Nga Lëvizja “Mjaft”
A i ka realizuar Bashkia e Vlorës premtimet elektorale të bëra në zgjedhjet e mëparshme? Një analizë e premtimeve dhe (mos)realizimit të tyre, tregon se jo.
- Premtimi: U premtua ndërtimi i një landfilli të ri me teknologji moderne, i cili do të operonte sipas normave të komunitetit europian.
Fakti: Më datë 16 dhjetor 2014 u njoftua se në muajin janar të vitit të ardhshëm do të nisë investimi për projektin e landfillit të Vlorës, pjesë e skemës së trajtimit të mbetjeve urbane në këtë qytet dhe më gjerë.
Lajmi u u konfirmua nga kreu i Këshillit të Qarkut, Sadrit Danaj. Ky projekt që financohet nga Qeveria Shqiptare, Qeveria Gjermane, Banka Gjermane KFV, me një vlerë të përgjithshme prej rreth 15 milionë eurosh, është një nga investimet më të mëdha në qytetin dhe qarkun e Vlorës në këto 24 vite dhe zgjidh një nga problemet më të rëndësishme që lidhet me trajtimin e mbetjeve urbane, në përputhje me standardet bashkëkohore. Pjesë e financimit është edhe një fond prej 3 milionë eurosh për trajtimin e pikave aktuale të trajtimit të mbetjeve. Por megjithëse kanë kaluar 10 vjet nga nisja e procedurave për ndërtimin e landfilldit, ky projekt nuk ka gjetur zbatim për shkak të konfliktit për vendin ku do të ndërtohet.
Bashkia e Vlorës ka deklaruar gatishmërinë për t’u bërë pjesë e këtij projekti, duke e bashkëfinancuar atë me një fond prej 200 mijë eurosh nga të ardhurat e saj. Për këtë qëllim, sipas drejtuesve të saj, ka qenë e nevojshme një vendimmarrje që i kalon kufijtë lokalë, për shkak të kundërshtimit të projektit nga komuna Qendër, që nuk e ka miratuar atë në territorin që administrohet prej saj.
Nuk ka një datë përfundimtare për mbarimin e ndërtimit të këtij landfilli si dhe fillimin e operimit. Ndërkohë të gjitha mbetjet urbane të qytetit të Vlorës vazhdojnë të depozitohen në fushën e aviacionit. Nga verifikimet në terren të skuadrës vertetëmatësi rezulton se gjendja e kësaj zone është katastrofike, pasi ajo nuk është e rrethuar ndërsa të gjitha objektet e banimit pranë saj janë të ekspozuara ndaj mbetjeve. Grumbullimi i mbetjeve dhe asgjësimi i tyre bëhet me djegie në natyrë, si rezultat ndotja e mjedisit është në masë të konsiderueshme. Karboni, sulfuri dhe dioksinat perhapen në ajër duke u kthyer në rrezik për shëndetin e qytetarëve të Vlores. Sipas statistikave, banorët të cilët jetojnë në zonat përreth fushës vuajnë nga sëmundjet polmonare, si dhe fëmijet janë anemik. Në stinën e verës, por dhe në festat e fundvitit mbetjet urbane shtohen dhe digjen në këtë zonë shumë pranë qytetit. Mungesa e një landflilldi bën që një pjesë e mirë e qytetit të Vlorës orëve të mbrëmjes të mbulohet nga një re tymi e pazakontë dhe e papërballueshme e mbytëse për këdo që bie në kontakt me të. Ky premtim mbetet i parealizuar.
- Premtimi: Mbledhja e mbeturinave urbane në mënyrë të seleksionuar, si dhe grumbullimi, magazinimi dhe shitja e materialeve të mbledhura që janë të riciklueshme.
Fakti: Ende nuk është investuar nga Bashkia e Vlorës për të vendosur në qytet kontenierë seleksionues me kode dhe ngjyra për të kryer mbledhjen e diferencuar të mbetjeve. Së fundmi në buxhetin e vitit 2015, në kontratën nr. 4558 prot., datë 31.10.2014, me subjektin Duka sh.p.k, Bashkia synon fillimin e procesit të mbledhjes së diferencuar të mbetjeve urbane. Nëpërmjet kësaj kontrate do të bëhej i mundur sigurimi i nevojshëm i koshave dhe kontenierëve për grumbullimin e mbetjeve, duke synuar që brenda 6 muajve të parë në qendër të qytetit të bëhej i mundur klasifikimi i mbeturinave. Në tre muajt e parë të vitit 2015 ende nuk është arritur vendosja e koshave. Premtimi konsiderohet i parealizuar.
- Premtimi: Pavarësisht faktit se biçikletat nuk janë shumë të përdorura në Vlorë, tiparet e përshtatshme gjeografike të qytetit favorizojnë përdorimin e këtij mjeti transporti. Në platformën elektorale u premtua ndërtimi i 6 linjave të korsive për biçikleta për të krijuar një rrjet të mirëfilltë në qytetin e Vlorës.
Fakti: Me përmbushjen e këtij projekti, qyteti i Vlorës do të kishte disa rezultate si ulja e ndotjes, promovimi i transportit miqësor ndaj mjedisit, përmirësimi i trafikut urban si dhe përmirësim i cilësisë së ajrit. Bazuar në rezultatet e një studimi të bërë nga bashkia i shfaqur në platformën elektorale, ky projekt do të konsiderohej me prioritet të lartë për t’u vënë në zbatim në kohën më të shkurtër të mundur. Por nga verifikimi në terren rezulton se vetëm në segmentin e bulevardit “Ismail Qemali” janë vendosur korsitë për biçikleta. Ndërsa në asnjë prej akseve të tjera në të cilat është mbështetur krijimi i rrjetit, nuk është investuar për krijimin e korsive për biçikleta. Ndërhyrja vetëm në një segment, në analizën tonë, nuk përmbush premtimin e mësipërm i cili mbetet i parealizuar.



