Tragjedia tek Spitali Amerikan, familjarët e viktimës : “Shkoi për t’u shëruar, e dogjën të gjallë”

Tragjedia tek Spitali Amerikan nuk mori vetëm 4 jetë njerëzish, por rrënoi shpirtërisht dhe la në dhimbje e lot familjarë e të afërm të viktimave.

Të mbytur në trishtim, ata përpiqen të gjejnë kurajo për të vazhduar jetën pa njerëzit e tyre të dashur, të cilët u larguan pa mundur të marrin lamtumirën e fundit ashtu siç e do zakoni.Spitali Amerikan_video

Familjarët e njërës prej viktimave nga masakra e ndodhur në Spitalin Amerikan kanë rrëfyer për “Shekullin” momentet e tmerrit që kanë kaluar nga gjithë kjo ngjarje e pazakontë.

“E përcollëm Hanifen, por pa e takuar sikur për të fundit herë. Mirë që na iku nga kjo botë  kaq shpejt, por të paktën t’ia kisha prekur pak ballin. Ishte e pamundur, ajo ishte djegur e  gjitha dhe ne nuk kishin kë të takonim teksa  e përcillnim për në banesë të fundit. Do t’ia  kisha bërë hallall nëse do të kishte ikur nga  kjo botë nga dializa, por iku në një mënyrë të  dhimbshme. Shkonte për t’u shëruar dhe atje e dogjën për së gjalli”, rrëfen nëna  e moshuar e 55-vjeçares Hanife Malit, e cila vdiq nga zjarri i vënë qëllimisht në Spitalin Amerikan.

“Jemi të shkatërruar. Nuk arritëm as ta shihnim njëherë për herë të fundit. Fëmijëve do t’u ngelet peng që nuk e panë edhe njëherë nënën e tyre. Se nuk është se vdiq nga asfiksia, por ne Hanifes nuk i gjetëm asgjë, ishte djegur e gjitha. Në atë spital e kishim dërguar që të shërohej ose të përmirësohej paksa nga dializa, por nuk ndodhi kështu. Hanifja aty vdiq duke u djegur e gjitha”, tregon bashkëshorti i Hanifes, z. Flamur Mali.

Ai thotë se nuk ka ndërmend të ndjekë ndonjë procedurë kundër Spitalit Amerikan, megjithatë bën thirrje që të merren masa mos të ndodhin më ngjarje të tilla tragjike.

“Spitali Amerikan  duhet të marrë masa të forta dhe  mos të lejojë të vdesin njerëzit që shkojnë  aty për t’u shëruar. Ai është një spital  që duhet të kishte siguri edhe ndaj zjarrit.  Nuk e kuptoj se si nuk ka pas asnjë masë që të shpëtonte ata njerëz. Të paktën të  marrin masa tani pas kësaj që ndodhi,  sepse ne na ndodhi kjo gjë dhe nuk kemi ç’të bëjmë tjetër”, shprehet z. Mali.

Vajza e Hanifes gjithashtu ka treguar tmerrin e kaluar ditën e tragjedisë, kur dhe ndërroi jetë nëna e saj.

20-vjeçarja thotë se punonjësit e spitalit nuk i tregonin asgjë për nënën e saj, ndërsa donin të dilnin në televizor vetëm për të hequr nga vetja e tyre përgjegjësinë për çfarë kishte ndodhur.

“Unë kërkoja mamin, spitali dhe policia talleshin”, tregon Laurela.

“Pyesja policët që ndodheshin aty jashtë, ata më ktheheshin me tallje. Më thoshin: ‘Hë se mirë do ta kesh mamin. Do ketë dalë nga aty dhe do të ketë ikur me këmbët e veta. Ik kërkoje andej se ka ikur më shpejt’. Nuk po përmbaja dot veten dhe, fillova të futesha me forcë në spital që të mësoja diçka se askush s’po na jepte përgjigje. Pyesja mjekët apo stafin e spitalit, nuk gjeja përgjigje. Edhe kur jepnin përgjigje, flisnin me ironi. Na sorollatnin gjithandej. Njëherë më thoshin shko e ke te 2-shi, njëherë tjetër më thoshin shko se e ke tek Spitali i Traumës. Pastaj më thoshin që doli dhe ka ikur. Nuk po i merrja vesh.

Nuk e di pse na sorollatën atë ditë, përderisa e dinin mirë kush kishte vdekur. Të na e thoshin dhe ne nuk vuanim në atë mënyrë. Donin të fshiheshin për të mos dalë keq ata të spitalit, por e vërteta do të dilte, donin apo s’donin ata”, rrëfen 22-vjeçarja.

 

Postime të ngjashme

Çfarë dihet për rastet e hantavirusit të lidhura me shpërthimin vdekjeprurës në anijet turistike
PCOS tani quhet PMOS. Çfarë duhet të dini rreth ndryshimit të emrit dhe çfarë do të thotë kjo për kujdesin
Sterilizimi, shtyhet seanca ndaj ish-ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqaj
Studimi i ISHP: Të rriten taksat për pijet me sheqer, të ulen për të shëndetshmet
Ngacmoi seksualisht pacienten 21-vjeçare, arrestohet kirurgu
Rimbursimi në mars, sëmundjet kardiovaskulare dhe diabeti përhapje në masë
Helmohen 56 studentëve të Akademisë së Sigurisë, reagon AKU
Alarm në Zvicër dhe Francë, identifikohen rastet e para me Hantavirus