Të qarat dhe loja me fëmijën tuaj

Aida Kryekurti

Hap pas hapi në rritjen e bebes. Momentet më të rëndësishme

Do të vazhdojmë të flasim në gazeten Shendet Plus për çështje të tjera që prekin fëmijërinë. Kujtojmë se në numrin e kaluar folëm për marrëdhëniet, për motorikën dhe për gjumin. Ajo ç’ka mund të veçojmë nga këto aspekte është fakti se prindërit duhet të jenë mbështetës gjatë formimit të jetës sociale të fëmijës, se fëmijët kanë shumë nevojë për kontakt fizik dhe se gjithashtu kanë shumë nevojë për përkushtim gjatë ditës që të ndihen të sigurtë, të kenë një gjumë të mirë dhe të rriten mbarë në nevojën e tyre për pavarësi.

bebe 2

Të  qarat

E qara menjëherë pas lindjes është shenjë e vitalitetit, mushkërite hapen dhe përshtatet qarkullimi i gjakut. Të qarat kanë veçanërisht rëndësi pasi përmes tyre fëmija do të shprehë një sërë të nevojave të veta , por nga ana tjetër kjo mund të jetë shqetësuese për prindërit e rinj. Disa nga arsyet pse një foshnje qan janë: kur është i uritur, kur ndjen dhimbje, kur mërziten dhe nuk dëshirojnë të rrinë vetëm, kur janë lodhur gjatë ditës, kur mbi ngacmohen , kur i merr në krahë një i panjohur ose janë në një ambjent të panjohur, pak para urinimit ose daljes jasht, gjatë ndryshimeve klimaterike ose fazave të hënës etj. Gjatë tre muajve të parë, të qarat e foshnjës do të rriten nga java në javë duke kapur një kulm që ndryshon nga foshnja në foshnje. Arsyet që përmendëm janë të rëndësishme pasi do të bëjnë që nëna dhe foshnja të merren vesh në mungesë të gjuhës. Por ajo që shqetëson më shumë prindërit janë të qarat e paspecifikuara , ose më saktë kur prindi nuk e kupton se për çfarë arsye foshnja është nervoze. Karakteristikë për këtë lloj të qare është fakti se ajo shfaqet mbasdite vonë ose në darkë. Shpjegimet ekzistuese që janë dhënë për këtë por që nuk janë pranuar plotësisht janë: dhimbjet e barkut ( kolikat), në darkë e gjithë familja është e lodhur dhe situata e tensionuar mund ti transmetohet fëmijës. Ajo që mund të theksohet këtu është se ndonjëherë kur fëmija qan, ta marrësh hopa mund ta stimulojë më tepër dhe të qajë më tepër, ndaj mund të mjaftonte të dëgjonte zërin tuaj të qetë që i flet, ose që e përkedhel derisa të përhumbet në gjumë. Por nga ana tjeter të mbajturit hopa shpesh gjatë ditës, mund të ulë të qarat e paspecifikuara. Foshnjat kanë shumë nevojë për kontaktin trupor me nënën, të mbajturit hopa, të marrurit me vete ku të mundeni, ushqimit me gji dhe rregullimi i ciklit gjumë zgjim gjatë tre muajve të parë do të zvogëlojë shqetësimet e fëmijës.

Foshnja zotëron dhe një mënyrë vet qetësimi, atë të thithjes së gishtit. Shpesh prindërit ngatërrohen mos thithja e gishtit do të thotë uri, ndërkohë që jo gjithmonë mund të jetë kështu, prandaj rimerrni në konsideratë vendosjen e dorashkave pasi fëmija ka nevojë të qetësohet përmes gishtave të tij. Për të përmbledhur edhe një herë ato që folëm më sipër, të qarat e fëmijës nuk kanë të bëjnë me aftësitë tuaja prindërore por me veçoriteë e fëmijës. Tre muajt e parë të jetës shënojnë periudhën e grindjeve më të shpeshta duke arritur kulme të ndryshme në fëmijë të ndryshëm, më pas të qarat qetësohen. Ajo që mund të bëjnë prindërit është të kuptojnë mirë nevojat që shpreh fëmija përmes të qarës, të merren në mënyrë aktive me të gjatë ditës që ta zërë gjumi më lehtë dhe të krijojnë një ritëm të rregullt gjumë-zgjim dhe vakteve të ngrënies. Nuk ekziston mënyrë më efektive për të qetësuar një fëmijë që qan, ju do ta zbuloni këtë në bazë të fëmijës tuaj.

