Albana Kenga, kirurge vaskulare pranë Qendrës Spitalore Universitare ‘Nënë Tereza’
Manifestimet klinike të trombozave të venave të thella variojnë nga mungesa e plotë e simptomave deri në shenja dhe simptoma të qarta të sëmundjes, siç janë: edema (ënjtja e anesise), dhimbja (kryesisht e pulpës), skuqje, temperaturë lokale, nxirje e anesise (e shoqëruar me një ënjtje të theksuar të saj).
Mos humbisni: Trombozat e venave të thella, shkaqet dhe shenjat klinike
Ndërlikimet?
Ndërlikim i hershëm, i shpeshtë dhe më seriozi është trombembolia pulmonare (shkëputja e mpiksjes së gjakut nga venat e anesive dhe bllokimi i një ose më shumë degëve të arterieve të mushkërisë nga ajo), duke dëmtuar kështu mushkërinë. Në varësi të lokalizimit dhe madhësisë së bllokimit të enëve të mushkërisë, pasojat janë nga të lehta deri në vdekjeprurëse. Si pasojë e këtij komplikacioni vihet re një vdekshmëri deri në 12% të pacientëve të shtruar në spitale. Siç e theksuam edhe më lart, rëndësia e kësaj sëmundje qëndron në faktin se në shumicën e rasteve mund të parandalohet me trajtimin e përshtatshëm.
Një tjetër ndërlikim, më i vonshëm i kësaj sëmundje, është dhe sindromi post trombotik që nënkupton një tërësi manifestimesh anatomo-klinike në të sëmurët që kanë vuajtur për një kohë të gjatë nga tromboza e venave të thella dhe nuk është shëruar plotësisht ose aspak, duke i shkaktuar vuajte të gjatë këmbës nga qëndrimi i gjakut në të, pa pasur mundësi për t’u ngjitur drejt zemrës. Si pasojë e kësaj, mund të kemi shfaqjen e variceve dytësore kompensuese, dhimbje dhe ënjtje të anesise përkatëse, ndryshime të lëkurës deri në shfaqjen e plagëve të kërcirit.
Diagnostikimi?
Plotësimi i simptomave dhe shenjave që ka pacienti me ekzaminimin imazherik të zgjedhur, siç është eko doppler e venave të thella të anesise së interesuar, e cila rezulton me mbyllje të venës apo venave përkatëse, vendos diagnozën./ Shendeti.com.al


