Shoqata “Together for life” organizoi në Tiranë trajnime me të rinj nga 9 vende të Evropës, duke i orientuar ata për gjetjen e një pune në të ardhmen, përvojë që do të ndahet me të rinjtë në vendet nga të cilat ishin ata
Arlinda Gjypi
“Nuk e kishim menduar që Shqipëria ishte e tillë”. Me këto fjalë shprehen shumë prej pjesëmarrësve në trajnimin “Lead your way to employment”, organizuar në Tiranë në datat 23-31 maj, nga organizata “Together for life”. Bëhet fjalë për 27
të rinj dhe të reja të moshës nga 18-36 vjeç nga nëntë shtete të ndryshme të Evropës, përfshirë Shqipërinë dhe Kosovën, të cilët punojnë për shoqërinë civile dhe që u mblodhën për të mësuar më tepër mbi mënyrat e orientimit për gjetjen e një pune në të ardhmen.
Kristina është italiane, 36 vjeçe dhe është hera e parë që vjen në Shqipëri. Për të është një përvojë fantastike. I pëlqen që është njohur me persona që vijnë nga shtete të ndryshme, i pëlqen Shqipëria, si dhe fakti që këtu italishten e njohin pothuajse të gjithë. Të paktën asaj s’i ka ndodhur asnjëherë që të dalë në rrugë dhe të mos gjejë dikë që ta kuptojë gjuhën e saj.
Selia, nga ana tjetër, është tepër e lumtur dhe e shpreh këtë duke folur gjatë gjithë kohës. “Jam një njeri që lexoj shumë, por veproj pak. Ky trajnim më bëri t’i shoh gjërat më ndryshe dhe besoj do të më ndihmojë shumë kur të kthehem në Rumani, pasi do të di çfarë t’u them edhe të rinjve të tjerë me të cilët punoj. Shqipëria më pëlqeu shumë. Trajnerët gjithashtu. Më pëlqeu fakti i të rinjve nga vende të ndryshme të Evropës të mbledhur bashkë dhe pastaj që mundëm të dalim dhe të vizitojmë Tiranën, të vizitojmë Durrësin. Pjesa më interesante e trajnimit ishte momenti që na ndanë në grupe dhe na lanë të dalim në rrugë për të folur me të rinjtë, për t’i pyetur lidhur me arsimimin e tyre, me jetën, me faktin nëse janë të punësuar ose jo. Mësuam shumë prej tyre dhe ishte i këndshëm fakti që arrinim të merreshim vesh me të gjithë, pasi të gjithë dinin të flisnin anglisht”.
“Janë të mbikualifikuar, – thotë Agata nga Polonia. – Kemi gjetur persona që kanë mbaruar nga dy universitete, dinë të paktën dy gjuhë të huaja, ndërsa rezulton që punët që bëjnë më shumë janë Call Center dhe kamerierë. Është bukur sepse të gjithë flasin anglisht. Nuk kemi pasur probleme me komunikimin gjatë rrugës dhe janë shumë bujarë”.
Edhe Kristina ka mbetur e kënaqur me mikpritjen. “Është bukur sepse njerëzit mundohen të të ndihmojnë edhe nëse nuk të kuptojnë tamam se çfarë thua. Janë shumë të sjellshëm. Nga ana tjetër, ky trajnim më pëlqen tepër. Do të di si të sillem kur të kthehem në Itali dhe besoj se do të gjej edhe një punë, pasi ky trajnim më ka ndihmuar së tepërmi”.
Ovidiusi është nga Lituania. Është më i qetë se vajzat e megjithatë jo i pafjalë. “Më pëlqeu ajo që pashë, ajo që mësova. Për më tepër, në fillim secili prej nesh mendonte se situata në vendin e tij ishte tepër e keqe. Pastaj erdhëm këtu dhe biseduam me njëri-tjetrin, pamë anët pozitive dhe negative. Kuptuam edhe faktin se situata e papunësisë është pothuajse e njëjtë në të gjithë Evropën. Njerëz që studiojnë shumë, që mbarojnë disa universitete dhe pastaj gjenden të papunë. Personalisht mund të them se kam mësuar shumë nga ky seminar. Më dha mundësinë të kuptoj se si mund të kërkojmë punë dhe se si duhet të ofrojmë gjëra ndryshe në krahasim me të tjerët, për të bërë më të mirën, për t’i parë gjërat në një tjetër këndvështrim e për të përfituar më shumë. Plus, më pëlqen që është zgjedhur Shqipëria. Nuk e kisha parë asnjëherë dhe më ka bërë vërtet përshtypje. Kisha dëgjuar, por nuk e kisha menduar të tillë.
Aneta është sërish e kënaqur. “Kishim çfarë përvoje të këmbenim njëri me tjetrin. Trajnimi ishte tepër interesant, por edhe i vlefshëm. Fakti që u njohëm me persona që punojnë në organizata të tjera në shtete të ndryshme të Europës na bëri të ndihemi mirë, pasi kështu mund të kuptojmë edhe më mirë situatën se si është në shtete të ndryshme dhe secili mund të japë përvojën e vet. Mund të arrijmë të gjejmë kështu pikat e dobëta dhe pikat e forta të gjithsecilit për të dhënë më të mirën atje ku do të shkojmë dhe për t’u dhënë përvojën tonë edhe të tjerëve”.
