Denisa Canameti
“Ne nuk jemi njohur ende me provimin dhe me përmbajtjen e tij. Nuk e kemi ende të qartë se për çfarë po bëhet ky provim. Nëse kjo është një formë e moderuar politike për të larguar persona të cakuar nga puna. Apo nëse është një provim matur afëtsitë profesionale. Këtë ende nuk dimë ta themi. Ne kemi dëgjuar fjalët e ministrit, por nuk mund të hidhemi e të reagojmë për çështje që ende janë në nivel institucional me të cilat nuk jemi njohur konkretisht”.
Midis mjekëve të irrituar dhe të fyer rëndë nga nisma e ministrisë për t’i nënshtruar ata në një provim, ka edhe mjekë që janë “të qetë” dhe po qëndrojnë në pritje të një qartësimi se çfarë nënkupton ky provim në të vërtetë.
Arben Baboci, mjek kardiokirurg në QSUT, shprehet se ky provim, sipas tij, nuk ka për qëllim të heqë mjekë nga puna. “Përderisa në këtë provim janë të përfshirë edhe specialistët, profesorët, njerëz me grada shkencore, – thotë ai, – na bën ta shikojmë çështjen e provimin në një tjetër këndvështrim. Nëse po bëhet për të hequr specialistët nga puna, ku do t’i gjej ministria të tjerët? Specialistët nuk përgatiten aty për aty”.
Në fakt, ekziston një sistem i edukimit në vazhdim të mjekëve, që iu kërkon këtyre të fundit të marrin vit pas viti njohuri të reja në përputhje me fjalën e fundit të shkencës dhe të mjekësisë. Kreditet në vetvete janë një formë vlerësimi.
Ndërkohë, Ministria e Shëndetësisë e ka “justifikuar” çështjen e provimit me faktin se kur mjekët iu nënshtruan një trajnimi për t’u parapërgatitur për ofrimin e kontrollit falas për moshat 40-65 vjeç, doli se mjekët nuk ishin në një nivel të kënaqshëm. Në këtë trajnim, në përgjithësi, u përfshinë mjekët e familjes, si dhe mjekët patologë.
Mjeku Edvin Prifti, nga ana tjetër, thekson faktin se është shpejt të flitet e të mbahet një qëndrim, është herët të thuhet jam pro apo kundër, është herët të thuhet që mjekët po cenohen dhe po fyhen, sepse jemi përballë fjalëve jo përballë fakteve dhe gjërave konkrete.
“Asnjë prej mjekëve nuk di të thotë se ku konsiston provimi dhe pa ditur këtë, është shumë herët të mbajmë një qëndrim”.
Në fakt, ka mjaftuar një deklaratë e tillë nga ana e ministrisë që mjekët të nxjerrin shumë “të palara” për këtë institucion, të numërojnë 1001 të zeza për këtë sistem. Mjekët nuk ngurruan t’i kujtojnë ministrit kushtet në të cilat po punojnë, ku edhe godina e QSUT-së përballë përgatitjes së tyre është një fyerje më vete.
Çdo ditë një reagim i ri, mjekë që flasin e që mbajnë qëndrime të prera duke refuzuar edhe futjen në provim, por në asnjë rast edhe pse asnjëri prej mjekëve nuk e ka të qartë se për çfarë po bëhet ky provim. Sepse edhe vetë ministri në çdo dalje tregohet kontradiktor në gjërat që thotë. Dje u fol për mjekë që do të testohen për t’u hequr nga puna e sot po flitet për një testim që nuk ka për qëllim të heqë asnjë mjekë nga puna. Kjo pavendosshëri si dhe kjo paqartësi edhe e vetë ministrit për nisma që vetë merr bën që edhe mjekët të ngrenë batuta e të presin daljen e tij të radhës për të kuptuar se çfarë do të bëhet përfudimisht me provimet dhe me mjekët.
Njëri prej mjekëve në statusin e tij në rrjetet sociale ironizon situatën e krijuar me një batutë të filmit “Lulëkuqet mbi mure”:
-Dëgjuam krisma!
-Kush ka dëgjuar krisma? …. E shikoni pra, që krisma nuk ka patur? Por edhe nëse ka patur, ato kanë qenë diku larg…
Ndoshta ministri duhet të nxitojë me një deklaratë të tij mbi këtë çështje për të qartësuar mjekët nëse ka apo nuk ka “krisma”.


