu është shumë i mirë dhe nuk ka probleme teknike. Organizmi i njeriut është organizëm i njeriut, ashtu siç mund ta shërojë plagën një organizëm, nuk mund ta shërojë një tjetër. Diku shërimi është më i theksuar, tërheqja më e madhe etj. Prandaj garancia nuk mund të jepet asnjëherë 100 %.
Si realizohet ndërhyrja: me narkozë, mpirje lokale?
Unë në praktikën time përdor narkozën. Pjesa më e madhe e kirurgëve punojnë me narkozë. Narkoza ka ato problemet e veta, jo vetëm që rrit koston, por pacienti e ka edhe pak të vështirë ditët e para, futja në narkozë, zgjimi, dhimbje të lehta që në fund askush nuk i mban mend. Do të ishte shumë mirë të bëhej me lokale, por puro anestezi lokale nuk besoj të bëhen.
Është e tmerrshme që pacienti të jetë i zgjuar dhe ti godasësh me daltë e me çekiç tek sytë. Jam kundër një anestezie lokale. Sot ka metoda pak më të mira, të mesme. Të bësh një lloj anestezie që e vë pacientin në gjumë sipërfaqësor, të jesh si në një gjendje “hipnoze”.
Në çfarë moshe mund të aplikohet ndërhyrja?
Dikur thuhej, femrat 16, meshkujt 18. Sot parametrat kanë ndryshuar, unë kam operuar edhe femra 15 vjeçe. Diskutohen gjërat me prindin, me pacientin kur mosha është më e vogël.
Po nëse pacienti ka probleme me frymëmarrjen?
Nëse dikush vjen dhe thotë që kam probleme me frymëmarrjen, por dua të bëj hundën operacion, bëj gjithë ekzaminimet e nevojshme. Nëse është puro problem me frymëmarrjen unë do të doja ta evitoja. Nëse është prolem kryesisht frymëmarrje dhe pak estetik, prapë do doja ta evitoja pacientin, do ta rekomandoja të shkonte tek kirurgu që merret në mënyrë profesionale. Nëse i ka të dyja në mënyrë të barabartë, do të ishte pacient i përshtashëm. Nëse ka problem funksional të vogël dhe problemi më i madh estetik, sigurisht që është rast që do ta trajtoja me shumë kënaqësi.
Nëpërmjet anamnezës ose asaj që ne e quajmë historia e sëmundjes. E pyet pacientin çfarë problemi ka, vëzhgimi i hundës me pajisjet tona të posaçme.
Nga se varet suksesi?
Është faktori kirurg, faktori pacient dhe faktori fat. Çdo kirurg bën një bilanc. Të dihet sesa përqindje e pacientëve nuk ecin mirë. Thuhet që nëse 1 mjek që merret me hundën e shikon se më shumë se 15% e pacientëve nuk janë të kënaqur, atëherë diçka nuk shkon. Ose kirurgu nuk duhet të merret më me atë punë ose të ndryshojë teknikë. Nëse shikon se 1 në 5 hundë po del keq, lëre, mos u merr më me të. Kurse limiti më i mirë është 3 %- 5%.
Pas sa kohësh pacienti mund t’i kthehet përditshmërisë?
Gjithmonë gjërat janë individuale, por dikush që pi cigare, nxirjen e ka më të theksuar, ënjtjen e ka më të theksuar dhe shërimin e ka më të gjatë. Unë mendoj se mjaftojnë 10-14 ditë.
Sezoni më i përshtatshëm?
Sezoni më i përshtatshëm është kur pacienti e ndjen veten gati. Nuk ka asnjë studim shkencor që të lidhë suksesin-mossuksesin, infeksionin-mosinfeksionin me temperaturat e mjedisit.



