Turqia, mbështetje sistemit shëndetësor shqiptar

beqaj-akdag

Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, priti të enjten në një takim zyrtar homologun e tij turk, prof. dr. Recep Akdağ dhe delegacionin e nivelit të lartë që e shoqëron, në kuadër të vizitës disaditore të punës në vendin tonë. Ekspertë të shëndetësisë turke do të bëjnë një vlerësim, por edhe do të japin këshillat e tyre për sistemin shëndetësor në vendin tonë. Kjo ka qenë kërkesa e bërë nga kreu i shëndetësisë shqiptare, Beqaj ndaj homologut të tij turk prof. Akdağ, në takimin e parë në kuadër të vizitës së tij në Shqipëri.

Pas takimit mes delegacioneve, Beqaj dhe Akdağ kanë mbajtur një konferencë të përbashkët për media, ku Beqaj foli edhe për eksperiencat edhe trajnimet që ekipet mjekësore shqiptare do të mund të realizojnë në spitalet turke.

“Kërkuam të forcojmë dhe të zgjerojmë bashkëpunimin në fushën e barnave, të farmaceutikës, mbështetje për reformën që po bëjmë në Urgjencën Mjekësore, si dhe në përmirësimin e kapaciteteve tona profesionale, njerëzore në shëndetësi, qoftë me specializime disa-mujore apo vjetore të mjekëve tanë në Turqi, apo qoftë me prezencën disamujore të specialistëve mjekë turq, në shërbimet tona spitalore”, pohoi Beqaj, ndërsa nuk ka harroi të falënderojë qeverinë dhe shtetin turk për ndihmën që jep çdo vit për kurimin dhe trajtimin e 100 pacientëve shqiptarë.

“Dy vendet tona kanë një marrëveshje prej disa vitesh bashkëpunimi në fushën e shëndetësisë. Prej kësaj marrëveshjeje, çdo vit janë rreth 100 qytetarë shqiptarë si pacientë që përfitojnë trajtim shëndetësor falas në spitalet e Turqisë. Faleminderit qeverisë turke dhe shtetit turk! Unë besoj se në gjithë këto vite shumë bashkëqytetarë tanë, kanë përfituar edhe në mënyrë personale drejtpërdrejtë nga sistemi shëndetësor turk, nga shërbimet e kualifikuara që ofrohen atje,” nënvizoi Ministri Beqaj.

Ministri i Shëndetësisë së Turqisë foli për eksperiencën e vendit të tij në realizimin e reformës në shëndetësi, ku në qendër të kësaj reforme ka qenë njeriu, ndërkohë që duhet mbështetja e qeverisë, mbështetja financiare, por edhe ajo e qytetarëve. “Ne krijuam një sistem shëndetësor të fokusuar tek njeriu, tek qytetari. Unë jam i bindur që edhe Shqipëria do ta realizojë një sistem të tillë shëndetësor të fokusuar te njeriu, te qytetari”, u shpreh Prof. Dr. Akdağ.

Ai siguroi se “qeveria turke është e gatshme, që një ekip turk të qëndrojë për një kohë akoma më të gjatë Shqipëri dhe të ofrojë përvojën e tij”. Nga ana tjetër, kreu i delegacionit turk nënvizoi se në reformën e ndërmarrë në shëndetësi duhet të ketë mbështetje nga qeveria, mbështetje e cila deri më tani është ofruar maksimalisht.

Postime të ngjashme

Shqipëria vijon të shuhet, lindjet ranë me 10.5% në T3, shtesë pozitive vetëm Tirana e Durrësi
Shtatë fëmijë të Kopshtit nr. 10 në Vlorë përfundojnë në spital, dyshohet për helmim nga ushqimi
Produktet e pasigurta në treg, alarmi vjen nga Belgjika; kontrollet në Shqipëri ranë me 33% në 2025
Trajtimi me medikamentet GLP-1 RA, mjekja zbulon gabimet më të zakonshme që bëjnë pacientët
Buxheti 2027/ Spahiu: 117.8 miliardë lekë për shëndetësinë dhe mirëqenien sociale
Pagesat nga xhepi për shëndetësinë, Raporti i KE: Qytetarët paguajnë tri herë më shumë se mesatarja e BE-së
Mjekja zbulon dietat që janë efektive për rënien nga pesha
Përtej vitaminës D: Si ndikon drita e diellit në metabolizëm dhe sheqerin në gjak