Ishmakej: Të rinjtë vlerësuan trajnimin për punësimin
Shoqata “Together for Life” organizoi trajnimin me titull “L.E.A.D. your way to employment”, në Tiranë, nga data 23-31 maj. Në këtë trajnim morën pjesë 9 shtete: Shqipëria, Kosova, Italia, Bosnje-Hercegovina, Serbia, Rumania, Polonia dhe Lituania.
Projekti është pjesë e programit “Youth in Action”, e financuar nga Komisioni Evropian dhe kishte si fokus kryesor punësimin e të rinjve.
Në Tiranë në këto data erdhën tre të rinj për secilin nga shtetet pjesëmarrëse, të cilët u trajnuan përgjatë një jave, duke pasur mundësinë edhe të vizitonin qytete të ndryshme të Shqipërisë.
Mirsada Ishmakej, koordinatore e projektit, përfaqësuese e shoqatës “Together for life”, thotë se pjesëmarrësit u akomoduan në hostel, në një nga zonat më të populluara të Tiranës.
“Misioni i këtij trajnimi konsiston në informimin e sa më shumë të rinjve rreth papunësisë, si dhe orientimi i tyre në gjetjen e një pune në të ardhmen. Trajnimi drejtohej nga 2 trajnere profesionistë nga Polonia dhe Shqipëria. Në fillim të rinjtë prezantuan situatën e papunësisë në shtetet e tyre, problemet që ata hasnin zakonisht etj. Çdo ditë, në sesione të ndryshme, diskutohej rreth zgjidhjeve, të menduarit kreativ”, thotë Ishmakej.
Sipas saj, trajnerët më së shumti përdorën metodat të edukimit joformal në mënyrë që ta bënin trajnimin sa më tërheqës, si dhe me qëllim që të rinjtë të mësonin sa më shumë.
Pjesëmarrësit u ndanë në grup të ndryshme “grupe reflektimi”, ku në fund të çdo dite reflektonin rreth ditës, rreth gjërave pozitive e negative, çfarë mund të përmirësohej etj.
Të rinjtë patën mundësi që gjatë kohës së lirë të vizitonin Tiranën, Durrësin etj.
Lidhur me përvojën e saj në këtë projekt, Ishmakej shprehet: “Çdo përvojë është unike në llojin e vet. Puna si koordinatore e këtij projekti ishte sa e bukur dhe interesante, aq edhe impenjative. Isha personi i parë që u prezantova me pjesëmarrësit duke i mirëpritur dhe akomoduar në dhomat e tyre, duke marrë kështu edhe përshtypjet e tyre të para lidhur me udhëtimin, përshtypjet e para për Tiranën etj.
“Bashkë me pjesëtarët e tjerë të shoqatës “Together for life” krijuam me të rinjtë një marrëdhënie të veçantë. Për mua, kjo punë ishte kënaqësi dhe përgjegjësi në të njëjtën kohë. Çdo ditë ishe pranë tyre për të dëgjuar shqetësimet apo problemet sado të vogla që mund të kishin, si dhe për të marrë përshtypjet e komentet e tyre pozitive”.
“Shpesh, në kohën e lirë, dilnim dhe shëtisnim së bashku, duke kaluar edhe pasdite të këndshme. Në ditën e fundit të trajnimit, secili pjesmarrës dukej mjaft i kënaqur. Ata shprehën mirënjohjen e tyre për shoqatën “Together for life”, si organizatore, si dhe na falënderuan për punën dhe përkushtimin ndaj tyre. Personalisht u ndjeva vërtet e vlerësuar në punën time dhe në çka arritëm t’u japim këtyre të rinjve, në mënyrë që të nxisin edhe të tjerët drejt punësimit”.
Projekti “L.E.A.D your way to employment”
Qëllimi i projektit është të krijojë mundësinë për punësim dhe zhvillim personal, metodat dhe praktikat që duhet të përdoren nga ata që punojnë me të rinj dhe që sidomos për t’i mbështetur ata në ecjen përpara në karrierë.
Kjo do të arrihet duke:
-mësuar si të transferojnë rezultatet e projekteve (njohuritë e reja, metodat, aftësitë etj) në punën e përditshme me të rinjtë, veçanërisht të papunësuarit dhe ata që po kërkojnë punë.
-fuqizuar dhe inkurajuar pjesëmarrësit të bëhen promovues aktivë në zhivllimin e vazhdueshëm personal
-në mbështetjen e pjesëmarrësve për arritjen e qëllimeve të tyre në mësimet e lidhura me projektin
-zhvillimin e njohurive të pjesëmarrësve dhe aftësive në këtë fushë si dhe në sigurimin e hapësirës së nevojshme për shkëmbimin e përvojave në mësimet me njëri-tjetrin, për të ndërtuar një rrjet dhe një marrëdhënie të qëndrueshme mes organizatave pjesëmarrëse për projekte të ardhshme.
Pjesëmarrësit në trajnim patën mundësinë për të zgjeruar rrjetet e tyre ndërkombëtare dhe për të bërë hapa në zhvillimin e aktiviteteve të tjera të ardhshme për temën e punësimit dhe të zhvillimit personal (qoftë ajo lokale apo ndërkombëtare).
Metodologjia e aktivitetit u bazua në parimet e arsimit joformal, si: të mësuarit eksperimental, në grupe bashkëpunimi, me përgjegjësi të përbashkëta. Këto u pasuruan me shembuj praktikë të projekteve që kanë sjellë ndryshime dhe sukses në fushat përkatëse.





