Kryefaqja Box 1 Tfl diskuton problematikat e kopshteve te Tiranës. Drejtueset : Këto janë shumë...

Tfl diskuton problematikat e kopshteve te Tiranës. Drejtueset : Këto janë shumë pak krahasuar me vështirësitë që hasim

0
Shpërndaje

Elena Beta

15% e kopshteve të qytetit të Tiranës (nga të cilat 2 kopshte janë të nismës “Adopto një kopsht”) nuk kanë ujë të ngrohtë dhe të ftohtë pa ndërprerje. Vlen të theksohet se Kopshti Nr. 34 nuk ka ujë të ngrohtë. 92.7% e kopshteve i kanë dyert që hapen në drejtimin “Brenda – Jashtë” duke vështirësuar daljet sa më emergjente në situate zjarri .“13 nga 41 kopshtet e monitoruara (nga të cilat 3 kopshte janë të nismës Adopto një kopsht) nuk kanë lodra në ambientet e tyre të jashtme për fëmijët. Është e rëndësishme të theksohet se kopshti nr. 64 “Xixëllonjat” , Kopshti “Bregu i Lumit”, (pjesë e nismës Adopto një kopsht) ka lodra që nuk janë të përshtatshme për fëmijët në këto grupmosha, duke cenuar sigurinë e tyre”. Këto janë disa nga të dhënat e nxjerra nga monitorimet e infrastrukturës dhe investimeve të 43 kopshteve publike të Tiranës të cilat u prezantuan gjatë forumit të katërt komunitar “Lëviz për kopshtin tim“.

Të pranishëm në forum ishin drejtueset e kopshteve të njësisë numer 2, prindër, edukatore, si dhe pjesëmarrës nga kopshtet: Bregu i Lumit, Kopshti 25/1, Kopshti Sauk, Kopshti Ylberi, Kopshti Kodër Kamëz, Kopshti 39, Kopshti 24, psikologu dhe mjeku.

Eglantina Bardhi, drejtoreshë e shoqatës “Together for Life” foli më gjatë lidhur me problematikat që kanë dalë nga monitorimet, duke theksuar se shqetësues është fakti që numri i popullsisë qëndron në përpjestim të zhdrejtë me numrin e kopshteve dhe kjo situatë sa vjen dhe po rëndohet. “ Ky është forumi i katërt komunitar ku ne do të prezantojmë disa nga rezultatet e nxjerra deri tani, sigurisht nuk kanë dalë të gjitha por një pjesë e tyre do të bëhen publike sot për të gjithë të pranishmit. Dua të theksoj faktin se kemi pasur një bashkëpunim shumë të mirë me drejtoreshat dhe personelin e kopshteve dhe i falënderoj për këtë. Përsa i takon standardeve të infrastrukturës kemi trajtuar ato që janë të dukshme dhe të matshme dhe jemi të hapur për të dëgjuar të gjitha problematikat që keni evidentuar dhe ju”, vijoi Bardhi.

Një nga problemet që u diskutua ishte kopshti i Saukut i cili rezulton të jetë kopësht pa drekë dhe shumë prej banorëve të kësaj zone i regjistrojnë fëmijët në kopshtet e njësisë numër 2. “Të gjitha prurjet e zonës së Saukut shkarkojnë tek kopshti 41 dhe 18, në një kohë që ne nuk i përgjigjemi dot fëmijëve të lagjes, që ju takon të regjistrohen në kopsht. Duhet të gjendet një zgjidhje për ketë situatë e cila sa vjen dhe po rëndohet më shumë”,kështu u shpreh Eljona Kryemadhi drejtuese e kopshtit 41.

“Ajo që më shqetëson mua si prind i kopshtit 40, është mungesa e kondicionerit në këto ditë të nxehta. Është diçka që e kemi diskutuar dhe me drejtoreshën pasi është i nevojshëm sidomos në ditët e nxehta. Një problem tjetër është raporti fëmijë hapësirë, pasi nga viti në vit numri i fëmijëve të regjistruar rritet ndërkohë që hapësira nuk është e mjaftueshme” tha A. D, duke kërkuar që në kopsht regjistrohen fëmijë brenda kapacitetit që kopshti ofron në mënyrë që fëmijët të jenë komodë atje ku kalojnë gjithë ditën.

Aktive në diskutim ishte dhe Anila Xhaferraj, drejtoreshë e kopshtit “Bregu i lumit”, e cila u shpreh e shqetësuar dhe kërkoi zgjidhje sa më të shpejtë për problematikat brenda dyerve të kopshtit që ajo drejton. Në ambientet e kopshtit “Bregu i lumit”ndodhen kaldajat të cilat sipas standardeve nuk duhet të jenë në ambientet e brendëshme ashtu si dhe depozitat. Ne edhe i kemi raportuar këto problematika dhe shpresojmë që në një të ardhme të rregullohet kjo situatë. Kemi  gjithashtu probleme me ujin dhe rruga për të shkuar drejt kopshtit mund të konsiderohet problematike, pasi nuk mund të futet asnjë makinë e madhe. Nëse mund të ketë ndonjë situatë emergjente nuk di si do t’i japim zgjidhje” , vijoi Xhaferraj.

Prezenca e pamjaftueshme e mjekut dhe psikologut si dhe nevoja për një punonjës social i cili të trajtojë fëmijët të cilët vijnë nga familje me probleme të theksuara, prezenca e fëmijëve me autizëm dhe mungea e një personi të specializuar për tu kujdesur për ta, ishin gjithashtu çështjet që u diskutuan gjatë foruimit të katërt komunitar “Lëviz për kopshtin tim”. Në përdundim të diskutimeve, drejtueset e kopshteve kërkuan që problematikat e nxjerra nga monitorimet si dhe ato të evidentuara nga vetë ato dhe personeli i kopshteve, të marrin zë dhe bëhet diçka për përmirsimin situatës.

 “Lëviz për Kopshtin tim” është një  projekt i zbatuar nga shoqata “Together for life” me mbështetjen e Lëviz Albania i cili ka për qëllim monitorimin e infrastrukturës dhe investimeve të 43 kopshteve publike të Tiranës, me qëllim informimin e qytetarëve dhe medias për të nxitur përgjegjshmërinë dhe transparencën e pushtetit vendor për përmirësimin e cilësisë së shërbimit në kopshtet e Bashkisë së Tiranës./shendeti.com.al

 

 

 

 

LËR NJË MESAZH

Please enter your comment!
Please enter your name here