Pasioni i rrallë i gazetares së njohur të TVSH-së për sportin që sapo ka ardhur në Shqipëri
Sporti është cilësi jete. Është jetë. Kjo është filozofia dhe edhe vetja praktike e Migena Krajës, gazetares së njohur të TVSH-së, e cila prej disa kohësh ushtron një sport në dukje për burra, por në thelb plot vlera. Një sport ku gjen forcën dhe durimin; – aq të vlefshme në ditët e sotme për të arritur qëllimet e tua në jetë. Rastësia e njohu me kampionët e Kick and Tai Box-n, Ismail dhe Gjeta Keta dhe bashkë me suksesin e tyre nëpër botë, edhe ajo u bë një nxënëse pasionante por e çmuar e tyre. E gjejmë Migenën duke goditur me grushte dhe shkelma, si një boksier i vërtetë, teksa matet dhe shënjestron në vendin e duhur plot gjakftohtësi, energji dhe inteligjencë;- jo për të asgjësuar, por për të nxjerrë atë që ka brenda vetvetes, për të gjetur veten dhe për të kalitur në thelb durimin në jetë. Për të goditur atëherë kur duhet dhe me fuqinë e kërkuar. Këtë sport Migena ua rekomandon edhe femrave të tjera. E natyshmja, e gjalla dhe natyralja Migena Kraja flet hapur dhe sinqerisht për ne, si një një gazetare apo femër që ka se ç’të ndajë me lexuesit tanë për shëndetin, ushqimin, sportin make-up-in dhe shumë gjëra të tjera. Besoj se secili prej nesh ka se ç’të mësojë në bisedën që “Shëndet Plus” bëri me të.
Migena! Si keni rënë në kontakt me informacionet e para dhe më pas keni nisur interesin për sportin e Kick & Tai Box?
Fatmirësisht, puna në televizion më bën mua dhe kolegët e mi të marrim informacione për fusha e profesione të ndryshme dhe këto t’i përcjellim edhe për teleshikuesit. Një nga prioritetet e programeve që unë kam drejtuar në TVSH për gjatë gjithë këtyre viteve ka qenë edhe edukimi i popullatës e veçanërisht, i brezit të ri për t’u marrë me aktivitetet sportiv. Para shumë vitesh, kur drejtoja programin “Jo Vetëm Kafe”, gazetari i mirënjohur Dëfrim Met’hasani më sugjeron si të ftuar Ismail Ketën, i cili asokohe kishte filluar të bëhej i njohur në arenën ndërkombëtare në sportin e Kick &Tai Box-it. Kështu TVSH-ja bëri të njohur veprimtarinë sportive të vëllezërve Keta, të cilët duket se e kanë pushtuar ringun e këtij sporti. Gjatë këtyre viteve kam pasur fatin dhe kënaqësinë t’i intervistoj Ismail dhe Gjetan Keta për t’i përcjellë publikut arritjet e tyre në këtë sport dhe njëkohësisht dhe vlerat e tyre njerëzore
A nuk iu duket një sport paksa burrëror për një femër?
Në fakt, brenda çdo gruaje qëndron forca e brendshme shpirtërore e cila ndonjëherë ia kalon asaj burrërores ndaj ky sport mendoj se forcon më shumë karakterin e çdo femre e cila ka nevojë për më shumë vetëbesim, por ajo që është më e rëndësishmja, mendoj unë është mirëqënia fizike e cila këto kohët e fundit duket se ështeë bërë një temë mjaft e diskutuar duke patur parasysh se një fizik i mirë e i fortë premton jetëgjatësi dhe forma të bukura trupore.Të them të drejtën e kam parë këtë sport shumë larg vetes sepse gjithmonë këto lloj sportesh më dukeshin sikur i përkisnin gjinisë mashkullore por kur realizova seancën e parë stërvitore kuptova që ishte një sport që vë gjithë trupin në lëvizje shkarkon stresin e përditshëm dhe ajo që është më e rëndësishmja vë trurin në punë pasi ka të bëjë me instiktet vetëmbrojtese dhe me lëvizjet e kundërshtarit.
E ushtroni këtë sport për të mbrojtur veten nga kërcënime fizike apo?
