Përgatiti për shendeti.com.al: Gerald Kola, mjek familjeje
Vera tashmë ka arritur, kështu që më lejoni t’ju këshilloj përdorimin e tri produkteve natyrore, të rekomanduara nga shumë mjekë holistikë për:
- Mbrojtjen nga dielli;
- Përmirësimin e nxirjes së lëkurës;
- Trajtimin për djegien nga dielli (si dhe djegie të çfarëdo lloji).
Bëhet fjalë për një bimë të veçantë, si dhe dy tretësirave vajore, produkte të dy bimëve të veçanta. Vajrat prodhohen thjesht duke lënë për njëfarë kohe lulet të zhytura në vaj. Zakonisht përdoret vaji i bajameve ose vaji i ullirit, por mund të përdoren edhe vajra të tjera bimore, të tilla si vaji i susamit apo i lirit.
1) Vaji i lules së makthit (Helichrysum)
Vetitë: veprim mbrojtës ndaj diellit, nxirje lëkure (abronxaturë) dhe anti-inflamator.
Lulja e makthit është një bimë karakteristike aromatike e zonës mesdhetare. Gjatë verës, lulet e saj të verdha lëshojnë një aromë të këndshme jamballi të përzier me erë të lehtë kamomili. Njihet efekti i saj mbrojtës për lëkurën dhe vaji i prodhuar nga majat e lulëzuara, përdoret pikërisht për këtë qëllim, për t’u mbrojtur nga rrezet ultravjollcë.
Për më tepër, nëse vaji aplikohet për lyerje para ekspozimit në diell, përmirëson nxirjen në mënyrë të dukshme. Gjithashtu, nëse pini çaj me lule makthi (sidomos të hidhur) rrisni mjaftueshëm cilësinë e nxirjes.
Vaji i lules së makthit është gjithashtu shumë i mirë për trajtimin e çrregullimeve të lëkurës, siç është dermatiti, ekzema dhe psoriasi.
Ju mund të përdorni të sigurtë vaj lule makthi në vend të kremrave të zakonshëm kundër diellit, mjafton të lyeni lëkurën 10-15 minuta para ekspozimit në diell.
Mos harroni se këto gjëra nuk bëjnë mrekullira. Kështu, është gjithmonë e këshillueshme të shmangni ekspozimin gjatë orëve të pikut (midis orës 11:00 dhe 15:00).
Këtë vaj mund ta bleni në farmacitë bimore ose në internet.
2) Vaj i lulebasanit (Hypericum, kantarioni)
Vetitë: anti-inflamator dhe cikatrizues (shëron shpejt).
Lulebasani është një bimë shumë popullore në mjekësinë bimore. Vaji prodhohet nga lulet e bimës, mund të përdoret për të trajtuar djegie të ndryshme, siç janë djegiet nga dielli, djegiet nga soba, trajton dhimbjet reumatizmale, artritin, dhimbjet e shpinës, dhimbjet e qafës së mitrës dhe në përgjithësi të gjitha dhimbjet e artikulacioneve dhe të muskujve.
Kujdes: vaji i lulebasanit nuk duhet të përdoret asnjëherë para ekspozimit në diell pasi ai është “fotosensibilizues”, ju bën më të ndjeshëm ndaj rrezeve ultravjollcë, duke rritur kështu rrezikun e djegies nga dielli.
Për këtë arsye vaji i lulebasanit duhet përdorur vetëm si diçka “pas diellit” dhe në rast se e përdorni gjatë ditës, atëherë është mirë të mbuloni zonën e trajtuar.
Mund ta blini në farmaci bimore ose në internet.
3) Aloe Vera
Vetitë: antibakterial, anti-inflamator dhe cikatrizues (shëron shpejt).
Përdoret kundër djegies nga dielli, në rastet e eritemave diellore, në djegiet e ndryshme, në plagë, në kafshimet e insekteve apo të kandilit të detit, në pezmatimin e lëkurës, etj. Në të gjitha këto Aloe Vera na ndihmon jashtë mase.
Nuk ka nevojë të blini kremra ose produkte komerciale, mjafton vetëm të blini një bimë nga një dyqan lulesh dhe ta kultivoni në shtëpi për ta përdorur në rast nevoje. Bima është shumë e lehtë për t’u rritur pasi ajo kërkon pak ujë dhe nuk ka nevojë për krasitje. Përveç kësaj, bima me kalimin e kohës do të çelë shumë filiza, të cilët mund të rriten si bimë më vete. Me pak fjalë, ju do të keni një farmaci të vazhdueshme në shtëpi!
Si përdoret?
Shumë e thjeshtë. Kur keni nevojë për të, mjafton të prisni një degë të vogël duke përdorur një thikë ose gërshërë (para përdorimit duhet ta keni sterilizuar në flakë për të parandaluar infeksionet). Është mirë që fillimisht degën ta lini të kullojë lëngun që do të nxjerrë pas prerjes për rreth 10 minuta. Ky lëng është laksativ dhe nëse konsumohet mund të shkaktojë diarre.
Pasi të keni prerë gjembat, duhet ta hapni gjethen me dorë dhe të aplikoni xhelin që gjendet brenda saj, në zonën që doni të trajtoni. Përmirësimi do të jetë pothuajse i menjëhershëm, mjafton vetëm ta provoni që ta besoni.
Si të ushqeheni kundër djegies nga dielli!
Nuk rekomandohet të konsumohen drithëra që përmbajnë gluten para ekspozimit në diell, pasi ato do të rrisin rrezikun e zhvillimit të djegies nga dielli.





