Shoqata “Together for life” dhe Instituti për Bashkëpunim dhe Zhvillim organizuan një seminar me gazetarët e çështjeve sociale dhe shëndetësisë për “Informimin mbi Fertilitetin dhe Qelizat Staminale”. Në këtë takim morën pjesë mjekë, përfaqësues të Institutit të Shëndetit Publik, drejtues e përfaqësues të mediave.
Mjekja obestetër gjinekologe Elide Tepelena shpjegoi para gazetarëve lidhur me situatën e infertilitetit. “10-15% e popullsisë është infertile, çka nënkupton se nëse për një vit rresht kryerjesh marrëdhënie seksuale çifti nuk realizon shtatzëni, atëherë ata mund të quhen fertilë”.
Mjekja Tepelena tha se mungesa e informacionit është problematike për shumë çifte. “Ka jo pak raste kur edhe vetë gjinekologu gabon, pasi nuk e çon mashkullin te andrologu. Kështu ndodh që gruaja kurohet për vite me radhë kur në të vërtetë fajin e ka bashkëshorti”, tha ajo.
Si shkak kryesor të infertilitetit sidomos tek femrat, mjekja Elide Tepelena, si dhe specialistja e ISHP-së Miranda Hajdini vlerësuan sidomos stresin dhe mënyrën e jetesës. “Fertiliteti mund të jetë i përkohshëm, por kthehet i përhershëm në rast se ai nuk trajtohet si duhet”, u shprehën dy mjeket.
Fertilizimi in Vitro ishte një temë tepër interesante për të pranishmit. “Duhet të kemi parasysh, – tha Tepelena, – se ka jo pak raste kur dy njerëz thjesht nuk përputhen pavarësisht se janë pjellorë. Në raste të tilla fatmirësisht shkenca ka përparuar dhe tashmë vepron përmes Fertilizimit in Vitro apo “bebeve në epruvetë”. Kështu në kushte laboratorike bashkohen veza me spermatozoidin dhe më pas vendosen tek nëna për të lindur fëmijën. “Kemi pasur raste kur nënat nuk kanë lindur dot për njëfarë periudhe. Është bërë lindja me Fertilizim in Vitro dhe më pas nënat kanë lindur fëmijë të tjerë pa pasur nevojën e ndërhyrjeve”, u shpreh mjekja. Pyetje pati edhe lidhur me mundësinë e përzgjedhjes së seksit të foshnjës, i cili aktualisht nuk lejohet me ligj.
Një tjetër çështje që u prek ishte edhe ajo e qelizave staminale. Sokol Dedja, administrator banke i qelizave staminale tha se pavarësisht rëndësisë, ende aktualisht edhe shumë mjekë kanë mungesë njohurish. Ruajtja e qelizave staminale, sidomos ato të kordonit kërthizor, dhe përdorimi i tyre në të ardhmen çon në kurimin e mbi 80 sëmundjeve të ndryshme. Sipas Dedjas edhe në Shqipëri që prej gati 3 vjetësh prindërit kanë filluar të jenë më të vetëdijshëm lidhur me rëndësinë e ruajtjes së qelizave staminale për kurimin në të ardhmen të fëmijës apo vetë atyre. Qelizat staminale mund të ruhen për 20-25 vjet në laboratorë, me një temperaturë minus 190 gradë dhe tërhiqen në momentin që fëmija ose prindi mund të shfaqë një sëmundje që ka nevojë për ndërhyrje. Sipas Pyetjes nëse trajtimi bëhet në Shqipëri, Dedja iu përgjigj se aktualisht Shqipëria nuk ka mjekë, por gjithsesi shtetet fqinje si Italia dhe Greqia kanë specialistët e duhur./Arlinda Gjypi


