Kryefaqja Aktualitet Veshi i mesëm dhe sëmundjet që sjellin zhurmat

Veshi i mesëm dhe sëmundjet që sjellin zhurmat

1
Shpërndaje

Emirjona Vajushi, ORL, Spitali Amerikan

Zhurmat në vesh kanë një sërë shkaktarësh dhe për mjekët specialistë e rëndësishme është ndjekja e problemit, i cili kryesisht ka të bëjë me dëmtimin e veshit të brendshëm. Nëse ky dëmtim është i madh, atëherë pacientwt kanë zhurmë në vesh, e cila në të shumtën e rasteve bëhet kronike. Por çfarë duhet të bëjnë këta pacientë?

Dr. Emirjona Vajushi
Dr. Emirjona Vajushi

Shumë persona ankohen për një zhurmë në vesh. Nga se shkaktohet ajo dhe cilat janë sëmundjet që rrezikojnë atë?

Zhurmat e veshit vijnë nga dëmtimi mikroskopik në mbaresën e nervit të dëgjimit në veshin e brendshëm. Lëndimet në këto mbaresa shkaktojnë dhe humbjen e dëgjimit. Ekspozimi ndaj zhurmave me zë të lartë dhe barnat me efekte anësore si ato antiflamatore, antibiotik, sedativ, kundër depresionit dhe aspirina, mund të shkaktojnë Tintus apo zhurma në vesh, në njërin apo të dy veshët. Tintusi shkaktohet dhe nga faktorë të tjerë, si bllokimi i veshit, infeksionet e veshit apo sinusit, alergjitë, tumoret, tensioni arterial i rritur ose i ulur, problemet në zemër, enët e gjakut, ndryshimet hormonale te femrat dhe problemet e gjendrës tiroide.

Cilat janë simptomat kryesore të sëmundjes dhe si bëhet diagnostikimi i saj?

Simptomat e zhurmave lidhen ngushtë me sëmundjen e Menier-it që shkaktohet nga shtimi i presionit intralabirintik që është pasojë e çrregullimeve të përgjithshme vaskulare, të cilat risin depërtueshmërinë e enëve të gjakut. Sëmundja karakterizohet me marrje mendsh, zhurmë në vesh dhe pakësim i dëgjimit i tipit perceptiv. Diagnoza vendoset duke u bazuar në historinë e detajuar të sëmundjes. Testet që bëhen janë: testi i dëgjimit (audiometria) dhe skanimi i trurit (rezonanca magnetike dhe EEG). Testi spinal është i nevojshëm në disa raste për të parë presionin e lëngjeve në kokë dhe në palcën kurrizore.

Po sa i përket trajtimit, cilat janë këshillat që pacienti duhet të ketë parasysh?

Këshillat për këta pacientë janë shumë të rëndësishme, pasi kjo është një komponent edukativ që ndihmon për të kuptuar dhe ndryshuar mënyrën e të menduarit në lidhje me zhurmat e veshit. Një tjetër këshillë është edhe vendosja e aparateve të dëgjimit, pajisje të cilat ndihmojnë njerëzit që kanë ulje të dëgjimit dhe zhurma në vesh. Rekomandohet që të përdoren për të dëgjuar muzikë të lehtë, të këndshme si; psh ato që kanë karakteristikë valët e detit, shiun etj. Stimulimi nervor akustik është një teknikë e re për njerëzit që përjetojnë zhurma me zë shumë të lartë kumbues. Por, edhe terapia kundër depresionit dhe anksiolitikët që rekomandohen të përdoren për t’u çlodhur dhe për të ndihmuar gjumin.

veshi ndertimiSi mund ta parandalojmë këtë problem?

Disa këshilla parandaluese për të zvogëluar ose pakësuar zhurmat në vesh kanë të bëjnë me shmangien e tingujve dhe zhurmave me zë të lartë. Presioni i gjakut duhet kontrollohet rregullisht dhe të mbahet nën kontroll si dhe këshillohet përdorimi sa më i pakët i kripës në ushqim, sepse ajo dëmton qarkullimin e gjakut. Po kështu e rëndësishme është edhe pakësimi i përdorimit të kafes, coca-cola dhe duhanit. Të vlefshme janë ushtrimet rutinore për të përmirësuar qarkullimin e gjakut, si dhe të shmangen lodhjet, të pushohet sa më shumë.

Deri tani folëm për mënyrën e kurimit dhe të trajtimit, por a mund të dimë se cilat janë faktorët që sjellin këtë problem?

Faktorët ndihmues janë të ndryshëm dhe lidhen kryesisht me ndryshimin e temperaturës, kohën e paqëndrueshme, të cilat favorizojnë shfaqjen e virozave që bëhen shkak për bllokimin e rrugëve të sipërme të frymëmarrjes dhe si rezultat shfaqjen e problemeve të veshit të mesëm. Pacientët ankohen për dhimbje të fortë, të menjëhershme, pulsante të veshit. Mund të ketë dhe rrjedhje sekrecionesh nga veshi. Shpesh shfaqet temperatura që mund të shkojë deri në 38-39 gradë dhe ka hundë të bllokuara. Pacienti ankohet për dhimbje koke, për humbje ekuilibri dhe marrje mëndsh. Kur pacienti nuk ka sekrecione nga veshi mjekimi është me antibiotik me spektër të gjerë veprimi. Por kur ka sekrecione përveç antibiotikut merret material për antibiogramë për të evidentuar llojin e mikrobit. Në këtë rast shtohen vazo konstruktorët. Mjekimi zgjat deri në 10 ditë.

Kur sëmundja zgjat ajo mund të kthehet edhe në kronike, po në këto raste si duhet vepruar?

Në qoftë se sëmundja nuk mjekohet në kohë dhe ashtu siç duhet ajo bëhet kronike dhe rriakutizimi i saj ndodh në pranverë dhe vjeshtë. Periudha e plazhit ndikon në shfaqjen dhe acarimin e veshit të mesëm. Prandaj para plazhit duhet treguar një kujdes i madh. Vendosja e tapave në veshë janë të domosdoshëm. Më pas bëhet dizinfektimi i veshit me alkool borik. Duhet bërë kujdes për hundën që të mos bllokohet dhe të thahen mirë veshët. Mbi të gjitha duhen ruajtur veshët nga trupa të huaj si rëra.

Mjekimi në kushtet e shtëpisë:

  1. Vendosni kompresa të ngrohta, të thata në vesh
  2. Përdorni si qetësues alkool borik
  3. Pini analgjezik për temperaturën
  4. Përdorni vazo konstriktore për hundët, pra pika në hundë
  5. Shmangni kontaktin e veshit me ujin gjatë larjes

PARANDALIMI

  1. Regjim ushqimor i pasur me vitamina për të rritur rezistencën e organizmit
  2. Veshje e përshtatshme sipas ndryshimeve të temperaturës
  3. Higjiena e organeve ORL (hundë, vesh, gojë)
  4. Fëmijët e moshave 2-5-10 vjeç që paraqesin sekrecione të shpeshta nga hundët, që marrin frymë me gojë hapur duhet të jenë në kontrollin e mjekëve.

1 Koment

  1. kam ooskleroze dhe nuk degjoj per 30 vjet tani kam humje ekulibri dhe mangesi nete folur,aparati nuk funksionon pasiradiograma tregon nen 0 . si te veproj?

LËR NJË MESAZH

Please enter your comment!
Please enter your name here