Loja

Loja është aktiviteti kryesor i fëmijërisë përmes së cilës fëmija zhvillon njohjen e tij për botën materiale dhe sociale. Që një fëmijë të ketë dëshirë për të luajtur duhet të ndihet mirë fizikisht dhe të jetë i rrethuar nga përkujdesje, e kundërta vihet re kur ai është sëmurë. Loja është për fëmijën siç është puna për të rriturin. Por loja në vetvete nuk do të thotë një produkt final për fëmijën, por janë veprimet gjatë lojës qëllimi kryesor. Ajo që mund të vihet re nga vëzhgimi i lojës është se ajo pasqyron nivelin e zhvillimit të fëmijës, për shembull: mbushja dhe zbrazja e enës është karakteristike për moshën dy vjeçare , jo për atë një apo tre vjeçare. Gjithsesi lojra të caktuara nuk shfaqen në mënyrë të ngurtë në mosha të caktuara tek fëmijët, por ajo që dihet me siguri është se tek të gjithë fëmijët, loja renditet, pra një fëmijë s’mund të ndërtojë një kullë pa arritur të mbushë dhe të zbrazë enën. Fëmija dëshiron të ketë kontroll mbi lojën, por nëse marrim një foshnje , motorika e asaj nuk ja lejon dhe për këtë do të varet për disa kohë nga prindërit dhe vëllezërit e motrat.

Interesi i fëmijës për lojën mund të quhet gati i lindur pasi përfshirja në të i jep atij emocion dhe gëzim. Për këtë arsye sugjerohet që shumë sjellje që prindërit do t’ju duhet ti mësojnë fëmijës si ngrënia me lugë, larja e dhëmbëve, veshja e këpucëve etj, të mësohen përmes lojës që fëmija të besojë se po e bën me dëshirën e tij, ndryshe nga mësimi shabllon që është i mërzitshëm ku me të drejtë fëmija mund të refuzojë.

Përse luajnë fëmijët?

Të nisim këtë çështje me aftësinë që ka një foshnje për të luajtur. Në pamundësi të kordinimit të trupit, foshnja ka gojën si organin kryesor të të kuptuarit të objekteve të paktën deri në moshën tetë-nëntë muajshe. Kjo është një arsye më tepër pse kanë nevojë që duart e tyre të jenë të lira dhe jo të mbuluara. Më pas do të pasurohet me hulumtimin me sy dhe dorë të gjërave. Më parë fëmija e sheh objektin vetëm për ta kapur, pasi e fut në gojë ajo nuk e sheh më. Po ashtu, foshnja do të përdorë imitimin duke parë mimiken e njerëzve të afërt, zërin dhe sjelljet e tyre jo vetëm për të komunikuar joverbalisht me ta por edhe për të parë ndikimin e sjelljeve të veta. Vetem nga fundi i vitit të parë të jetës, fëmija do mundet të imitojë veprime të thjeshta dhe kjo do ti hapë rrugën lojës simbolike. Ajo që vihet re në përgjithësi është se kur, si dhe sa interes do të shfaqë një fëmijë për një lojë është e ndryshme nga fëmija në fëmijë por në thelb të gjithë fëmijët deri në moshën dy vjeç janë njësoj në rrjedhën e lojrave të ndryshme. Nëse do tu ofronim një kukull një vajze dhe një djali , të dy do të luanin njësoj me të me dallimin që vajza do të mundohet më shume ta përdorë kukullën për të imituar gjëra që ka parë ndërsa djali për ta hetuar dhe zbuluar se si është e ndërtuar kjo kukull. Dallimet gjinore që krijohen në llojin e lojrave vijnë si shkak i faktit që janë prindërit përzgjedhës të lodrave dhe orientues të lojrave sipas gjinisë duke e nxitur këtë gjë që në moshë të hershme.

