Rreth dy të tretat e tumoreve tek të rriturit ndodhin për shkak të një mutacioni rastësor të ADN-së, me një kontribut minimal ose edhe asnjë ndikim nga stili i
jetës apo trashëgimia. Kjo gjë bëhet e ditur nga një studim i Universitetit “Johns Hopkins”, të publikuar në revistën “Shkencë”. Ky studim ka identifikuar 22 lloje kanceresh në të cilat “rastësia” – e përcaktuar si një riprodhim rastësor i qelizave të disa indeve të afta për të nxitur sëmundjen – ka një ndikim parësor dhe 9 në të cilët ndikojnë faktor të tjerë.
“Të gjithë tumoret shkaktohen nga një kombinim i rastësisë, ambientit dhe trashëgimisë, – shpjegon Bert Volgenshtajn, një nga autorët. -Ne kemi krijuar një model matematikor që mund të përllogarisë çdo kontribut”.
Modeli bazohet në një shumëfishim të ADN-së në qelizat staminale të indeve të ndryshme, që mund t’u japë jetë mutacioneve të rastësishme që çojnë në kancer, duke u përqendruar në 31 inde të ndryshme, nga mushkëritë deri tek zorra e trashë.
Në 22 raste, që përfshijnë nga kanceri i duodenit në tumore të ndryshme të zonës kokë-qafë, mutacionet e rastësishme kanë një peshë mbizotëruese, ndërsa në 9 të tjerë (mes të cilëve mushkëritë, mëlçia dhe tiroidet), vendosin faktorët ambientalë dhe trashëgimia, edhe pse gjithnjë të kombinuar me “rastësinë”.
“Rastet e rralla të duhanpirësve që nuk zhvillojnë tumore, lidhen shpesh me “gjenet e mira”, – thotë Volgenshtajn, – por e vërteta është që në fakt, thjesht janë me fat. Ndryshimet në stilin e jetës mund të kenë ndikim të madh në një numër tumoresh, por sipas rezultateve tona, nuk kanë ndikim tek të tjerë tumore. Në këtë rast, mënyra më e mirë për t’i luftuar, është diagnostikimi i parakohshëm, kur ende mund të realizohet kirurgjia”./ ANSA


