Denisa Canameti
Romët dhe problemet e tyre shëndetësore janë sfida të madha të cilave duhet t’iu jepet zgjidhje. Në fakt romët jo vetëm që nuk kanë akses në shërbimet shëndetësore, por atyre i’u mungon edhe libreza e shëndetit duke e bërë të pamundur dhënin e shërbimeve shëndetësore. Ata vuajnë nga sëmundje të ndryshme kronike dhe varfëria e bën edhe me të vështirë jetesën. Shoqata “Together For Life” ka realizuar një sërë reportazhesh me histori njerzore të vështirësive që ndesh kjo kategori. Gjithashtu reporteret dhe antarët e kësaj organizate kanë qenë pjesë e studimeve që janë relizuar nga Organizata Ndërkombëtare në lidhje me situaten shëndetësore të komunitetit rom dhe egjiptian.
Dy minoritet që i bashkon e njëjta dhimbje: varfëria e tejskajshme. Pa frikë mund të thuhet se institucionet përgjegjëse kanë mbyllur sytë përpara tyre dhe problematikave që ata kanë, përpara kushteve të jetesës që kushtëzojnë shëndetine tyre aspak të mirë.
Në një studim për vlerësimin e nevojave të komuniteteve rome dhe egjiptiane në Shqipëri të bërë në 2012, nga UNDP dhe United Nations Albania rezulton se gjendja shëndetësore e romëve dhe egjiptianëve në Shqipëri është më e keqe se ajo e popullsisë në shumicë, çka pasqyrohet edhe në jetëgjatësinë e tyre relativisht të ulët.
Shkaqet e kësaj gjendjeje, tregon studimi, lidhen me varfërinë, kushtet e vështira të jetesës dhe mungesën e infrastrukturës bazë, qasjen e kufizuar në shërbimet shëndetësore, nivelin e ulët arsimor dhe disa forma të diskriminimit.
Sipas studimit të kryer, vetëm 58% e romëve dhe 76% e egjiptianëve shprehen se kanë libreza shëndetësore dhe marrin shërbime në qendrën shëndetësore. Një nga arsyet është varfëria e familjeve, të cilat nuk mund të paguajnë për sigurimet shëndetësore. Ndërkaq 37% e romëve dhe 20% e egjiptianëve shprehen se nuk dinë ku ta marrin librezën shëndetësore dhe nuk i njohin procedurat. Pagesat informale, për të cilat shprehen 83% e romëve dhe egjiptianëve, janë një pengesë tjetër për përfitimin e shërbimeve. Të jetosh buzë lumit, në barraka apo shtëpi të sajuara me blloqe ku lagështira depërton deri në dyshekët e fjetjes, të sigurosh jetesën me mbledhjen e hekurishteve dhe kanaçeve nga koshat e plehrave të qytetit të Tiranës, ujin e pijshëm ta marrësh ilegalisht nga tubacioni i ujësjellësit që furnizon Tiranën, bën që këta njerëz të jenë të ekspozuar ndaj shumë sëmundjesh të rënda që merren që në lindje për të mos thënë dëme që merren që në fetus.
Sëmundjet e lëkurës mund të thuhet pa frikë se janë një problematikë kryesore dhe e pashmangshme në kushte të tilla.
Shëndeti i grave shtatzëna
Përveç kësaj shëndeti i grave shtatzëna është një problem më vete. Në mungesë të planifikimit familjar, niveli i aborteve për shtatzëni të padëshiruara mbetet i lartë. Sigurisht që kjo lidhet edhe me mospërdorimin e kontraceptivëve, të cilat nuk njihen nga pjesa më e madhe e komunitetit. “Aman se as emrin nuk ia paskam dëgjuar ndonjëherë”. E në fakt kjo padituri përkthehet qartësisht në shtatzëni të padëshiruar që në disa raste çon në abort e në raste më të shpeshta në familje me shumë fëmijë.
Fëmijët që lindin prej këtyre çifteve, që në të shumëtën e rasteve janë në moshë të re, nuk mund të regjistrohen e ndërkohë as gjyshërit e tyre nuk mund t’i rregjistrojnë në emrin e tyre për shkaqe të ndryshme që nisin që nga burokracirat në institucione. Këta fëmijë të paregjistruar nuk mund të përfitojnë asgjë, madje as shërbimet shëndetësore nëse një ditë do të kenë nevojë për të. Kjo sepse ata nuk figurojnë të regjistruar askund. Këta njerëz për shtetin nuk ekzistojnë sikur edhe formalisht.
Lindita Kamberi, 53 vjeç, nënë e 3 fëmijëve është pjesë e komunitetit egjiptian, një komunitet që siç e thotë edhe ajo është i zhytur në varfëri. “Ne nuk e dimë nëse ka një shoqatë, organizatë apo ndonjë ligj që na mbron, një ligj që na trajton edhe ne si qytetarë, nuk po kërkojmë shumë. Një thes miell të paktën, të rrojmë e të mos vdesim. Kudo që shkojmë na shpërfillin. Edhe në spitale nuk na trajtojnë si gjithë të tjerët, na shohin me përbuzje. Lekë nuk na kërkojnë se e dinë që nuk kemi po dhe shërbimin si pa lekë na e bëjnë”.
Dhimbja e tyre është e vështirë të fotografohet, të fiksohet në një blic pasi gjithë ajo situatë shkon përtej një shkrepje. Brenda një familje 2 persona me probleme mendore. Njëri prej djemve të shtëpisë është i shtruar në QSUT për shkak të problemeve mendore. Djali tjetër në burg, i akuzuar për vjedhjen e një bombule, kur në fakt sipas nënës së tij ky është vetëm një pretendim pasi ajo bombul nuk ka vlerë të vidhet.
“Se jemi të varfër, nuk do të thotë se nuk jemi të ndershëm”. Me prangosjen e djalit nusja e tij ikën nga shtëpia. Sipas vjehrrës, pra sipas zonjës Lindita, edhe ajo vuante nga probleme mendore. Nusja e shtëpisë vetëm 15 vjeçe është nënë e 2 fëmijëve. Njërin prej tyre e ka marrë me vete, ndërsa tjetrin vetëm 2 vjeç e ka lënë me vjehrrën. Kjo e fundit e ndjen thellë dhimbjen dhe vuajtjen e ku sipas saj nuk di të ketë njerëz të tjerë më të varfër se ajo, njerëz me më shumë probleme.
Një tjetër problem me të cilin jeton është frika se gjithashtu nipi i saj, në kushtet në të cilat po rritet, do të vuajë nga probleme të ndryshme shëndetësore në të ardhmen.
Sipas studimit të kryer, shumë romë dhe egjiptianë – si për shembull fëmijët deri 16 vjeç, gratë shtatzëna, pensionistët, të papunët, personat që marrin ndihmë ekonomike, etj – nuk kanë akses në shërbimin shëndetësor, megjithëse janë të siguruar, sepse nuk janë të informuar ose nuk dinë ku t’i marrin dokumentet e nevojshme (librezat e shëndetit etj).


