Kryefaqja Vip-Shendet Valin Qerimaj: Violina, suksesi që ia dedikoj babait

Valin Qerimaj: Violina, suksesi që ia dedikoj babait

0
Shpërndaje

Mund të thuhet me plot gojë se muzikën e ka të trashëguar, duke qenë se rrjedh  nga një familje artistësh të njohur në botën e muzikës. Në një intervistë për gazetën “Shëndet+”, Valin Qerimi flet më shumë për veten e tij, pse e la Vjenën për Shqipërinë, performancat live në ambientet më të frekuentuara në Tiranë dhe tregon më shumë për një pasion tjetër që nuk ka lidhje me muzikën. Sa e vështirë është për të të japë maksimumin në netët live dhe a mjafton vetëm gjeni për të qenë më i miri në treg. Për  më shumë lexoni intervistën më poshtë…

Valin, për t’u njohur më shumë me ty dhe atë çfarë ti përfaqëson, mund të rrëfesh një historik të shkurtër për veten?

Unë kam lindur në Tiranë. Si pjesëtar i familjes “Qerimaj”e njohur në artin muzikor. Më pas kam  vazhduar studimet për violinë në liceun artistik “Jordan Misja” dhe më pas jam diplomuar në Vjena Konservator (Austri). Duke qenë pjesëtar i familjes “Qerimaj”, por jo vetëm, kam realizuar një seri koncertesh alternative në Francë, Austri , Greqi, Itali, Mali Zi, Kosovë dhe një turne në Kinë me orkestrën “Symphonia Vienna”. Në Shqipëri kam marrë pjesë në disa evente dhe festivale, ku mund të përmend si solist në festivalet:”Pianodrom”,”Muzika e re” dhe”Flauti Magjik”me vepra nga  Arvo Párt, Fatos Qerimaj, si dhe recital me vepra nga Astor Piazzolla. Unë kam realizuar disa regjistrime për kolonat zanore të filmit dhe teatrit. Muzika bashkëkohore, eksperimentale, Swing dhe Jazz janë pikësynimi im strategjik me të cilin dua të prezantohem.

Përveç faktit që ti rrjedh nga një familje artistësh, suksesi yt është produkt i një pune të madhe?

Babai ka qenë personi që më ka shtyrë të bëhem pjesë e muzikës dhe të luaj violinë. Në fakt është e gjithë familja e përfshirë në muzikë, duke filluar nga gjyshi, babi, xhaxhai. Sigurisht që pas suksesit qëndrojnë orët e gjata të punës, pa të cilat askush nuk mund të jetë i suksesshëm.

Dimë se ke mbaruar studimet për violinë në Vjenë. Çfarë të bëri të kthehesh në vendlindje?

Kam pasur më shumë mundësi të luaj rrymën që unë dëshiroj. Në Shqipëri punon më pak dhe fiton më shumë, flas për profesionin tim. Unë e kam gjetur veten këtu, performoj në ambientet më të frekuentuara në Tiranë, nga e enjtja në të diel, duke përfshirë restorante, clube, lokale. Në Vjenë je më i kushtëzuar për të performuar, sepse ja vlen me të vërtetë nëse ti je i fokusuar në muzikën klasike. Këtu ke luksin të luash 2 orë muzikë çdo mbrëmje pothuajse çdo ditë të javës, ndërsa në Vjenë mund të luash koncert por jo muzikën që ti do. Tirana ta mundëson të luash Jazz, muzikë ballkanase, popullore apo dhe klasike.

Sa vite ke që je kthyer në Tiranë?

U bënë disa vite tashmë që jam këtu. Me grupin që jam aktualisht po bëjmë një vit që punojmë së bashku dhe jemi mirë, publiku na do dhe ne e shijojmë. Mendoj se do qëndroj gjatë në Tiranë.

Prej disa vitesh performon live në ambientet më të frekuentuara në Tiranë nga të rinjtë dhe jo vetëm. Çfarë e bën publikun të dojë?

