Bisedoi Elona Tereziu
Frakturat e kockave tek moshat e treta, si ndikon osteoporoza
Me kalimin e viteve kockat dobësohen dhe e humbasin fuqinë e tyre, ndërsa tendenca për t’u thyer bëhet më e shpeshtë. Veç sëmundjeve kronike, një ndikim të madh në rritjen e kësaj tendence ka edhe osteoporoza, e cila ndikon në pakësimin e densitetit mineral të kockës duke e bërë atë më të brishtë.
Ndërkohë studimet flasin për një mortalitet të lartë tek këta persona, ku vetëm në 6 muajt e parë (tek pacientët me fraktura të gjymtyrëve të poshtme) kjo shifër shkon në 30%, ndërsa 1/3 e atyre që mbijetojnë, ngelen me probleme.
Tahir Çela, kirurg ortoped në Spitalin Universitar të Traumës, tregon se këto fraktura janë jo pak të shpeshta edhe në vendin tonë, megjithëse nuk kemi shifra.
E ndërkohë që liston frakturat më të shpeshta (fraktura e pjesës së sipërme të krahut, fraktura e pjesës së kyçit të dorës, fraktura e vertebrave, fraktura e sipërme e kofshës dhe fraktura trokanterike ose e qafës së femurit), ai shpjegon se rikuperimi mund të dojë 3-5 muaj, por edhe pas trajtimit modern, shumica e pacientëve ngelen me probleme dhe të paaftë për t’u kujdesur për veten.
Çfarë i shkakton frakturat kockore tek moshat e treta?
Kur flasim për frakturat e kockave tek të moshuarit, më shpesh i referohemi frakturave që lidhen me osteoporozën. Osteoporoza ka të bëjë me pakësimin e densitetit mineral të kockës të matur me teknikën e skanimit DEXA, dhe për rrjedhojë kocka bëhet më e brishtë/ më e thyeshme. Zakonisht prek gratë pas menopauzës, ndërsa tek meshkujt shfaqet pak më vonë.
Në përgjithësi, që të ndodhë një frakturë, duhet të ndodhë një traumë (rrëzim). Në pjesën më të madhe të rasteve është vënë re se tek të moshuarit, frakturat ndodhin më energji të ulët (duke ecur ose në shtëpi) për dallim nga të rinjtë, ku përgjithësisht frakturat ndodhin në trauma të mëdha (aksidente automobilistike, rrëzime nga lartësitë ose goditje nga automjetet).
Një nga faktorët më të shpeshtë për frakturat e kockave te të moshuarit është një rrëzim, madje disa studiues mendojnë që ne duhet të fillojmë të merremi më tepër me parandalimin e rrëzimeve sesa me parandalimin e osteoporozës.
Faktorët e rrezikut për fraktura te të moshuarit ndahen në faktorët që lidhen me traumat, tendencën për t’u rrëzuar dhe faktorët që lidhen me fortësinë e kockës, si densiteti mineral i kockës.
Disa nga faktorët e rrezikut për fraktura te të moshuarit janë densiteti kockor i ulur, mosha e madhe, gjinia femër, gjendja postmenopauzale, tymosja e duhanit, abuzimi me alkoolin, mungesa e vitaminës D, sëmundjet kronike, ulja e shikimit, marrja e mjekimeve me kortizonike dhe me sedativë, sëmundjet malinje.
Frakturat te të moshuarit përbëjnë një kosto të lartë për shoqërinë dhe ekonominë. Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës frakturat e pjesës së sipërme të kofshës (të femurit) kanë pasur një kosto rreth 1.2 miliardë dollarë në vit në vitin 1992 dhe Mbretërinë e Bashkuar rreth 750 milionë paundë në vit në vitin 1994.
Cilët janë frakturat më të shpeshta që hasim tek këta mosha?
Frakturat më të shpeshta të kockave tek të moshuarit janë frakturat e pjesës së sipërme të krahut, (të humerusit) frakturat e pjesës së kyçit të dorës (të radiusit distal), frakturat e vertebrave, frakturat e pelvisit, frakturat e sipërme e kofshës (të femurit), siç janë frakturat trokanterike ose e qafës së femurit. Këto fraktura ndodhin më shpesh në pjesët skajore të kockave të gjata, pasi në këto pjesë kocka është më poroze.