Pse jo. Edhe për ndonjë kërcënim i cili më duket tani pak më i lehtë për t’u përballuar duke pasur parasysh që grushtin e parë ia kam goditur një kampioni (Ismailit). Për të mos folur për shqelmat që mesa duket janë pika ime më e fortë në këtë sport.Hahaha
Çfarë avantazhesh rendisni në trupin tuaj, tani që merreni me këtë lloj sporti? (anët positive)
Ehhhh. Është pak shpejt të them të drejtën të flas për avantazhet, por diçka kam filluar të vë re. Ndjehem më e zhdërvjellët dhe muskujt pak nga pak kanë filluar të aktivizohen pasi siç thashë më lart i gjithë trupi merret me aktivitet. Grushtat të cilët kurrë nuk janë përdorur janë bërë tashmë disi të fuqishëm veçanërisht grushti i djathtë kurse sa për goditjet me këmbë janë shumë të mira sipas trajnerit që më inkurajon për të bërë më shumë.
A e ushtroni këtë sport thjeshtë për të mbajtur trupin në formë, apo keni ndonjë ambicje për të marrë pjesë në ndonjë kampionat Kick & Tai Box në Shqipëri apo në nivel ndërkombëtar?
E ushtroj këtë sport për shumë arsye të cilat i ceka dhe më lart pasi mendoj se ky sport ka një shtrirje të gjerë në të gjithë botën dhe sipas informacioneve që kam shumë femra e ushtrojnë këtë sport dhe mbajnë trupin në formë. Mendoj se ka ardhur momenti që dhe unë të tregoj kujdesin e duhur ndaj trupit tim i cili me kalimin e viteve është i etur për aktivitet fizik. Ky sport më ka bërë më aktive duke larguar kështu nga unë Migenën dembele e cila e kishte lënë gjithshka pas dore përsa i përket fizikut.
Ju bëni stërvitje te palestra e mjeshtrave të mëdhenj të këtij sporti, Ismail dhe Gjetan Keta. Pse zgjodhët këtë palestër kur Tirana ka me dhjetëra palestra?
Është e vërtetë që Tirana ka shumë palestra dhe kjo të them të drejtën është diçka shumë e mirë por dua të theksoj këtu se jo të gjitha bëjnë një punë serioze me intruktorët të cilët herë-herë janë me një nivel aspak të kënaqshëm. Gjithsesi, është një fakt i mirë që të rinj apo dhe grupmosha të tjera të frekuentojnë palestrat dhe të merren me aktivitet fizik. Kur vizitova për herë të parë shkollën e Vëllezërve Keta mbeta shumë e kënaqur me kushtet dhe seriozitetin qe tregohej aty. Ajo që më bën më shumë përshtypje dhe më mbushet zemra më gëzim është kur shoh grupin e fëmijëve të vegjël të cilët me një seriozitet që është për tu patur zili nga në të mëdhenjtë stërviten me instruktorin e tyre Alvi Mita. Ndoshta, aty duhet investuar më shumë.Tek brezi i ri për të pasur kështu në të ardhmen një popullatë më aktive e më të shëndetshme. Dola pak nga tema e pyetjes tuaj, por besoj që është diçka që na prek dhe na takon të gjithëve.
Pse një femër duhet të merret me Kick & Tai Box? A do tua sugjeroni vajzave apo bashkëmoshtarave tuaja?
Patjetër që ia sugjeroj. Duke u stërvitur në këtë sport do të gjejnë aftësitë e tyre më të mira. Ato të cilat as që i kishin menduar se i kanë dhe veçanërisht forcën dhe durimin të cilat janë të domosdoshme për të arritur gjërat në jetë. Do të jenë më të zhdërvjellëta dhe do të kenë më shumë besim në përballjet e tyre të përditshme. Ky nuk është një sport ku duhet të tregosh vetëm forcë nëpërmjet goditjeve por dhe një mënyrë e mirë për të pasur një jetë të shëndetshme psiko- emocionale. Në palestër ka shumë gra dhe vajza të cilat stërviten në këtë sport dhe ndjehen vërtet të kënaqura dhe kanë arritur rezultatet e dëshiruara. Femrat shqiptare janë “luftarake” kur bëhet fjala për të arritur diçka në jetën e tyre dhe këtë e tregojnë edhe në ringun e Kick & Thai Box-it ndaj unë i përgëzoj shumë ato që merren me këtë sport dhe inkurajoj dhe të tjerat që ta përqafojnë sa më shpejt.
Sa ju ndihmon sporti për të qenë active në jetën e përditshme apo për të hequr kaloritë e tepërta që merrni gjatë të ushqyerit?
