Trauma, në pritje të përmbushjes së premtimeve. 300 pacientë në listë pritje për proteza

Denisa Canameti, shendeti.com.al 

Qeveria shqiptare ka investuar rreth 1 milion dollarë që protezat ortopedike  të ofrohen falas në shërbimin e ortopedisë në QSUT dhe Spitalin Rajonal të Durrësit.

Më 24 gusht, kryeministri Edi Rama promovoi këtë zhvillim të rëndësishëm në Spitalin e Traumës, duke u shprehur se pacientët nuk do të duhet të blejnë më një protezë 3000 euro, pasi atë do ta sigurojë shteti, falas.spitali-i-traumes1

Nisur nga skepticizmi i shprehur i pacientëve në faqen zyrtare të kryeministrit për këtë premtim, gazeta “Shëndet+” ishte sot, 16 ditë me vonë, në spitalin e Traumës, për të parë se si është gjendja e plotësimit të nevojave të pacientëve me proteza.

A është furnizuar spitali me proteza? Si dhe a plotësohen të gjitha nevojat e pacientëve me proteza falas?

Për të marrë përgjigjen e këtyre pyetjeve, kontaktuam disa mjekë, të cilët hezituan të japin përgjigje, duke kaluar përgjegjësinë te kolegët.

Kështu, Gjergj Çaushi, shef i shërbimit të ortopedisë në Spitalin e Traumës, ia kaloi përgjegjësinë drejtuesve të institucionit.

“Duhet të flisni me drejtoreshën. Unë pres çfarë të më sjellin. Drejtuesja e institucionit i di gjërat ka apo nuk ka. Pasi të vijnë materialet, do të filloj unë”, u shpreh Çaushi.

Burime brenda këtij spitali bëjnë me dije se spitali vazhdon të vuajë mungesën e protezave.

“Proteza nuk ka. Thonë që është çështje dokumentacioni. Shërbimi i ortopedi -traumatologjisë është pjesë e QSUT-së. Prandaj edhe pacientët përcillen nga një derë në një derë tjetër, duke kaluar përgjegjësitë. Ka shkuar në 300 numri i pacientëve në listë pritjeje. Askush nuk i blen më protezat, sepse presin që t’ua sjellin falas, dhe kanë të drejtë se ashtu iu kanë thënë”, shprehen burimet për “Shëndet+”.

E njëjta situatë mësohet se është edhe në Spitalin e Durrësit. Mjekët ortopedë thonë se ende nuk kanë ardhur protezat, për arsye që i dinë drejtuesit e institucionit.

Në prill të vitit 2015, gazeta “Shëndet+” publikoi faturën e një proteze të blerë jashtë spitalit, me vlerë 800 euro. E njëjta situatë vazhdoi për muaj me radhë dhe nuk pati asnjë reagim nga ana e institucioneve shëndetësore përgjegjëse. Ndërkohë, pacientët ankoheshin për çmimin e lartë dhe të papërballueshëm të operacionit.

Një vit më vonë, në prill të 2016-s për këtë çështje gazeta kontaktoi me drejtorin e Spitalit të Traumës, Gjovalin Bushin, i cili u shpreh se e njihte problematikën.

“Materialet ortopedike janë shumë të shtrenjta. Se ne mund t’i blejmë 100 proteza, dhe na shkon gjysma e buxhetit. Për herë të parë në 2015-n është tenderuar blerja e materialeve ortopedike. Duke pasur parasysh këtë problem të madh, Ministria e Shëndetësisë me Ministrinë e Financës kanë hyrë me një buxhet të veçantë”, tha ai për “Shëndet+”.

Sot, kur ky makth u duk se mori fund, në fakt vazhdon njësoj. Proteza nuk ka./ https://shendeti.com.al/

 

Postime të ngjashme

Plotësoi skedën e vdekjes së një 85-vjeçareje, doktoresha merret nën hetim/ Reagojnë mjekët në Mamurras
A infektohet gjaku?
5 ushqime të zakonshme që janë të rrezikshme nëse nuk gatuhen siç duhet
Siguria ushqimore, OBSH: Rreth 866 milionë njerëz sëmuren çdo vit nga ushqimi i kontaminuar
Çfarë ndodh me trupin tuaj nëse konsumoni çdo ditë një lugë vaj ulliri?
Kur është koha më e mirë për të marrë kolagjen? Ekspertët japin përgjigjen
10 ushqimet më hidratuese
Studimi: Vaksina kundër kancerit mund të zhdukë plotësisht tumoret