Tensioni i lartë i gjakut (hipertensioni) dhe diabeti janë shkaqet më të zakonshme apo më të shpeshta të sëmundjes së veshkave
Jeta Lakrori, specialiste e Institutit të Shëndetit Publik
Veshkat janë organe sa të komplikuara, aq edhe të mahnitshme. Veshkat janë organe çift të vendosura në të dy anët e shtyllës kurrizore, në pjesën e pasme të hapësirës së barkut nën kafazin e brinjëve, ku afërsisht secila veshkë ka madhësinë e grushtit tuaj.
Puna kryesore e veshkave është eliminimi i toksinave dhe ujit të tepërt nga gjaku ynë. Ato gjithashtu ndihmojnë për kontrollimin e tensionit të gjakut, për prodhimin e qelizave të kuqe të gjakut, si dhe për të mbajtur kockat tona të shëndetshme.
Pini ujë në vend të pijeve me sheqer
Studimet kanë treguar se njerëzit që konsumojnë lëngje të ndryshme, rregullisht çdo ditë, kanë një rrezik më të lartë për të zhvilluar sëmundje kronike të veshkave.
Pirja e dy ose më shumë lëngjeve në ditë dyfishon rrezikun e sëmundjes kronike të veshkave.
Kjo për shkak se pijet e buta rrisin nivelin e proteinave në urinë, të cilat konsiderohen si një shënues i hershëm i dëmtimit të veshkave.
Sëmundja kronike e veshkave
Sëmundja kronike e veshkave është në rritje në mënyrë dramatike, dhe kostoja e trajtimit të saj përbën një barrë të madhe mbi sistemet e kujdesit shëndetësor në mbarë botën. Rreth 1 në 10 njerëz kanë një formë të dëmtimit të veshkave, dhe çdo vit miliona njerëz vdesin para kohe nga komplikacionet e lidhura me sëmundjet e veshkave të tyre.
Si zbulohet sëmundja kronike e veshkave
Sëmundja kronike e veshkave në faza të hershme nuk ka simptoma, ndaj kalojnë pa u diagnostikuar. Dikush mund të humbasë deri në 90% të funksionit të veshkave pa pasur asnjë shenjë. Zbulimi i hershëm ashtu si edhe trajtimi i përshtatshëm është vendimtar, pasi mund të ngadalësojë përparimin e sëmundjes dhe të parandalojë nevojën për trajtim serioz mjekësor, si dializa dhe / ose transplanti i veshkës.
Shkaqet e sëmundjes kronike të veshkave
- Tensioni i lartë i gjakut (hipertensioni) dhe diabeti janë shkaqet më të zakonshme apo më të shpeshta të sëmundjes së veshkave.
- Presioni i lartë i gjakut shkakton më shumë se një të katërtën e të gjitha rasteve të pamjaftueshmërisë (insuficiencës) së veshkave.
- Diabeti shkakton rreth një të tretën e të gjitha rasteve dhe është shkaku më i zakonshëm i Sëmundjes Renale të Stadit të Fundit, në shumicën e vendeve të zhvilluara.
- Kushtet e tjera më pak të zakonshme përfshijnë inflamacion (Glomerulonefritin) ose infeksionin (pyelonefritin). Ndonjëherë SKV-ja është e trashëguar (të tilla si sëmundja polikistike) ose mund të jetë si rezultat i bllokimit për një kohë të gjatë të sistemit urinar (të tilla si zmadhimi i prostatës ose gurët në veshka).
- Disa ilaçe mund të shkaktojnë SKV, sidomos disa ilaçe kundër dhimbjes (analgjesikët) nëse merren për një kohë të gjatë. Shpesh mjekët nuk mund të përcaktojnë se çfarë e shkaktoi problemin.
Mënyrat e uljes së rrezikut
Ka disa mënyra të lehta për të zvogëluar rrezikun e zhvillimit të sëmundjes së veshkave. Disa ndryshime të vogla në sjellje mund të kenë përfitime të madha në shëndet, dhe këto ndryshime njihen si “tetë rregullat e arta për veshkat”:
- Qëndroni aktivë e në formë
- Kontrolloni rregullisht nivelin e sheqerit në gjak
- Masni rregullisht tensionin e gjakut
- Ushqehuni shendetshëm dhe mbani peshën nën kontroll
- Merrni sasinë e duhur të lëngjeve
- Mos pini duhan
- Mos përdorni ilaçe pa konsultën e mjekut
- Kontrolloni funksionin e veshkave nëse keni një ose më shumë faktorë të rrezikut:
- Jeni 50 vjeç e lart
- Vuani nga diabeti
- Vuani nga tensioni i lartë i gjakut
- Jeni mbipeshë apo i dhjamosur
- Jeni duhanpirës
- Keni histori familjare për sëmundje të veshkave


