Tiranë 9-11 Nëntor 2016: Projekti 5C Cine – Caravan: Culture – City – Cinema, një program kulturor lëvizës për të rinj, nga Adriapol në bashkëpunim me partnerët Altcine (Greqia), Balkan Cultural Institute (Rumani) dhe Balkan Cultural Centre (Kroacia).
Ky projekt nisi në Athinë, kaloi në Split, Cetatë dhe mbërriti në fazën e tij përfundimtare për tre ditë në Tiranë. Pjesëmarrësit e projektit mbërritën në Shqipëri nga Britania e Madhe, Serbia, Rumania, Bullgaria dhe partnerë nga Kroacia e Greqia.
Gjatë këtyre ditëve të ftuarit zhvilluan një sërë aktivitetesh.
Ditën e mërkurë, më datë 9 nëntor u mundësua një vizitë pranë Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit, ku pjesëmarrësit u njohën me ambientet e arkivit dhe me punën e zhvilluar në këtë institucion.
Vizita u drejtua nga znj. Eriona Vyshka, staf i AQSHF dhe në kinemanë e qendrës u shfaq për vizitorët Newsreel/Kinozhurnal Nr. 9 (1956) në 35 mm.
Më pas vizita u pasurua nga prezantimi i “Projektit i Kinemasë Shqiptare” i cili u krye në një nga sallat e AQSHF nga Thomas Logoreci & Iris Elezi, që theksuan rëndësinë dhe nevojën e këtij projekti për të ardhmen e kinematografinë shqiptare. Lydia Papadimitriou, profesore e shkencave filmike, ishte gjithashtu e pranishme në aktivitet.
Të enjten në datë 10 nëntor kritikët ndoqën aktivitetet e TIFF pranë Tulla – Culture Center, një përzgjedhje e Balkan Shorts, që është e kuruar nga AltcineAction! 2016 Film Festival.
Në vijim u zhvillua në ambientet e sallës kryesore të Godinës së Inovacionit një takim me të rinj të interesuar dhe gazetarë kulturorë. Tema e këtij aktiviteti ishte “Inovacioni dhe kinemtagrafia”. Kritikët e rinj të projektit “The 5C project” u përballën me pyetje të shumta nga të rinj të interesuar, debatuan dhe u krahasuan me problematikat ose avantazhet që ofron territori shqiptar apo rajoni që të rinjtë shqiptarë të pranishëm shtruan për diskutim.
Në ditën e tretë dhe të fundit të projektit në datë 11 nëntor u zhvillua nje vizitë në ambientet e Akademisë së Filmit dhe Multimedia Marubi. Takimi me z. Kujtim Çashku, rektorin e këtij universiteti dhe me nxënës të vitit të parë, la mbresa të veçanta në memorien e të ftuarve të cilët u njohën me punën, ambientet e studimit. Gjatë kësaj vizite ndoqën shfaqjen e filmit “Kapsula”, një prodhim i nxënësve të Akademisë së Filmit dhe Multimedia Marubi.
Pas këtij aktiviteti u zhvillua seminari i drejtuar nga Thomas Logoreci mbi historikun dhe interpretimin e Kinematografisë Shqiptare.
Në mbrëmje kritikët dorëzuan çmimet: “Best European Feature Film” dhe “Best European Short Film” në ceremoninë e ndarjes së çmimeve të “Tirana International Film Festival 2016”.











