Bisedoi: Esido Barkaj
Vështirësisë që po hasin farmacistët për të arritur sa më shumë klientelë, ka bërë që këta të fundit të anashkalojnë profesionalizmin e tyre dhe të mendojnë vetëm për të ardhurat që mund të fitojnë duke shitur sa më shumë barna.
Presidentja e Urdhrit të Farmacistit, Diana Toma, akuzon drejtpërdrejt Ministrinë e Shëndetësisë, e cila, sipas saj, nuk po vendos udhëzime të sakta mbi ushtrimin e profesionit të farmacistit. Sipas saj, fitimi i paktë që kanë farmacistët mbi shitjet e medikamenteve, nxit rritjen e abuzimeve nga ana e tyre.
Gjatë intervistës së dhënë për gazetën “Shëndet+”, Toma shton se veprimi për heqjen e 10% të tatimit mbi barnat nga ana e ministrisë duhet përgëzuar, por ky veprim rëndon të ardhurat e aktivitetit farmaceutik. Gjithashtu, kreu i Urdhrit të Farmacistëve kërkon të rivendoset ligji për ruajtjen e distancës mes farmacive, pasi do të përmirësonte ndjeshëm raportet mes tregut farmaceutik dhe pacientit.
Znj. Diana, a duhet zbatuar distanca mes farmacive?
Për një kohë të gjatë ka qenë në fuqi ligji që përcaktonte kriteret e hapjes së farmacive, ku një ndër to ishte dhe distanca mes tyre. Me ndryshimet që i janë bërë këtij ligji, ky kriter është hedhur poshtë. Pra, sipas ligjit të ri, farmacitë mund të hapen edhe ngjitur. Pra, mund të kesh dy subjekte farmaceutike pa distancë të evidentuar.
A e cenon heqja e këtij kriteri tregun e lirë?
Fakti që Urdhri i Farmacistit e ka kundërshtuar që në momentin që u propozua, tregon se parashikoheshin dëme të sistemit farmaceutik, dëme që patën kohë të verifikohen. Pra, që në momentin që u hodh si projektligj dhe deri në momentin që u miratua si i tillë, Ministria e Shëndetësisë pati mundësi për të evidentuar të gjitha anët negative. E theksoj se liberalizimi i këtij kriteri ka sjellë dëme të pariparueshme në tregun farmaceutik.
Sa është parashikuar fitimi i farmacive në bazë të shitjeve të medikamenteve? A ka shumë ankesa nga ana e farmacistëve që ky fitim është tepër i ulët?
Fatkeqësisht, Urdhri i Farmacistëve si përfaqësues i vetëm i të gjithë farmacistëve në vend, nuk është pyetur asnjëherë për këtë problem. Madje, me një ligj të miratuar, Urdhri i Farmacistit është hequr nga grupi i punës që përcakton marzhin e tregtimit të barnave. Në ligjin që përcakton mënyrën e këtij marzhi, kanë mbetur instancat shtetërore, duke përjashtuar disa grupe interesi.
Duke pasur një ndarje të tillë, detyrimisht edhe vlerësimet do të jenë subjektive, që nënkupton që do të jenë në favor të njërës palë dhe në disfavor të palës tjetër. Në këtë rast pala që penalizohet, është farmacisti. Komentohet shumë për 30% të tregtimit.
E para, në Shqipëri kemi të bëjmë me marzhe të diferencuara, që do të thotë që në treg ka barna që tregtohen me një marzh 10%, 15% dhe në raste të rralla me marzh 25%. Po të analizosh gamën e artikujve që ka farmacia dhe të bësh një ndarje të kategorive sipas marzhit përkatës, do të shikojnë që raporti mbizotërues është ai i kategorisë 10 deri në 20%. Ndërsa marzhi me 25% është tepër i ulët. Gjithashtu, ne ngatërrojmë marzhin e tregtimit me marzhin e fitimit. Marzhi i fitimit është i përfshirë në marzhin e tregtimit. Pra, marzhi i fitimit është ajo pjesë që i mbetet farmacistit pasi tërë shuma e aktivitetit të tij zhvishet nga detyrimet që kjo farmaci u ka të tretëve. Pra, fitimi i farmacistit nuk është më shumë se 5% nga shuma totale e medikamenteve që ka farmacia.
Shumë farmacistë japin barna pa recetën e mjekut? A janë marrë masa penalizuese për ata që shkelin rregullat?
Gjërat janë të lidhura zinxhir. Kur ne shikojmë diçka që nuk shkon në tregun farmaceutik, ajo normalisht e ka një zanafillë. Kur kundërshtuam kriteret për hapjen e farmacive, ishte për shkak të profesionalizmit që do të përballej pacienti. Fatkeqësisht, sot për farmacistin të qenët profesional nuk është përkthyer në burim të ardhurash për jetesën. Pra, për farmacistin, çdo pacient është një e ardhur për mbijetesën e tij, duke mos vënë në plan të parë profesionalizmin.
Nëse do të kishte vija të bardha (kritere) në të cilën aktiviteti i farmacisë duhet të ecte, atëherë do të kishin kushte të tjera në të cilat pacienti do të merrte shërbim profesionist. Këto nuk janë justifikime, por duke qenë dhe vetë farmaciste, i kuptoj shkaqet që kanë sjellë këto pasoja.
Shumë mjekë kanë farmacitë e tyre dhe nënkuptohet që pacientët e tyre i orientojnë në këto farmaci për të blerë barnat që u nevojiten. A është normale kjo?
Vetëm normalitet që nuk ka në këtë proces. Ky është një rast i pastër abuziviteti. Por në momentin kur farmacinë si një subjekt tregtar, sepse e tillë është shndërruar vitet e fundit, e ka një mjek dhe i detyron pacientët që të blejnë vetëm atje, për ne është e pafalshme.
Sapo është prezantuar lista e re e rimbursimeve, e cila është zgjeruar. Në këtë listë do të zbatohet edhe heqja e tvsh-së? Ç’ndikim ka për pacientët dhe për vetë farmacistët?
Së pari, duhet përgëzuar nisma për të zgjeruar listën e barnave të rimbursueshme, pasi kemi të bëjmë me një kujdes shëndetësor dhe me këtë shërbim duhet të mendojmë për të gjithë popullatën. Ky është një veprim në përputhje me vendet e zhvilluara për të mbuluar sa më shumë medikamente të rimbursueshme.
Por fenomen shqetësues që po hasin farmacitë, është heqja e tatimit 10%. Heqja e këtij tatimi duhet konsideruar si proces. Pasi farmacitë sot kanë një listë barnash me rimbursim ku pacientëve në shumicën e rasteve u duhet ofruar alternativa e parë, e cila mund të jetë dhe stok me çmimin e mëparshëm. Shteti ka marrë përsipër të rimbursojë vlerën e TVSH-së, po vlera e barit çfarë do të bëhet? Nga ana tjetër, kam pasur shumë teleonata nga kolegët e mi që kanë ngritur shqetësimin se në depot farmaceutike mungojnë alternativat e para. E përsëris që si nisma janë për t’u përgëzuar, por Ministria e Shëndetësisë duhet të kishte marrë masa për një korrespondim të futjes së barit në listë dhe të hedhjes së tij në treg.


