Denisa Canameti
“Kur të duhet të përleshesh për të marrë mjekimin që të siguron jetën, atëherë dinjiteti yt kthehet në asgjë”. Kështu u shpreh Donjeta Zeqa, e ëma e së cilës ka vuajtur nga kanceri i gjirit, në tryezën e rrumbullakët të zhvilluar sot nga shoqata “Together for Life”, në kuadër të mbylljes së projektit “Sfidat e të sëmurëve me kancer në sistemin shëndetësor shqiptar”, i mbështetur nga Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë.
Qëllimi i kësaj tryeze ishte rritja e vëmendjes publike dhe institucionale ndaj kategorisë së pacientëve që vuajnë nga kanceri, me qëllim përmirësimin e kujdesit shëndetësor ndaj tyre. Në të morën pjesë përfaqësues të institucioneve shëndetësore, shoqërisë civile, si dhe mediave.
Eglantina Bardhi, drejtoreshë ekzekutive e shoqatës “Together for Life” mbajti fjalën e mirëseardhjes ku midis të tjerash falënderoi median për vizibilitetin që i kanë dhënë secilit rast të investiguar, si dhe Fondacionin Shqipëria e Hapur për Shqipërinë si mbështetës i herëpashershëm i monitorimit dhe investigimit të respektimit dhe mbrojtjes së të drejtave të pacientëve.
Koordinatorja e këtij projekti e njëkohësisht kryeredaktore e gazetës “Shëndet+”, Arlinda Gjypi, në prezantimin e saj bëri një analizë nga gjetjet e këtij projekti për situatën aktuale të të sëmurëve me kancer. Kështu, nga investigimet e kryera gjatë këtij projekti rezutoi se në Spitalin Onkologjik kishte:
- Mungesë të theksuar të barnave për të sëmurët me kacner
- Kuadër të paplotë të kryerjes së analizave të nevojshme për diagnostikimin dhe trajtimin e këtyre lloj smëundjesh
- Shumica e pacientëve detyroheshin t’i blinin barnat privatisht
- Shumë prej barnave të blera në farmaci ishin të futur kontrabandë
- Pamjaftueshmëri e buxhetit të akorduar Shërbimi Onkologjik për të sëmurët me kancer.
Shifrat zyrtare tregonin një rritje me 56.8% të të sëmurëve me kancer të regjistruar në Spitalin Onkologjik nga viti 2014 në vitin 2015, ndërkohë që po për këtë periudhë kohore rezulton se buxheti për ilaçet është ulur.
Midis të tjerash koordinatorja e projektit prezantoi edhe mekanizmat e përdorur për të përmbushur objektivat e këtij projekti ku përmendi Ligjin për të drejtën e informimit, bashkëpunimin me Avokatin e Popullit, përdorimin e mediave dhe rrjeteve sociale, investigimin i situatës në Spitalin Onkologjik, protestat qytetare etj.
Referuar rasteve konkrete, Gjypi përmendi dy raste suksesi të këtij projekti, si ai i Ornela Dervishit dhe Xhuljana Elmasllarit. Të dyja këto paciente, në moshë shumë të re, kanë patur fatin e keq të përjetojnë dhimbjen shpirtore dhe fizike të prekjes nga kanceri. Pas investigimit, publikimit të këtyre rasteve në media, ka pasur një reagim të menjëhershëm të instancave shtetërore dhe për të dyja pacientet, ku mes të tjerash, Ornela përfitoi edhe mundësinë e shërbimit paliativ, ndërsa Xhuljana përfitoi ndihmë financiare për të vazhduar trajtimin.
Si përfundim, koordinatorja e projetit u shpreh se çështje të tilla kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë fokusi i punës së shoqatës “Together for Life”. Duke paralajmëruar kështu, raste të reja të investiguara që shumë shpejt do të bëhen publike në gazetën Shëndet+.
Ndërkohë, Edrin Fidhe, përfaqësues i Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, foli mbi mbrojtjen e të dhënave personale, por duke e prezantuar atë në askeptin shëndetësor.
Kështu, në gjetjet e prezantuara prej tij në institucione publike dhe private, vihej re një shkelje e mbrojtjes së të dhënave të pacientëve, për të cilat, pacientët edhe pse firmosnin, nuk kishin dijeni se si përdoreshin këto të dhëna.
Fjala i tij u prit me shumë interes nga pjesëmarrësit dhe sidomos nga shoqatat e pacientëve, të cilat u njohën me punën e këtij institucioni, ndërkohë që kërkuan një bashkëpunim më të madh me të për të mundur të sigurojnë informacionin që u takon me ligj për problemet që ata kanë.
Asim Toro, kreu i shoqatës së Fëmijëve dhe të Rinjve Diabetikë, kërkoi mundësinë që institucionet shëndetësore të detyroheshin për të dhënë informacione për fëmijët me diabet, informacione të cilat sipas ligjit ata duhet t’i sigurojnë.
Gjithashtu Alma Sheme, nënkryetare e Shoqatës së Hemodializës, kërkoi më tepër informacion mbi mundësinë që institucionet private shëndetësore që paguhen nga shteti, ta bëjnë shërbimin siç duhet për të gjithë pacientët që vuajnë nga sëmundjet kronike.
Nga ana e përfaqësuesit të Komisionerit për të Drejtën e Informimit u ofrua mundësia e bashkëpunimit me shoqatat e pacientëve në këtë drejtim.
Shoqata “Together for Life”, si partizane e bashkëpunimit me shoqatat e tjera të pacientëve, duke besuar fort në zërin e tyre, në këtë tryezë diskutimi i la një hapësirë të veçantë prezantimit të shoqatës së re, “Europa Donna Albania”, degë e shoqatës “Europa Donna” e cila mbron të drejtat e grave me kancer. Drejtuesja e kësaj shoqate, Donjeta Zeqa, tha se përballja e këtyre të sëmurëve me institucionet dhe sëmundjen është shumë e vështirë. Me një përvojë personale, ku nëna e saj ka kaluar sëmundjen e rëndë të kancerit të gjirit, Zeqa tha se Europa Donna Albania mbron interesat e pacientëve me kancer gjiri, si një shoqatë që merr në mbrojtje jo një pacient të vetëm apo të privilegjuar, por të gjithë pacientët bashkë. “Jam e vetëdijshme për dhimbjen e tyre dhe e di se shumë kanë luftuar dhe shumë s’e kanë fituar dot këtë betejë”, u shpreh Zeqa. Ajo tha se anëtarët e shoqatës që drejton “synojnë të punojnë për ndryshimin e situatës për të sëmurët me kancer, një sëmundje që nuk pyet nëse je i varfër apo pushtetar. Sepse të gjithë mund ta kenë “radhën” një ditë!”
Në përfundim të fjalëve, pati pyetje dhe diksutime si dhe një interes të madhe të mediave për rastet e prezantuara, si dhe për punën në vazhdimësi me në fokus pacientët në çdo pjesë të shërbimit shëndetësor.








