Vaksinimi, vendimi më i rëndësishëm që parandalon sëmundje

Emanuel Smaka

“Vaksinimi mund të evitojë 2 deri në 3 milionë vdekje çdo vit”, vlerëson Organizata Botërore e Shëndetësisë në publikimin e bërë gjatë muajit shkurt të këtij viti. Sipas kësaj organizate, nëse mbulimi me vaksina do të përmirësohej, në botë mund të parandalohen edhe 1.5 milionë vdekje të tjera çdo vit. Mjekët shpjegojnë se vaksinimi është vendimi më i rëndësishëm për të parandaluar shumë sëmundje infektive. Duke folur për Pro Pacientit, mjekja infeksioniste Alma Hoxhaj argumenton se vaksinimi përveç mbrojtjes së vazhdueshme për individin, shmang fatalitetet.

“Qëllimi parësor i vaksinimit është që personi të jetë i mbrojtur nga sëmundjet deri në masën 100%. Në rastin kur fëmija apo i rrituri nuk janë vaksinuar, sëmundjet infektive shfaqin ndërlikime shumë të rënda, të cilat mund të jenë edhe fatale për jetën e pacientit. E kundërta ndodh kur individi është i vaksinuar. Përqindja e vdekjeve nga një sëmundje infektive për të cilën individi është vaksinuar, është pothuajse zero. Mund të themi që masa më e mirë parandaluese është vaksinimi. Sivjet kemi rastin konkret të fruthit. Ne e pamë që nga fruthi u prekën foshnje nën 1 vjeç të pa vaksinuara apo foshnje mbi 1 vjeç, prindërit e të cilëve nuk ua kishin bërë vaksinën kundër fruthit. Këtë vit kishim mjaft raste të vdekjeve foshnjore për shkak të fruthit, por ato ndodhën pikërisht tek të pa vaksinuarit. Këto sëmundje mund të parandalohen pikërisht përmes vaksinimit. Vaksinat e detyrueshme duhet patjetër të bëhen gjatë jetës, por edhe ato fakultative siç është vaksina kundër gripit, mbrojnë nga sëmundjet.”, thotë Hoxhaj.

Në botë ekzistojnë edhe lëvizjet e quajtura “anti vaksinë”, ku prindërit refuzojnë vaksinimin e fëmijëve të tyre për shkak të frikës nga autizmi. Të tilla raste janë evidentuar edhe në vendin tonë, ku refuzimi i vaksinimit të foshnjeve gjatë vitit të parë të jetës argumentohet si frikë nga sëmundje të tjera. Por mjekja Hoxhaj hedh poshtë të tilla teori.

“Lëvizjet anti-vaksinë janë shumë të dëmshme, pasi praktikisht pa vaksinë individi nuk është i mbrojtur nga sëmundjet. Ka shumë raste që prindërit e lidhin vaksinën e fëmijës së tyre me autizmin. Por studimet shkencore kanë treguar totalisht të kundërtën. Vaksina nuk ka lidhje me autizmin, përkundrazi është mënyra më e mirë për t’i mbrojtur fëmijët nga sëmundjet infektive”, përfundon mjekja.

Qytetarë të rastësishëm të pyetur nga Pro Pacientit pohojnë se i kanë vaksinuar fëmijët e tyre. Por gjithashtu shtojnë se lajmet për lidhje të autizmit me vaksinën i shqetësojnë vazhdimisht./ProPacientit.com

Postime të ngjashme

Minutat e errësirës dhe paniku për jetën e pacientëve! KLSH zbulon faktin e rëndë, Trauma ka vetëm 1 gjenerator në punë dhe pa servis
U lëndua në sy gjatë protestës në Tiranë, Prokuroria e Tiranës nis hetimin për Erjon Vishkullin
“Në Itali kanë çuar familja dhe miqtë, jo shteti”/ Rama i përgjigjet motrës së protestuesit: Iniciativën e mora unë, i kam uruar të shkuara para se të nisej
Çfarë ndodh me foshnjën nëse diabeti i shtatzënisë nuk mbahet nën kontroll
13 të lënduar pas protestës në Tiranë! Si paraqitet gjendja e të riut të goditur në sy
Diabeti në shtatzëni vazhdon edhe pas lindjes apo ndërpritet
Obeziteti gjatë shtatzënisë, mjekja tregon si mund të ndikojë në shëndetin e fëmijës
Sheqeri i lartë në gjak gjatë shtatzënisë, mjekja tregon si mund të mbahet nën kontroll