Ushqimi renditet nga ekspertët e mjekësisë si një ndër armiqtë më të rrezikshëm që po kërcënon shëndetin e shqiptarëve. Fakt ky që gjatë viteve të fundit ka marrë përmasa shqetësuese edhe në vendin tonë, pasi numri i pacientëve të prekur nga sëmundjet kronike dhe lloje të ndryshme kanceresh ka pësuar rritje të frikshme.
Duke vlerësuar efektet e kequshqyerjes, specialistët në departamentin e sëmundjeve kronike në Institutin e Shëndetit Publik bëjnë me dije se ky faktor po mbart rreziqe të mëdha sidomos tek të rinjtë, të cilët nëse nuk bëjnë kujdes në një të ardhme të afërt do të bien pre e komplikacioneve të shumta shëndetësore.
Drejtori i departamentit të sëmundjeve kronike në ISHP, Alban Ylli, tregon se ushqimet hiperkalorike, disbalanca mes elementeve ushqimore, si dhe mungesa e vitaminave kanë bërë që rritja e sëmundjeve në vendin tonë të marrë përmasa alarmuese, duke ulur së tepërmi edhe treguesin moshë.
Kequshqyerja e kombinuar me mungesën e aktiviteteve fizike duke shtuar nivelin e sëmundshmërisë kanë çuar edhe në rritjen e vdekshmërisë së shkaktuar nga këto sëmundje. “Ushqimet janë një përbërës shumë i rëndësishëm për të ndikuar tek sëmundjet kronike. Më shumë kalori seç duhet janë një element për të ndikuar tek sëmundjet kronike. Më shumë kalori seç duhet janë problem për sëmundjet kronike pasi rrisin obezitetin.
Është fakt i provuar që për sëmundjet e zemrës e për lloje të ndryshme të sëmundjeve kancerogjene, qoftë obeziteti, qoftë mbipesha, rrisin riskun e përhapjes së tyre. Një element i dytë ka të bëjë me balancën makrobiotike mes ushqimeve që marrim. Sheqernat, yndyrat, proteinat, fibrat duhet të jenë në balanca të caktuara. Është e provuar se kanceri i kolonit shtohet nga disbalanca e fibrave me yndyrat e me proteinat”, vë në dukje Alban Ylli.
Një tjetër problematikë e konstatuar nga ky departament, është edhe ndotja e ushqimeve nëpërmjet kimikateve që u hidhen bimëve gjatë spërkatjes së bimëve apo dhe të arave, duke ndihmuar rritjen artificiale të produkteve që konsumojnë në jetën e përditshme. E disa nga këto sipas Yllit janë të njohura për shkencërisht për dëmin që shkaktojnë në organizëm.
“Ndotja e ushqimeve me agjentë të natyrës biologjike ose edhe kimike ka efekte të shumta negative. Disa agjentë me natyrë biologjike mund të shkaktojë kancer. Aflatoksinat shkaktojnë kancer të mushkërisë. Ne i marrim nëpërmjet ushqimeve kimikatet. Ato mund të jenë të ndotura gjatë transportit, por sidomos gjatë prodhimit të tyre”, shton Ylli.
Ndaj mjekët këshillojnë që të orientohemi drejt një ushqyerje të shëndetshme që konsiston në konsumin e një larmie të madhe ushqimesh përmbajtja e të cilave duhet të jetë e orientuar drejt perimeve, zarzavateve dhe frutave.
Kur duhet të shqetësoheni
Kequshqyerja është burim i mbipeshës dhe obezitetit, të cilat çojnë në risk të lartë për sëmundje kronike veçanërisht atyre kardiovaskulare, sëmundjeve kancerogjene e llojeve të tjera që ndikojnë në shtimin e nivelit të vdekshmërisë. Për të treguar rreziqet që mund të rrjedhin nga kequshqyerja mjekët mund të përdorin matjen e perimetrit të belit, si një matje të dhjamosjes në bark.
Burrat me perimetër më tepër se 102 cm dhe gratë me perimetër më tepër se 88 cm janë në rrezik të rritur për sëmundje kardiovaskulare, si dhe sëmundjeve të llojeve të tjera. Mbipesha apo obeziteti sjellin disa rreziqe siç janë sëmundjet e enëve koronare, hipertensionin hemorragji cerebrale, diabet tip 2, disa lloje kaceresh, çrregullime muskulore dhe skeletike.
Fakt
Studimet tregojnë se personat që konsumojnë ushqime të varfra me yndyra dhe të pasura me fruta zarzavate dhe produkte drithërash që përmbajnë fibra integrale, kanë përqindje më të ulët për sëmundshmëri dhe vdekshmëri nga sëmundjet koronare, tipe të ndryshme kanceresh dhe diabet tip 2.