Ushtrimet fizike mund të ndihmojnë në korrigjimin e posturës

Përshtati në shqip: Arlinda Rexhmati

Me shumë mundësi shumë nga veprimet që bëni gjatë ditës nuk janë të mira për posturën (qëndrimin) tuaj: leximi i një libri me kokën e përkulur, qëndrimi para kompjuterit apo përdorimi i telefonit duke qëndruar i kërrusur etj.

Aktivitete si këto të mësipërmet mund të bëjnë që trupi të fillojë të mësohet duke qëndruar i përkulur apo i kërrusur. Me kalimin e kohës kjo mund të çojë në ndryshime fizike që e bëjnë më të vështirë të qëndruarin drejt dhe mund të shkaktojnë një lakim të pjesës së sipërme të shpinës, që doktorët e quajnë kifozë.

Ndërkohë që kifoza ka dhe shkaqe mjekësore, si artriti, frakturat në shpinë nga osteoporoza, dëmtimi i disqeve, apo dëmtime të tjera, disa raste të kifozës mund të shkaktohen nga një posturë e keqe për disa vite rrjesht. Kjo bën që muskujt të bëhen shumë të ngurtë dhe shumë të dobët për të mbështetur ashtu si duhet pjesën e sipërme të trupit.

Çelësi për një posturë të mirë

Qëndrimi kërkon si fleksibilitet edhe forcë, veçanërisht forcë në një grup muskujsh dhe tendinash që janë në të gjithë gjatësinë e shpinës, të njohur si erector spinae. Këta muskuj ndihmojnë që ta mbajnë shpinën në pozicion. Ata punojnë bashkë me muskuj të tjerë të mesit dhe pjesës së sipërme të trupit, për të mbajtur trupin në një vijë të drejtë.

Nëse keni zhvilluar kifozë, është gjithmonë një ide e mirë që të bisedoni me mjekun tuaj që të përjashtoni një problem të fshehur shëndetësor. Por, lajmi i mirë është se ju mund t’i forconi muskujt tuaj dhe të përmirësoni qëndrimin tuaj edhe nëse ka filluar të lërë pasoja në trup.

Një studim i vitit 2017, i publikuar në “ Osteoporoza Ndërkombëtare), zbuloi që personat që morën pjesë në një program 6 – mujor që përfshinte trajnime mbi qëndrimin dhe ushtrime të dizenjuara për të forcuar shpinën ishin të aftë të reduktonin kifozën, krahasuar me personat që nuk iu nënshtruan programit.

Sipas autorëve të studimit, kjo sugjeron se një program ushtrimesh që ka si synim përmirësimin e qëndrimit mund të jetë efektiv në trajtimin e të rriturve që kanë probleme dhe lakime apo kërrusje në shpinë. Edhe një analizë e publikuar në vitin 2019 nga “PLOS One”, zbuloi gjithashtu se ushtrimet ishin të afta të përmirësonin kifozën në pjesën e sipërme të shpinës.

Burimi: Harvard Health Publishing

Postime të ngjashme

EMRI/ Ndalohet drejtori i Spitalit të Fierit, zbardhen detajet e para
Shqipëria vijon të shuhet, lindjet ranë me 10.5% në T3, shtesë pozitive vetëm Tirana e Durrësi
Trajtimi me medikamentet GLP-1 RA, mjekja zbulon gabimet më të zakonshme që bëjnë pacientët
Pagesat nga xhepi për shëndetësinë, Raporti i KE: Qytetarët paguajnë tri herë më shumë se mesatarja e BE-së
Mjekja zbulon dietat që janë efektive për rënien nga pesha
Përtej vitaminës D: Si ndikon drita e diellit në metabolizëm dhe sheqerin në gjak
Pudinga me copëza xhami në treg, AKU: Mos e konsumoni
Medikamentet GLP-1 RA: Çfarë duhet të presin personat me obezitet nga trajtimi me këto barna?