Kryefaqja Box 2 Ulcera, dieta ushqimore për dhimbjet e stomakut

Ulcera, dieta ushqimore për dhimbjet e stomakut

0
Shpërndaje
Dr. Bardhyl Popa duke folur për gazetën Shëndet +

Denisa Canameti, gazeta Shëndet + dhe Shëndeti Online

Ulcerat janë një patologji e shpeshtë. Është e rëndësishme të theksohet se disa njerëz janë të keqkuptuar me këtë diagnozë. Nuk do të thotë që edhe pse jeni diagnostikuar njëherë me ulcerë, do ta keni atë gjithë jetën. Është gjithashtu e rëndësishme të theksohet që në ditët e sotme ulcerat janë totalisht të kurueshme. Mjeku specialist Bardhyl Popa, gastroenterolog-hepatolog endoskopist, shpjegon për lexuesin e gazetës “Shëndet+” çfarë është ulcera, çfarë e shkakton, format e trajtimit si dhe dietat ushqimore, ku këto të fundit kanë një rëndësi shumë të madhe (veçanërisht në rastin e kësaj sëmundje).

ulcera peptikeDoktor, çfarë është ulcera?

Ulcera është një lezion i mukozës/cipës gastrike (stomakut). Ky lezion shfaqet atëherë kur sekrecionet gastrike që përmbajnë acid klorhidrik dhe një enzimë tjetër që quhet pepsinë, irritojnë mukozën e stomakut duke e gërryer atë deri në shfaqjen e kraterit ulceroz. Ulcera peptike që shfaqet në mukozën e stomakut quhet ulcer gastrike. Ulcera gastrike prek më shumë meshkujt 20-30% sesa femrat 10-20%

Cilat janë shkaqet?

Shkaqet kryesore të sëmundjes ulceroze janë dy: infektimi nga bakteri helikobakter-pylori dhe përdorimi apo abuzimi me barnat antiinflamatore josteroidiene (AIJS), si përshembull aspirina. Megjithëse një pjesë e madhe e popullsisë është e infektuar nga ky bakteri, ulcera nuk shfaqet tek të gjithë.

Ndër shkaqet e tjera që mund të shkaktojnë ose jo ulcerë, mund të përmendim duhanin, alkoolin, stresin psikologjik apo fizik pas një traume, ndërhyrje apo aksidenti, por edhe antecedentet personale apo familjare për sëmundje ulceroze etj.

Cilat janë simptomat?

Simptomat e ulcerës janë të ndryshme, por ulcera mund edhe të mos paraqesë asnjë simptomë (ulcera memece).

Ndër simptomat kryesore mund të përmendim dhimbjen, që është në formë djegie ose shtrëngimi, të përzjerat dhe të vjellat sidomos pas ushqimit, mungesa e oreksit, fryrjet e barkut ose jashtëqitja me ngjyrë të zezë në rastin e një ulcere hemorragjike.

Simptomat e ulcerës gastrike dhe duodenale janë të ngjashme, me përjashtim të periudhës së dhimbjes. Dhimbja e ulcerës duodenale shfaqet disa orë pas ushqimit (kur stomaku është bosh) dhe përmirësohet pas ngrënies. Dhimbja mund ta zgjojë pacientin në mes të natës. Ndërsa dhimbja e ulcerës gastrike shfaqet pothuajse menjëherë pas ushqimit (kur stomaku është plot).

Diagnostikimi i ulcerës

Ekzaminimi radiologjik dhe endoskopik (me anë të kamerës) që është dhe ekzaminimi më i mirë për diagnostikimin e ulcerës dhe natyrën e tij duke bërë të mundur edhe marrjen e materialit gastrik (biopsisë) për të parë nëse kemi të bëjmë me një lezion beninj apo malinj. Është shumë e rëndësishme natyra beninje apo malinje e lezionit ulceroz përpara fillimit të terapisë, sepse terapia mund të fshehë simptomat e ulcerës malinje dhe mosdiagnostikimi në kohë ka pasoja të rënda për jetën e pacientit.

Dr. Bardhyl Popa duke folur për gazetën Shëndet +
Dr. Bardhyl Popa duke folur për gazetën Shëndet +

Trajtimi

Qëllimi i trajtimit është që të ndalojë dhimbjen dhe të parandalojë një komplikacion të mundshëm, si për shembull hemorragjia apo perforacioni.

Nëse ulcera shfaqet nga helikobakter pylori, luftohet me antibiotikë dhe barna të tjera për uljen e aciditetit.

Nëse shkaktohet nga përdorimi i AIJS, rekomandohet ndërprerja e këtyre barnave.

Ndryshimi i stilit të jetës, si: lënia e duhanit, alkoolit, evitimi i stresit mund të ndihmojnë në shërimin më të shpejtë të ulcerës.

DIETA USHQIMORE

Ushqime të rekomandueshme për të sëmurët me ulcer janë:

  • Qumështi, kremrat, orizi me qumësht, djathë lope pa kripë, gjizë.
  • Vezë gjysmë të ziera, e bardha e vezës e rrahur, puding
  • Bukë e bardhë jo e freskët 150g/ditë (2-3 feta buke)
  • Mish viçi, pule, peshk (vetëm të ziera ose të pjekura mbas zierjes)
  • Supë me makarona e oriz
  • Lakra, lulelakra, karrota të zjera
  • Patate pure ose të ziera
  • Domate gjysmë të bëra
  • Fruta të pjekura pa fara dhe pa lëkurë si mollë, dardha, pjeshkë, banane
  • Biskotat, pandispanja, qumësht Panda
  • Gjalp, margarinë, vaj, krem pastiçerie
  • Çaj mali, kamomili
  • Duhet ngrënë pak dhe shpesh me porcione të vogla dhe ndërmjet vakteve kryesore. Duhet respektuar orari i vakteve kryesore.
  • Duhet evituar pirja e lëngjeve me gaz, si: ujë me gaz, kola etj. Ushqime jo shumë të kripura, por as edhe pa kripë fare.
  • Duhen evituar gjellët dhe pijet shumë të ftohta apo shumë të ngrohta.Nuk rekomandohen:
  • Alkooli, (raki, verë, birrë, konjak, uiski etj) duhan, kafe, kakao, çaji kinez.
  • Fasulet, bizelet, bishtajat (bathët), mishi i derrit, kosi, dhalla, djathërat e fermentuar
  • Ushqimet e skuqura, të pjekura, të konservuara (sardelet, mishi i konservuar, të tymosurat, vezët e peshkut, kërpudhat) kondimentet, pikantet (salca, majonezë, spec djegës, piper, erëza, mustardë, turshi, gogozhare), hudhrat, qepët, preshi, frutat vajore (arra, bajame, kikirika, lajthi), buka e zezë.
  • Të ëmblat e koncentruara: çokollatë, mjaltë, reçel, marmalatë.
  • Frutat citrike: (portokalli, limoni, mandarina, molla e thartë)
  • Medikamente si antiinflamatoret josteroidiene si: aspirinë, ibuprofen, diclofenac, antiinflamatorët steroidiene si kortizonikët, antikoagulantët.

LËR NJË MESAZH

Please enter your comment!
Please enter your name here