Elena Beta
“Tirana Zbuluar” është nisma më e re e dy të rinjve të apasionuar pas fotografisë dhe turizmit e cila ka për qëllim të promovojë ato vende të bukura të Tiranës të cilat nuk janë gjërësisht të njohura nga banorët dhe jo vetëm.
Tepër të motivuar në punën e tyre, Rodrig Naska, student në klasën 12 në Indiana, ShBA dhe Bleona Duka, maturante e Kolegjit Turk Mehmet Akif, kanë arritur të mbledhin 400+ ndjekës në Instagram dhe 80+ postime me hashtagun #TiranaZbuluar, në një kohë të shkurtër. “Jemi përqendruar më së shumti në Instagram sepse është rrjeti social numër 1 për foto edhe për të rinjtë shqiptarë”, thotë për gazetën “Shëndet+” Bleona duke treguar plot dashuri çdo foto të shkrepur me aq mjeshtëri.
“Ne mbledhim foto të njerëzve në këto vende dhe i publikojmë. Në këtë mënyrë duam të arrijmë edhe që ata të cilët duan të provojnë përvoja të reja në Tirane t’a arrijnë këtë, në të njëjtën kohë duke stimuluar Tiranën si të tërë. Kemi patur reagime goxha pozitive deri më tani dhe një numër të konsiderueshëm të rinjsh që na kanë derguar fotot e tyre, të shkrepura në vende të bukura në Tiranë. Prandaj dhe mendojmë se një promovim i mëtejshëm i nismës tonë do ishte goxha efikas, vijon Naska duke folur më tej edhe për projektin në vazhdim “Guida 1 – Zbulo Tiranen”,
Ndërkohë, me të dhënat e mbledhura po hartojmë “Guida 1 – Zbulo Tiranën”, të cilën mendojmë ta shpërndajmë falas në një event hapës për “Tirana Zbuluar”.
Të gjithë personat e interesuar rreth bukurive ende të pazbuluara të Tiranës, mund të ndjekin fotot në linkun e mëposhtëm dhe pse jo të vizitojnë këto vende tejet interesante ndoshta pa e ditur se ekzistonin aq afër përditshmërisë së gjithsecilit. http://instagram.com/TiranaZbuluar.