bebe 1

Lodrat

Të gjithë prindërit impenjohen që gjatë fëmijërisë fëmija të ketë lodra që e mbajnë atë të impenjuar. Edhe pse prindërit i blejnë lodrat sepse duan të shmangin  që fëmija të luajë me orenditë e shtëpisë, ata pretendojnë që fëmija ti trajtojë lodrat si orendi bukurie. Siç e kemi përmendur, dy vitet e para të jetës janë një periudhë shumë eksploruese. Fëmija ka nevojë që një lodër ta hedhë në tokë të kuptojë çfarë zhurme bën, ka nevojë ta shpërbëjë të shohë çfarë sjell kjo, ka nevojë ta fshehë të kuptojë nëse ekziston ende apo jo, ka nevojë ta përdorë për funksione të ndryshme për të zhvilluar imagjinatën e tij etj. Ajo që nuk dinë prindërit është se fëmija pasi fiton aftësinë për të kapur gjërat në mënyrë të vullnetshme, nuk është ende gati për ti lëshuar ato nga dora po në mënyrë të qëllimshme. Prandaj shpesh objektet u bien nga dora pa dashje, por prindërit shqetësohen mos kjo do të thotë natyrë shkatërruese ndaj gjërave. Kur i blejmë fëmijës një lodër duhet të kemi parasysh disa gjëra: së pari lodrat duhet ti interesojnë fëmijës, mos u tundoni nga lodrat që propagandohen nëpër media apo dyqane lodrash, nuk jeni as ju as prodhuesi që e di çfarë e tërheq fëmijën. Ndonjëherë fëmijës mund ti duket më shumë interesante një tufë çelsash se sa një lodër e kushtueshme. Së dyti, loja duhet të ketë lidhje me nivelin e zhvillimit të fëmijës. Së treti, është fëmija që e përcakton kur edhe sa kohë do të merret me një lodër të caktuar, ju nuk duhet as ta mbingarkoni por as ti ofroni një lojë që është për moshë më të vogël. Së katërti, jini vigjilent ndaj lodrave të rrezikshme.

Fëmija dhe roli juaj

Nuk jeni vetëm prindërit, por partnerët kryesorë në lojë, në ndërveprimin me botën e jashtme. Me rritjen e moshës, fëmija do të kërkojë pavarësi por njëkohësisht kërkon mbështetjen tuaj. Do ta shihni pavarësine kur të kërkojë të përfshihet në punët tuaja prej të rrituri, përfshirja e të cilit është shumë e nevojshme për të qënë gjithnjë e më konkret. Nuk ka rëndësi se bëhet pis kur mundohet të ushqehet vet, nuk ka rëndësi se i duhen 10 minuta për të veshur këpucët, për të rëndësi ka veprimi dhe sa më shumë inkurajues të tregoheni në dëshirën e tij për të bërë gjëra vet apo për të qënë ndihmës, aq më shumë e përshtasni atë me ambjentin dhe eliminoni frikërat. Nuk do të mundeni ta shmangni nga çdo gjë e rrezikshme por më mirë të jeni ju ata që e prezantoni me situatat ku duhet të ketë kujdes pa qënë nevoja të dramatizoni situatat. Një fëmijë që pengohet në dëshirën e tij për eksplorim dhe lojë, është një fëmijë që do të mbart frikëra edhe në të ardhmen. Një fëmijë ka nevojë të edukohet se si të mendojë , jo çfare të mendojë.

 

 

Postime të ngjashme

Gjashtë këshilla të provuara shkencërisht për një tru të shëndetshëm
 Nga bananet te çokllata e zezë, 6 ushqime që ulin nivelet e stresit
Çfarë i bën kafja trupit dhe sa zgjat efekti i saj
Studimi i ri: Dieta me bazë bimore ul rrezikun e demencës
6 përfitimet e panxharit
Lëngu i panxharit ndihmon në uljen e tensionit? Ja çfarë thonë mjekët
Pse uthulla e mollës nuk duhet të mungojë në dietën dhe jetën tuaj të përditshme?
A është uji i gazuar një zgjedhje e shëndetshme? Zbulojeni tani