Ulet numri i viktimave në Itali. Vazhdon bilanci negativ në Britani e SHBA

Teksa në Itali duket se ka kaluar piku i pandemisë COVID-19, situata vazhdon të jetë dramatike në Spanjë, Britani dhe Francë. Ndërkohë SHBA regjistron 2000 viktima, numri më i madh i të vdekurve në një ditë, që nga shpërthimi i pandemisë në të gjithë globin

Në Itali janë regjistruar 542 viktima gjatë ditës së djeshme, teksa është rritur numri i të infektuarve në krahasim me ditën e martë. Tashmë në vendin fqinj numërohen 95.262 të sëmurë me korona-virus, me 17.669 persona që kanë humbur jetën.

Lajm pozitiv mbetet rënia e numrit të pacientëve në terapi intensive, teksa autoritetet në Lombardi kanë bërë të ditur së kufizimet në lëvizjen e qytetarëve po japin më në fund rezultatet e pritura.

Ndërkohë, vazhdon të rritet numri i viktimave në Spanjë, ku ditën e mërkurë u regjistruan 757 viktima, duke e çuar numrin total të personave që kanë humbur jetën prej COVID-19 në 14.555.

Numri i të infektuarve është 146 mijë, me një rritje konstante ditore prej 4,3%.

Situata në Britaninë e Madhe nuk duket aspak pozitive, ku është vendosur sërish një rekord negativ në 24 orët e fundit me 938 persona që kanë humbur jetën nga coronavirusi, duke e çuar në 7097 totalin e viktimave në Mbretërinë e Bashkuar.

Mesatarja ditore e të infektuarve në Britani është rreth 5.500 persona në 24 orë, teksa sipas Ministrisë së Shëndetësisë, java e ardhshme përllogaritet të arrijë edhe pikun e pandemisë.

Në SHBA, në 24 orët e fundit kanë humbur jetën rreth 2000 persona. Bëhet fjalë për bilancin ditor më të rëndë në botë që nga shpërthimi i kësaj pandemie.

Numri total i viktimave ka shkuar në 12.722. Nju Jorku vazhdon të përjetojë dramën më të madhe teksa autoritetet nuk po ia dalin të menaxhojnë numrin e madh të viktimave dhe po përdoren kamionë frigoriferikë për të ruajtur përkohësisht trupat e tyre.

Postime të ngjashme

Check up-i në shtet/ Operatori i Sterilizimit shpall tender 20 mln euro për blerje kitesh dhe reagentësh
Cilat shenja tregojnë mungesë pushimi dhe gjumi?
Projektligji i ri për PAK: parashikohet rritja e aksesueshmërisë, por si do garantohet zbatimi?
U helmuan 139 persona në Fushë-Arrëz, ISHP konstaton ndotje në sistemin e ujit të pijshëm
Konsumi për shëndetësinë, vetëm 40% e BE-së; gjysmën e faturës e paguajnë familjet, rekord në Europë
Studimi i fundit ngre alarmin: Të rinjtë me obezitet përballen me rrezik më të lartë për vdekje të parakohshme
Emërohet ministrja e re e Shëndetësisë (EMRI)
Vapa e vjeshtës favorizon virozat, mjekët: Më agresive se vitin e kaluar, po prek moshat në punë