Përshtati në shqip për “Shendeti.com.al”: Blertina Koka
9 në 10 njerëz në planet thithin ajër të ndotur, bën me dije Organizata Botërore e Shëndetësisë. 92% e popullsisë jetojnë në vende ku ajri i ndotur i kalon limitet e vendosura nga OBSH, duke rritur kështu rrezikun për zhvillim të kancerit të mushkërisë, sëmundjeve të zemrës dhe goditjeve në tru.
Rreth 3 milionë vdekje çdo vit lidhen me ndotjen e ajrit në ambient të hapur. Nëse shtohet edhe ajri i ndotur në ambient të mbyllur, si pirja e duhanit apo gazi për gatim, atëherë ndotja e ajrit lidhet me 1 në çdo 9 vdekje në të gjithë botën, sipas OBSH-ës.
Të dhënat e të gjitha shteteve tregojnë se Turkmenistani ka shkallën më të lartë të vdekjeve, që lidhen me ajrin e ndotur në natyrë.
Në pesëshen e parë renditen gjithashtu Taxhikistani, Afganistani, Uzbekistani dhe Egjipti.
Modeli është bazuar në të dhëna të marra nga masat satelitore, modelet e transportit ajror dhe monitoruesit e stacioneve tokësor për më shumë se 3000 lokacione, si rurale ashtu edhe urbane. Ai është zhvilluar nga OBSH në bashkëpunim me Universitetin Bath, në Britani.
Rreth 3 milionë vdekje në vit lidhen me ekspozimin ndaj ajrit të ndotur në ambient të hapur. Ajri i ndotur në ambient të mbyllur mund të jetë gjithashtu po aq vdekjeprurës. Në vitin 2012, gati 6.5 milionë vdekje (11.6 vdekje në të gjithë botën) u shkaktuan nga ajri i ndotur në ambientet e hapura dhe të mbyllura.
Gati 90% e vdekjeve të lidhura me ajrin e ndotur kanë ndodhur në shtetet me të ardhura të ulëta ose të mesme.
Ajri i ndotur mund të shkaktojë sëmundje kardiovaskulare, goditje në tru, sëmundje pulmonare obstruktive kronike dhe kancer të mushkërisë. Ai rrit gjithashtu rrezikun për infeksione akute të rrugëve të frymëmarrjes.
Mënyrat e vetme për të reduktuar ajrin e ndotur, sipas OBSH-ës, janë transporti i qëndrueshëm, menaxhimi i mbetjeve urbane dhe energjia e rinovueshme. Të dhënat e saj më të fundit përfaqësojnë edhe studimin më të detajuar të realizuar deri tani.
Burimi: BBC / https://shendeti.com.al/


