Telemjekësia nuk është vetëm një privilegj i spitaleve shqiptare, e përfshirë në sistemin tonë shëndetësor falë bashkëpunimit të “International Virtual e-Hospital Foundation”, e drejtuar nga profesori shqiptar Rifat Latifi. Tashmë, falë një projekti të mbështetur nga qeveria sllovene dhe që do të zgjasë deri në 2015-n, ky projekt vijon edhe në Kepin e Gjelbër nën shembullin e Shqipërisë.
“Ishte një përvojë emocionale kur për herë të parë bisedova [nëpërmjet videokonferencës] me një pacient gjatë marrjes së kujdesit nga spitali “Agostinho Neto”, në ishullin Brava. Ai nuk duhet të udhëtonte në Praja, duke kursyer kështu kohë dhe para, si për sistemin e kujdesit shëndetësor, ashtu edhe për familjen e tij … Ky është një përfitim i jashtëzakonshëm. Ne jemi duke bashkuar të gjithë ishujt e vendit, në mënyrë që të garantojmë qasje më të mirë në kujdesin shëndetësor, shërbime të cilësisë më të lartë dhe për të luftuar pabarazitë rajonale”.
Këto ishin fjalët e thëna nga Shkëlqesia e Tij, Kryeministri José Maria Neves, gjatë ceremonisë së hapjes së Programit të Integruar të Telemjekësisë dhe Shëndetit Elektronik në Kepin e Gjelbër, Afrikë, më 28 korrik.
Ministrja e Shëndetësisë, dr. Cristina Fontes Lima, dha një histori të shkurtër të programit të telemjekësisë dhe shëndetit elektronik në Kepin e Gjelbër. Ajo përmendi kontributin e të gjitha palëve të përfshira: Bashkëpunimit Slloven për Zhvillim në kapacitetin e agjencisë së financimit, ITF, Rritja e Sigurisë Njerëzore dhe “International Virtual e-Hospital Foundation”.
“Një falënderim i madh shkon për profesor Latifin dhe ekipin e tij të përkushtuar”, tha ministrja Fontes Lima, e cila i kërkoi dr. Erion Dasho, zv.President IVeH për Evropën dhe Afrikën, që të përcillte zyrtarisht mirënjohjen e saj për pjesën tjetër të ekipit, për punën e tyre të përkushtuar gjatë dy viteve të fundit.
Prof. Rifat Latifi, President dhe CEO i “IVeH”, si dhe drejtor i Projektit ka drejtuar të gjitha fazat e programit, nga analiza e situatës dhe vlerësimi në nëntor 2011, nisjen e programit në korrik 2012, dhe së fundmi zhvillimin e plotë të programit dhe maturimin e tij.
Shkëlqesia e tij, Ambasadori Mitja Štrukelj, Drejtori i Përgjithshëm i Bashkëpunimit Ndërkombëtar të Sllovenisë për Zhvillim dhe Asistencë Humanitare, shprehu vlerësimin e tij ndaj mikpritësve për bashkëpunimin dhe mbështetjen e tyre.
Duke folur në portugalisht, Ambasadori Štrukelj tha se ky projekt paraqet projektin e parë të ndihmës së qeverisë sllovene jashtë Ballkanit dhe se organizata e tij është krenare për suksesin e arritur. Ai falënderoi ministren e Shëndetësisë, dr. Fontes Lima, për mbështetjen e saj të vazhdueshme të projektit dhe përmendi kontributin e të gjithë aktorëve të përfshirë.
Përveç kësaj, Kryeministri Neves dhe personalitetet e tjera vizituan bibliotekën elektronike dhe dhomën e telekonsultave. Gjatë kalimit nga “Pema e Telemjekësisë”, që ishte mbjellë nga prof. Merrell dhe dr. Dasho, në prill 2013, Kryeministri Neves shprehu vlerësimin e tij për qasjen innovative të IVeH-së që mbollën një pemë të telemjekësisë në çdo qendër telemjekësie.
“Ky është një simbol i mirë”, i tha Shkëlqesia e Tij dr. Dashos më vonë, duke krahasuar me shaka llojin e pemëve të telemjekësisë që janë mbjellë në Kepin e Gjelbër me pemët e ullirit që janë mbjellë në Shqipëri.
Programi i Integruar i Telemjekësisë dhe Shëndetit Elektronik të Republikës së Kepit të Gjelbër është i financuar nga Kooperacioni për Zhvillim Ndërkombëtar dhe të Departamenti i Ndihmës Humanitare i Qeverisë së Sllovenisë dhe implementohet nga International Virtual e-Hospital Foundation përmes ITF Zgjerimi Sigurisë Njerëzore. Ai filloi në Korrik 2012 me fazën e parë që përfundoi në Janar 2013 dhe fazën e dytë në Korrik 2014. Faza e tretë është mbështetur nga Qeveria Sllovene duke zgjatur aktivitetet në Kepin e Gjelbër deri në dhjetor 2015. Me mbi 300 telekonsulta dhe 45 ngjarje të arsimit virtual gjatë vitit të parë të zbatimit, programi renditet si një nga më të mirët në Afrikë dhe një nga programet më të mira në vendet në zhvillim.