Përveç cilësisë së interpretimit tonë, është dhe pjesa e repertorit që ne zgjedhim të luajmë. Çdo njeri ka shije të ndryshme muzikore, prandaj dhe duhet t’i përshtatesh gjithsecilit në mënyrë që të gjejnë veten dhe të vijnë për të të dëgjuar. Zakonisht ne zgjedhim këngë që nuk janë shumë të vështira për veshin, këngë që publiku i njeh,  ky është çelësi i suksesit të performancave live. Unë filloj performancat që ditën e mërkurë për të vazhduar më pas gjithë javën.

Të kalojmë në një atmosferë tjetër pyetjesh… Cili është mjeku që viziton më shpesh?

Më shpesh shkoj tek mjeku ku bëj analizat e gjakut. Shkoj një herë në vit atje, ndërsa ndonjë problem tjetër shëndetësor nuk kam. Për ndonjë dhimbje kokë apo ftohje më shumë përqendrohem tek mjekësia alternative (çajra të ndryshme) ose përdor ndonjë shurup apo ilaç i cili mund të merret në farmaci pa qenë nevoja për takim me mjekun.

Sa ndikon e luajtura në violinë në muskujt e qafës? Ka pasoja që ndikojnë negativisht në shëndet?

Ka probleme sigurisht, të ngrin qafa shpesh ose probleme me damarët e qafës, për të cilat unë bëj ushtrime çdo ditë (është një ushtrim që përfshin rrotullimin e qafës të cilin e praktikoj shpesh). Edhe palestra të ndihmon shumë me këtë pjesë. Këshillohet gjithmonë të ushtrohesh në palestër dhe nuk ka probleme të rënda.

Dimë se një pjesë të kohës e kalon duke u angazhuar në guida turistike. A është kjo një mënyrë e mirë për të promovuar bukuritë natyrore të vendit tënd?

Kjo është diçka të cilën unë e bëj për hobi. Më pëlqen shumë të eksploroj natyrën dhe kjo është një mënyrë shumë e mirë për të njohur vende të bukura, për të kaluar një fundjavë si dhe njëkohësisht për të promovuar bukuritë natyrore të Shqipërisë. Ngjitja në mal është një mënyrë e mirë dhe për të mbajtur trupin në formë dhe për të harxhuar energjitë negative. Kemi pamje shumë të bukura të cilat duhen promovuar sa më shumë.  Do sugjeroja Liqenet e Lurës, Valbonën, Thethin, të cilat ja vlen t’i vizitosh.

Guida më e vështirë?

Mali i Gambit është një zgjedhje e vështirë por njëkohësisht është shumë i bukur. Ishte shumë shteg dhe mes gurëve dhe është pak e vështirë. Ka dhe guida të lodhshme, sepse varet dhe nga mënyra e organizimit, por kur je i pasionuar, i bën me qejf dhe nuk e ndjen lodhjen. Një sugjerim tjetër i imi është dhe Lumi i Shalës, mes liqenit të Komanit dhe Dukagjinit.

Një fundjavë në mal apo në det?

Sigurisht që në mal!

A ndjek një regjim ushqimor dhe fizik? Sa ndikon regjimi i mirë në performancat e një artisti?

Më shumë se sa me performancën artistike ka lidhje me performancën psikologjike.  Nëse mban regjim ushqimor dhe ushtrohesh në palestër, je shumë në rregull si me energjinë edhe me vetëbesimin.

Palestër apo kërcim?

Të dyja!

Nëse do të duhej të zgjidhje një profesion tjetër, cili do të ishte ai?

Me siguri do zgjidhja ndonjë lloj sporti, pasi më tërheqin shumë dhe e gjej veten shumë mirë dhe në atë aspekt. Mendoj se futbolli do të ishte shumë brenda tipit tim.

Një mesazh për lexuesit e gazetës?

Dëgjoni muzikë të mirë dhe vizitoni natyrën! Shqipëria ofron vende të mrekullueshme për të dyja!/ Shendeti.com.al

 

 

LËR NJË MESAZH

Please enter your comment!
Please enter your name here