Elena Beta
“Njohja e programeve të partive është çështje e rritjes së vlerave shoqërore dhe standardeve kombëtare”
Shoqata “Together for Life” zbatoi takimin e parë informues të votuesve mbi programet shëndetësore të partive politike në kuadër të projektit “Përmirësimi i sistemit shëndetësor përmes një vote të informuar dhe edukimi i qytetarëve për programet elektorale shëndetësore”. Ky takim u zhvillua në zonën e Shkozës, ku banorë të kësaj zone morën informacion të detajuar lidhur me programet shëndetësore të partive politike.
Përfaqësuesit e shoqatës “Together for Life” folën lidhur me politikat në shëndetësi, duke theksuar se shëndetësia është një sektor i cili më shumë nga të tjerët thith dhe pasqyron zhvillimin, traditat dhe kulturën e një kombi. Ata folën për rëndësinë e programeve politike shëndetësore të partive kandidate në zgjedhje, duke përmendur faktin se individët që votojnë i japin rëndësi zbatimit të reformave të ndryshme si: përmirësimi i rezultateve shëndetësore, sigurimi i shërbimeve që ofrohen në kosto efektivitet dhe kosto eficencë, sipas efikasitetit mikroekonomik.
Një tjetër pikë që u diskutua ishte dhe se sa e rëndësishme është që votuesit të dinë të kërkojnë llogari për programet dhe premtimet e partive politike në zgjedhje.
I ftuar në këtë takim ishte dhe z. Indrit Hoxha, i cili kandidon për deputet në zonën e Shkozës.
“Shëndetësia është pjesa më e rëndësishme, atje nga duhet të fillohet gjithçka, prandaj dhe unë jam shumë i ndjeshëm lidhur me këtë aspekt. Ne duhet të punojmë të gjithë për të arritur standardin që meritojmë”, tha Hoxha, duke vijuar me prezantimin e pikave më kryesore mbi të cilat do të punojë partia të cilën ai përfaqëson në mënyrë që t’ju ofrojë qytetarëve atë që ata meritojnë.
Ky diskutim përfshiu edhe banorët e zonës, të cilët shprehën pakënaqësitë e tyre lidhur me atë çka shëndetësia përfaqëson dhe kërkuan më shumë përgjegjshmëri nga ana e shtetit lidhur me këtë sektor kaq delikat.
“Ne jemi në vështirësi ekonomike. Asnjë nga familja ime nuk është në punë dhe e kemi të vështirë, sidomos në periudhën e dimrit kur virozat merren lehtësisht. Të kesh vështirësi ekonomike dhe të të duhet të paguash para për ilaçe është më e vështirë nga sa mund të duket. Duke parë situatën, e cila ka shumë kohë që ka mbetur po e njëjta, edhe për ne si banorë ëshët e vështirë të kemi një ide të qartë se kë program të votojmë. Takime të tilla janë të vlefshme për komunitetin, pasi të votosh programin më të përshtatshëm do të thotë të zgjedhësh të ardhmen e vetes dhe të familjes tënde”, u shpreh Adriana Kurti, banore e zonës të Shkozës, nënë e 3 fëmijëve.
Takimi u pasua me shpërndarjen e broshurave me informacione për programet shëndetësore, të cilat do t’ju shërbejnë votuesve të njohin më shumë pikat ku do të punohet në të ardhmen.
Në kuadër të projektit do të realizohen disa tryeza, pjesë e të cilave do të jenë qytetarë dhe kandidatë nga parti të ndryshme politike, ku do të diskutohet lidhur me programet e shëndetësisë.
Ky projekt mbështetet nga Programi i Granteve të Vogla i Komisionit për Demokracinë, Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës./ Shendeti.com.al