Është shpejt për të parë rezultate të thella, por ato të parat kam filluar t’i vë re. Eshtë e vërtetë që ndjehem më e lehtë dhe më mirë fizikisht. Në fillim, më dukej se nuk do ta përballoja dot, por me kalimin e kohës më është bërë pjesë e jetës sime. Kur vë dorezat e boksit, mezi pres të filloj të stërvitem pasi ndjej se kam forcë brenda vetes dhe dua të heq gjithçka negative nga qenia ime fizike dhe emocionale.
Jeni e kujdesshme gjatë ushqyerjes? Cilat janë ushqimet tuaja të preferuara? Po çajra a përdorni?
Një nga defektet e mia është mos-kujdesi ndaj të ushqyerit. Por, brenda këtij defekti është edhe avantazhi, pasi oreksi im nuk është drejt ushqimeve të shpejta, pijeve me gaz, ëmbëlsirave apo yndyrnave. Ndoshta, këto kanë bërë që të mos vë kile të tepërta dhe pse këto kohët e fundit jam e pakënaqur me kilogramët që më tregon peshorja. Më pëlqen mishi, por nuk e teproj. Më pëlqen shumë peshku por dhe lloje të ndryshme të makaronave të cilat do të doja t’i konsumoja çdo ditë por ja që është e dëmshme. Nuk ulem asnjëherë në tavolinë pa një sallatë- kjo jo për efekt diete por për shije. Fatmirësisht, nuk kam qenë e detyruar asnjëherë të mbaj dietë dhe nuk do t’ja këshilloja askujt pa konsulencën e specialistëve të dobësimit. Besoj se të marrurit me aktivitet fizik do më ndihmojë për të mos marrë kilogramë të tjera dhe për të tonifikuar trupin. A nuk është ky qëllimi i çdo njeriu? E pra, shumë e thjeshtë. Sport disa herë në javë dhe suksesi përpara pasqyrës tuaj është i garantuar.
A keni bërë vrap, apo gjimnastikë më parë?
Keq më vjen ta them, por para 10 vjetësh kam shkuar vetëm një vit në palestër. Mesa duket nuk e pata durimin dhe vullnetin e duhur. Sporti ka nevojë për përkushtim. Unë nuk do të bëhem sportiste profesioniste, ndoshta dhe shumë nga ata që ushtrojnë Kick & Thai Box por do të marrin vetëm anë pozitive nga ky sport.
Si i keni marrëdhëniet me mjekun? Shkoni shpesh për kontrolle? Po check-Up-e bëni rregullisht?
Kur je i ri apo e re, sëmundjet apo plakja të duket disa mijëra kilometra dritë larg. Por, me kalimin e viteve gjërat në organizmin tonë ndryshojnë dhe veçanërisht kur ne abuzojmë me atë. Unë, fatmirësisht, për momentin nuk kam shqetësime, por prej 2 vitesh kam filluar të bëj analizat e gjakut dhe të urinës si dhe të shkoj një herë në vit tek mjeku gjinekolog. Mendoj që këto janë disa nga kontrollet që duhet t’i bëj gjithkush për t’iu dalë të papriturave të pakëndshme në kohë dhe për t’i dhënë vetes shansin për një jetë të shëndetshme e të gjatë.
Cili është mesazhi juaj për vajzat dhe të gjithë të rinjtë shqiptarë në lidhje me përkujdesjen ndaj trupit të tyre?
Rinia na fal momentet më të bukura në jetë; e bashkë me to, edhe format më të mira fizike. Të gjithë duam të tregojmë sa meë ëe rinjë në pamjen dhe fizikun tonë por kjo me kalimin e viteve bëhet më e vështirë. Mendoj që të gjithë duhet të gjejnë mënyrën për tu marrë me aktivitet fizik dhe kjo e shoqëruar me një ushqyerje të shëndetshme. Sa më shpejt të fillojë kujdesi aq më mirë do të jetë dhe rezultatet do të jenë më të shpejta. Ky është sekreti i bukurisë së përhershme; Mos u lodhni ta kërkoni në kremëra çudibërës apo dieta shkatërruese. Sporti është jetë….Kualitet i jetës….
Një përshëndetje speciale për gazetën “Shëndeti Plus e cila ështe e vetmja në tregun mediatik shqiptar që i kushton rëndësi shëndetit të mirë dhe kujdesit ndaj organizmit tonë.
Punë të mbarë kolegë të dashur dhe jetëgjatësi të kësaj gazete me një mision kaq fisnik.