Frakturat e sipërpërmendura kanë disa tipare të përbashkëta epidemiologjike; janë më të shpeshta të gratë sesa të burrat dhe shpeshtësia e tyre rritet me rritjen e moshës.
Përveç këtyre, tek të moshuarit hasim shpesh edhe frakturat e vertebrave, që zakonisht ndodhin nga një traumë (rrëzim) minimal, për shembull pas një rrëzimi gjatë ecjes.
Trajtimi?
Në qoftë se i referohemi frakturës së pjesës së sipërme të kofshës, synimi ynë është që ta kthejmë sa më shpejt të moshuarin në gjendje normale (të aftë për t’u kujdesur për veten) dhe në shumicën e rasteve kërkohet një ndërhyrje kirurgjikale. Sot, në botë por edhe në Shqipëri përdoren implante të një teknologjie të atillë që i mundësojnë pacientit të fillojë të ushtrojë peshë menjëherë pas vendosjes në frakturat e kofshës.
Pasi vihet diagnoza, dhe rezulton që ky i moshuar ka një frakturë të kofshës, i nënshtrohet ekzaminimeve të mëtejshme preoperatore, për të parë gjendjen e përgjithshme të organeve të tjera. Dhe në qoftë se pas ekzaminimeve dhe konsultave me mjekët specialistë, rezulton kandidat për operacion (rreziqet janë më të vogla se përfitimi), pacienti informohet për mënyrën e trajtimit dhe rreziqet që mund të ketë. Në qoftë se ai pranon t’i nënshtrohet këtij trajtimi të rekomanduar, realizohet ndërhyrja kirurgjikale, e cila nënkupton stabilizimin e kockës së frakturuar, ose në disa raste dhe zëvendësimin e pjesës së thyer me protezë. Pas ndërhyrjes (në qoftë se gjithçka shkon mirë), këta pacientë i nënshtrohen fizioterapisë për një kohë të gjatë. Rikuperimi i plotë mund të dojë 3-4 ndoshta edhe 5 muaj, por disa prej këtyre pacientëve, tek këto mosha ngelin më probleme (të paaftë për t’u kujdesur për veten) me gjithë trajtimin modern.
Rastet që trajtohen në mënyrë kirurgjikale dhe jo kirurgjikale?
Në mënyrë jo kirurgjikale trajtohen zakonisht frakturat e gjymtyrëve të sipërme (fraktura e supit, fraktura e kyçit të dorës). Trajtimi në këtë rast nënkupton imobilizimin e thjeshtë me një shami trekëndëshe ose me një mbajtëse krahu, ose me gips (për kyçin e dorës).
Kur flasim për fraktura të gjymtyrëve të poshtme, shumica e pacientëve kanë nevojë për ndërhyrje kirurgjikale, janë raste shumë të rralla ata që mund të rikuperohen pa kirurgji, dhe këtu bëhet fjalë për fraktura minimale, pa zhvendosje dhe që ndiqen në mënyrë ambulatore.
Pastaj kemi edhe raste të tilla, që megjithëse kanë nevojë për ndërhyrje kirurgjikale, mosha apo sëmundje të caktuara e përjashtojnë si kandidat, pasi rreziqet mund të jenë më të larta se përfitimi në rast ndërhyrje. Pra edhe kur duhet përdorur kirurgjia ti detyrohesh ti trajtosh në mënyrë jokirurgjikale.
Cfarë ndodh nëse nuk trajtohen si duhet?
Në qoftë se marrim frakturat e gjymtyrëve të sipërme, nëse ato nuk trajtohen siç duhet nga një mjek i specializuar ortoped, pasojat kryesore që lënë janë dhimbja dhe kufizime të mëdha gjatë lëvizjes.
