Bisedoi: Denisa Canameti, gazeta “Shëndet+”
Ajo ka një buzëqeshje që flet për të më shumë se fjala. Është e ëmbël dhe përcjell gjithnjë pozitivitet në ekran. Venera Lumani ka lindur në fshatin Ladorisht të Strugës, ku dhe ka kryer shkollën fillore.Në moshën 5-vjeçare, duke parë dëshirën dhe pasionin e madh për muzikën, prindërit e regjistrojnë në shkollë të muzikës, kështu që lidhja e saj me këngën u bë e pandërprerë.
Më pas ndoqi shkollën e mesme për kanto në Tetovë dhe më tej studimet për muzikë në Fakultetin e Muzikës në Shkup. Nga instrumentet muzikore njeh pianon dhe kitarën. Pasionin për këtë të fundit e ka trashëguar nga i ati, Menderes Lumani, kitarist i grupit “Shekulli i Dreqit”.
Venera është fituesja e edicionit të dytë të spektaklit “The Voice of Albania”.
Në një intervistë për lexuesin e gazetës “Shëndet+”, ajo sjell të vërtetat e saj mbi jetën, shëndetin, paragjykimet, lumturinë.
Dukesh gjithnjë e buzëqeshur dhe shumë bukur, është ky tregues i një kujdesi të vazhdueshëm për veten?
Fillimisht më lejoni të them faleminderit për fjalët e bukura dhe pozitive. I vlerësoj pa masë dhe më bëjnë të ndihem shumë e lumtur. Pastaj, sa i përket pyetjes do të thoja që nuk jam nga ato vajza që kujdesen me tepricë për veten. Thjesht ajo që bëj, është që sigurohem që të jetë ajo që mua më bën të ndihem e lumtur dhe rehat.
Cili është mjeku që takon më shpesh?
Hmm! Gjatë kohës që kam jetuar me familjen time, në çdo 6 muaj babai gjithmonë na bënte vizita të përgjithshme te mjeku. Por tani që jam larguar, të them të drejtën nuk është se po i qëndroj besnike shumë këtij regjimi që na bënte babai. Mund të them se ka një kohë të gjatë që s’kam qenë te mjeku. Nga njëra anë, falë Zotit që s’kam pasur nevojën e nga ana tjetër më vjen keq që nuk e kam krijuar mundësinë dhe e kam neglizhuar paksa.
Mendoni se bëni një jetë të shëndetshme, domethënë a keni kohën që të hani shëndetshëm, të bëni palestër…?
Mendoj se bëj një jetë të shëndetshme. Nuk shkoj në palestër, por bëj ushtrime në shtëpi, eci vazhdimisht, i largohem ambjenteve me tym dhe të zhurmshme. Ha shumë mirë dhe bëj pushime të shpeshta.
Keni një zë shpërthyes. Sa e rëndësishme është të jesh mirë shpirtërisht para se të dalësh në skenë në mënyrë që zëri mos të të “tradhtojë”?
Është e vështirë të ruash ‘gjakftohtësinë’. Është një profesion i vështirë. Ka momente kur nuk je në gjendje për të kënduar, por mjeshtëria e këtij profesioni është pikërisht kjo. Duhet të sillesh sikur çdo gjë është në rregull. Fundja, publikut nuk i intereson nëse ti je apo s’je mirë.
Sa e vështirë është të konkurrosh me këngëtare që armë të fortë kanë bukurinë, dhe jo zërin?
Mendoj se gjërat ndahen. Çdokush ka vendin e vet.
Sa e rëndësishme është veshja kur del në skenë?
Është e rëndësishme. Kohët e fundit edhe më shumë se sa duhet. Për mua mjafton që ajo që kam veshur, të më bëjë të ndihem rehat.
Pse njerëzit i paragjykojne VIP-at kur i shohin të pagrimuar (pa make-up)?
(Qesh). Sepse nuk kanë punë tjetër…. Nuk e di. Ndoshta sepse na shohin gjithmonë të kuruar dhe kanë krijuar idenë se jemi ndryshe nga ata.
Marrëdhënia me ushqimin si është? Çfarë nuk të pëlqen të hash?
Jam fanse e madhe e ushqimit. Ha aq sa më hahet dhe më shijon shumë. Nuk kam ngrënë asnjëherë mish derri.
Të pëlqen të gatuash vetë apo është më mirë kur t’i bëjnë gati?
Unë gatuaj vetë dhe më shijon ideja kur provoj gjëra që i kam bërë vetë. Por edhe kur gatuajnë për mua është mjaft këndshëm. (Qesh).
Keni mbajtur ndonjëherë dietë apo mbani gjithmonë nën kontroll të ngrënët?
Dietë strikte asnjëherë, por nëse të ushqyerit me kujdes quhet dietë, po.
Marrëdhënia me duhanin…?
E kam shumë inat.
Çfarë mendon se kanë pëlqyer më shumë njerëzit tek ti?
Ndoshta sepse jam e prekshme për ta, e sinqertë dhe modeste (qesh).
Ç’do të thotë për ty lumturi?
Shëndet për njerëzit e mi më të dashur, sukses dhe dashuri.


