ISHP: 5,000 gra jetojnë me kancer gjiri në Shqipëri; Rastet rriten me 23% në një dekadë

Kanceri i gjirit përbën rreth 11% të të gjitha rasteve të reja me kancer çdo vit, duke zënë vendin e parë për risk individual tek gratë shqiptare.

Këto të dhëna të bëra publike nga Instituti i Shëndetit Publik theksojnë se, pamja epidemiologjike e kancerit të gjirit në Shqipëri paraqet ngjashmëri me prirjet globale.

Aktualisht, në vend jetojnë rreth 5,000 gra me kancer gjiri, ndërsa vetëm në vitin 2024 janë diagnostikuar 805 raste të reja tek femrat dhe 14 raste tek meshkujt. Krahasuar me vitin 2015, incidenca e kësaj sëmundjeje është rritur me 23%, ose mesatarisht me 2.1% çdo vit.

Rreziku i diagnostikimit rritet dukshëm me moshën, duke arritur kulmin në grupmoshën 50–70 vjeç. Analizat tregojnë se rritja e përgjithshme e incidencës shpjegohet kryesisht nga rastet mbi 50 vjeç, të cilat janë shtuar me 3.6% në vit, ndërsa tek moshat nën 50 vjeç është vërejtur një ulje mesatare prej 1.9%.

Mosha mediane në momentin e diagnozës është rritur nga 55 vjeç në vitin 2015 në pothuaj 59 vjeç në 2024, duke reflektuar efektin e plakjes së popullsisë dhe afrimin me profilin demografik të vendeve të Bashkimit Evropian.

Ndërkohë, numri i mamografive të kryera në vend është rritur ndjeshëm, raporti tregon se, nga rreth 5,000 në vitin 2014 në mbi 25,000 gjatë viteve 2022–2024, çka ka sjellë edhe rritje të mbulimit me depistim në rreth 25% të popullatës target.

Depistimi i grave për kancer gjiri kryhet falas përmes sistemit publik shëndetësor. Kontakti i parë zakonisht ndodh përmes mjekut të familjes apo infermierit të qendrës shëndetësore, të cilët informojnë gratë për rrezikun, kryejnë ekzaminimin klinik dhe i udhëzojnë për mamografi. Gratë e grupmoshës 50–60 vjeç, si edhe ato në rrezik të shtuar, ftohen për mamografi çdo dy vjet, nëse nuk kanë shenja klinike.

Sipas të dhënave të ISHP, vetëm përmes mamografive të lëvizshme identifikohen çdo vit mbi 10 raste të dyshuara për kancer gjiri, ndërsa rreth 50 raste diagnostikohen në mënyrë të hershme falë depistimit.

Këto të dhëna nënvizojnë rëndësinë e kontrollit të rregullt dhe ndërgjegjësimit për zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit, një faktor kyç që rrit ndjeshëm mundësitë e shërimit./ monitor

Postime të ngjashme

Protestat/ Thirrje: Mos dëmtoni ambulancat, lejoini të ofrojnë ndihmë për të lënduarit
Një person në gjendje të rëndë në bulevard, futet pa ndjenja në autoambulancë pas disa minutash i shtrirë në tokë
Plumbat e gomës: çfarë janë dhe sa të rrezikshme janë për shëndetin?
Dita e pestë e protestës, tre protestues mbërrijnë me lëndime në Spitalin e Traumës
FOTOLAJM/ Protestuesit goditen me plumba gome
Përleshja me policinë, një protestues mbetet i lënduar në kokë. Mjekët i japin ndihmën e parë
Protesta në Lezhë, lëndohen nga gurët një grua dhe një vajzë, dërgohen në spital
CNN: Prindërit po shtyjnë gjithnjë e më shumë vaksinimin e fëmijëve, trend po aq shqetësues sa refuzimi i vaksinave