Ndërkohë, që në rastin e gjymtyrëve të poshtme, keqtrajtimi i tyre bën që pacienti të ngelet në shtrat, dhe nëse një i moshuar me frakturë të gjymtyrëve të mëposhtme ngelet në shtrat, shtohet dhe rreziku për sëmundje të tjera dhe mortaliteti bëhet shumë i lartë. Vdekshmëria e këtyre pacientëve shtohet së tepërmi për shkak të ndërlikimeve që sjell qëndrimi në shtrat dhe mungesa e lëvizjes, siç janë trombozat e venave të thella të gjymtyrëve të poshtme, tromboembolia e mushkërive, infeksioni urinar, infeksionet e mushkërive si edhe hapja e ulçerave në lëkurë si pasojë e qëndrimit pa lëvizur.
Sa i vështirë është rikuperimi tek këta mosha?
Nëse i referohemi frakturave të pjesës së sipërme të kofshës, që është një nga frakturat më të shpeshta tek të moshuarit dhe që lidhet me osteoporozën, kanë një kosto vërtet të lartë për sa i përket trajtimit, por edhe për shoqërinë. Sipas disa studimeve, rezulton se një e treta e të moshuarve që pësojnë fraktura ngelen me pasoja dhe për rrjedhojë të paaftë për t’u kujdesur për veten, dhe ndonjëherë kanë nevojë edhe për trajtim institucional, për të mos folur pastaj për vdekshmërinë.
Sipas studimeve, është parë që vdekshmëria tek pacientët me fraktura të gjymtyrëve të poshtme në 6 muajt e parë shkon deri në 30%, ndërkohë që 1/3 e atyre që mbijetojnë janë të paaftë për t’u kujdesur për veten.
Ndihma paraprake, ku gabojnë më shumë pacientët?
Një nga gabimet që hasim në më shpesh, nqs marim frakturën e kyçit të dorës, që është shumë e shpeshtë, në shumë raste njerëzit e neglizhojnë, duke mos e marë si diçka serioze dhe fillojnë trajtimet popullore, siç janë masazhimet apo aplikimi i të nxehtit.
Kjo gjë është totalisht e gabuar, pasi mbas një frakture ndodh një ënjtje e indeve. Aplikimi i këtyre metodave nuk bën gjë tjetër, veçse e shton trysninë mbi frakturën.
Si mund të parandalohen?
Për të parandaluar, së pari duhet të marrim në analizë faktorët që i shkaktojnë. Nëse më lartë thamë se sa më avancuar të jetë mosha, aq më i madh është rreziku për të bërë fraktura, ky është një faktor që ne nuk mund ta ndryshojmë. Por çfarë mund të ndryshojmë ne? Ne mund të kujdesemi të trajtojmë si duhet sëmundjet. Nqs ato trajtohen në mënyrën e duhur, dhe nga specialistët e duhur, dhe pse jo ti parandalojmë, do të ulet dhe rreziku për rrëzime që çon në fraktura. Për shembull, sa më mirë të trajtohen sëmundjet e zemrës (aritmitë, çrregullimet e presionit të gjakut, hipertensioni), ulet dhe rreziku që personi të bëjë rrëzime.
Por parandalimi mund të bëhet edhe nëpërmjet gjërave të thjeshta, siç janë të ushqyerit. Ne thamë më lart që një nga faktorët e rrezikut për të bërë fraktura është osteoporoza, por studime të shumta kanë treguar që osteoporoza mund të parandalohet edhe nëpërmjet modifikimit të dietës. Përfshirja e kalciumit dhe vitaminës D në dietë ul përqindjen e osteoporozës, e për rrjedhojë edhe rrezikun për fraktura.
Gjithashtu (këtu tek ne nuk përdorën) në botë ka edhe programe për parandalimin e frakturave tek të moshuarit, si për shembull duke modifikuar ambientin ku ata jetojnë, për të shmangur sa më shumë rrëzimet. Madje kanë futur në përdorim edhe një mbrojtëse të kofshës, që i moshuari e vesh sidomos kur është i rrezikuar për të bërë fraktura, është diagnostikuar me osteoporozë ose sëmundje të tjera./ Shendeti.com.al