E kemi dëgjuar të gjithë se një gotë qumështi e ngrohtë na dërgon në botën e gjumit. E dini pse?? Sepse përmban triptofan, një substancë që nxit gjumin. Ushqime të paura me triptofan janë arrat dhe farat, bananet, mjalti dhe vezët.
Ushqimet e pasura me karbohidrate plotësojnë ushqimet e pasura me triptofan. Kështu që në darkë nuk do të ishte keq që të hanit një tas me qumësht dhe drithëra ose bukë me djathë.
Nëse vuani nga pagjumësia, pak ushqim në stomak mund t’ju ndihmojë të flini. Por mos e teproni. Pak ushqim mjafton. Nëse hani shumë, sistemi tretës nuk do t’ju lërë të bëni një gjumë të mirë.
Kini kujdes nga kafeina e fshehur. Ushqime si çokollata, kola, çaji apo edhe kafja pa kafeinë janë problematike. Për gjumë më të mirë shmangini këto ushqime të paktën 4 orë para se të flini.
Edhe disa ilaçe përmbajnë kafeinë, si për shembull qetësuesit, pilulat për humbjen në peshë, diuretikët etj. Lexoni mirë fletushkën që ndodhet në ilaçe në mënyrë që ato të mos ndërhyjnë në gjumin tuaj.
Shmangeni “një gotë në darkë”. Alkooli mund t’ju bëjë që t’ju zërë gjumi më shpejt, por nga ana tjetër ju bën të ngriheni disa herë gjatë natës, të mos keni gjumë të mirë, të keni dhimbje koke, djersitje dhe ëndrra të këqija. Nëse zgjidhni të pini një gotë, të paktën ekuilibrohuni me një gotë ujë për të larguar efektet dehidratuese të alkoolit.
Kini kujdes nga stomaku plot, që nuk do t’ju lërë të flini rehat, pasi sistemi tretës punon më avash kur jeni në gjumë. Kjo mund të çojë edhe në urth dhe të njëjtën gjë bëjnë edhe ushqimet pikante që hani në mbrëmje. Mundohuni ta hani darkën të paktën katër orë para se të shtriheni.
Mos u gënjeni nga “qetësia e një cigareje”. Nikotina është stimulues me efekt të ngjashëm me kafeinën. Shmangni duhanpirjen sidomos para gjumit./ Arlinda Gjypi – Shëndet+


