Rolina Naço, dietologe
Në çfarë moshe, sasia, sa shpesh dhe si duhet dhënë e verdha e vezës, këto janë pyetjet më të shpeshta dhe dëgjoni shumë versione.
E verdha e vezës është një ushqim “DUHET” për vogëlushët në 6-mujorin e dytë të jetës së tyre. Ja pse:
- Përmban acide yndyrore të cilat trupi i njeriut nuk i prodhon dot vetë dhe që janë të domosdoshme për foshnjat për të formuar çdo qelizë të trupit.
Përmbajnë holinë, një vitaminë që ndikon në zhvillimin e trurit dhe në kujtesën e tij.- Vitamina A-D-E-K! Vitamina D ndodhet në pak ushqime dhe është e domosdoshme për zhvillimin e kockave dhe dhëmbëve!
- Pas 6-mujorit të parë foshnja juaj ka nevoje për Hekur ( Fe)! E verdha e vezës është një burim shumë i mirë!
Kur fillohet
Pas muajit të gjashtë mund të filloni të verdhën e vezës! Për të bardhën e vezës do t’ju duhet të prisni edhe 6 muaj dhe më pas ta jepni vezën e plotë kjo për të evituar alergji të mundshme!
Si fillohet
Si fillim do të filloni nga 1 lugë çaji , më pas 2 derisa të jepni 1 të verdhë të plotë! Kur ta jepni të plotë, mirë është ta jepni atë 1 ditë po, 1 ditë jo! Domethënë 3-4 herë në javë!
Si të jepet
Gjyshet tona na e jepnin të verdhën thjesht duke e zier atë surbull. Sot mjeku juaj pediatër do t’ju rekomandojë ta zieni mirë dhe më pas ta jepni. A e kishte gabim gjyshja juaj?
Në fakt jo! Unë personalisht vajzës sime ia jap surbull, por kam fatin dhe kam pula të kotecit tim, ku kushtet e higjienës, gjendja shëndetësore e pulave, ushqimi, ajrosja e tyre është në dijenë time!
Por kjo nuk ndodh kur e blejmë vezën në supermarket ose e marrim të fshatit! Ndaj është më mirë të kujdesemi!
1 vezë në 20.000 vezë është e kontaminuar me Sarmonelë që do të rrezikonte shëndetin e bebit tuaj!
Nëse e ziej shumë vezën
Është e vërtetë nëese e zieni shumë vezën, nuk është e lehtë t’ia jepni bebushit tuaj. Ndaj përdorni këtë përzierje:
- 1 e verdhë e vezës e zier
- 1 lugë gjelle vaj ulliri
- pak lëng limoni
Përzijeni duke e bërë kremoze, në këtë mënyrë lëngu i limonit do të ndihmojë përthithjen e hekurit që bebi juaj e ka të nevojshme.
Kujdes! Deri në moshën 1 vjeç, nëse bëni kek ose supë me vezë, mos harroni të jenë vetëm me të verdhën dhe jo bashkë me të bardhën e vezës.


