
Intervistë me Viktor Tushajn, kandidat i kualicionit të majtë në Bashkinë Lezhë. Tushaj ka drejtuar Bashkinë e Lezhës për dy mandate dhe po kërkon mandatin e tretë nga qytetarët.
Z. Tushaj, cilat janë planet tuaja lidhur me mjedisin?
Ne kemi filluar disa projekte rehabilitimi pikërisht për të bërë të mundur rilindjen urbane të Lezhës. Kjo rilindje ka një element të rëndësishëm për mjedisin, siç janë sipërfaqet e gjelbëruara. Bashkia Lezhë që unë kam drejtuar, ka qenë gjithmonë e vëmëndshme ndaj mjedisit, pasi jemi e vetmja bashki që aplikojmë projektin e mbledhjes së mbeturinave në mënyrë të
diferencuar dhe përmes këtij projekti kemi ulur ndjeshëm impaktin e ndotjes në të gjithë qytetin. Kjo tregon se ne kemi qenë shumë të vëmendshëm ndaj mjedisit, pasi këtë projekt e kemi aplikuar vetë më parë.
Me projektet e reja që kanë nisur tashmë do të kemi dhe dy lulishte në qendër të qytetit, çka do të thotë më shumë gjelbërim për qytetin e Lezhës dhe ato po ndërtohen me standarde evpropiane. Me përfundimin e tyre këto lulishte do t’i japim një pamje tjetër qytetit dhe do të kthehen në vende mjaft atraktive për t’u argëtuar qytetarët. Po ashtu edhe shëtitorja e bregut të Drinit, e cila ka nisur të jetë një tjetër vend me sipërfaqe të gjelbëruar dhe një shëtitore për qytetarët. Këto janë modelet që ne do të udhëheqin në Bashkinë e re të Lezhës, nëse qytetarët do të më votëbesojnë sërish më 21 qershor. Të gjitha qendrat e fshatrave të kthehen në vende argëtimi për qytetarët me lulishte dhe hapësira të gjelbra.
Sa për qind të buxhetit do të zërë mjedisi?
Është ende herët për të folur për këtë çështje, por çështjet e mjedisit do të marrin një vëmendje të madhe në Bashkinë e re të Lezhës. Ne do e ndajmë buxhetin atje ku janë nevojat më të mëdha, për të ndërhyrë dhe këtë jua garantoj që do të ndodhë, pasi fshatrat kanë probleme të shumta me mjedisin të cilat kërkojnë zgjidhje.
A keni biseduar me një grup ekspertësh për problemet më të mprehta të qytetit? Cilat? Si do t’i realizoni?
Unë jam prej dy mandatesh që drejtoj Bashkinë e Lezhës dhe tashmë i njoh mirë problematikat që ka ky qytet, të cilave shumë prej tyre u kemi dhënë zgjidhje. Ajo çfarë është më problematike, është erozioni në qafën e kalasë, e cila rrezikon shumë muret antike, por dhe disa banesa të lagjes “Sheher”. Kjo problematikë është prej vitesh, por tashmë e kemi studiuar edhe me grup ekspertash të cilët na kanë dhënë zgjidhje dhe pritet që ne të ndërhyjmë.
Në të gjithë kodrën pranë qafës së kalasë do të mbjellim pemë, duke e bërë një zonë të pyllëzuar dhe kjo ndikojë pozitivisht por do t’i japë edhe një pamje tjetër kalasë mesjetare të Lezhës. Kjo është problematika më e madhe që ka Lezha për momentin në mjedis, por që do ta zgjidhim shumë shpejt.
Ligji “Për Menaxhimin e Integruar të Mbetjeve” parashikon grumbullimin e diferencuar të mbetjeve në çdo bashki brenda vitit 2018. Si do ta realizoni?
Ne kemi nisur ta aplikojmë këtë projekt prej 6-vitesh në qytetin e Lezhës dhe ka dhënë një impakt shumë pozitiv, duke eliminuar ndotjen por, duke na siguar edhe të ardhura me riciklimin e mbeturinave. Ne ndajmë mbetjet që në burim në qytetin e Lezhës dhe më pas riciklohen, pasi dy vite më parë kemi hapur edhe qendrën e riciklimit në këtë qytet. Kjo ka ndikuar edhe në rritjen e personave të punësuar në Lezhë. Por unë nëse do jem unë që do drejtoj Bashkinë e re të Lezhës pas 21 qershorit, ky projekt në një hark kohor të shkurtër do të shtrihet në të gjitha Komunat që tashmë janë shkrirë të kësaj bashkie. Në këtë mënyrë japim një shembul dhe i bashkohemi nismave evropiane në vëmendjen tonë që do të kemi ndaj mjedisit dhe kjo është shumë pozitive, ndaj mjedisit, por fuqizojmë edhe industrinë ricikluese.
Gjelbërimi vazhdon të mbetet problem për çdo bashki. A përfshihet kjo në planet tuaja dhe çfarë konkretisht?
Ne jemi të fokusuar tek sipërfaqet e gjelbëruara në qytet, por edhe tek cilësia e tyre dhe mirëmbajtjen e pemëve dekorative në të gjitha lagjet dhe rrugët e Lezhës. Sot që flasim në Bashkinë e Lezhës janë të mbjellë me mijëra bli. Kjo vetëm që dekoron qytetin, por krijon në imazh mjaft të mirë për turistët që vizitojnë Lezhën. Kështu ne kemi vazhduar të mjedhim palma, duke shtuar çdo vit sipërfaqet e gjelbëruara dhe këtë do ta vazhdojmë edhe në të ardhemn. Ky model do na udhëheqë në Bashkinë e re të Lezhës.
Sa i takon energjive të rinovueshme, të cilat janë prioritet i vendeve të Bashkimit Evropian, a do keni ndonjë strategji për zhvillimin e tyre edhe në Bashkinë që do drejtoni?
Ky është prioritet yni dhe ne e kemi demostruar edhe më parë me sistemin e ndriçimit në këtë qytet. Kemi zbatuar një projekt ku kemi vendosur llampa që kursejnë energjinë elektrike në rrugët kryesore dhe sheshet e Lezhës. Por ajo çfarë duhet të them, është se ne po e aplikojmë këtë teknologji edhe në investimet e reja që po kryhen në qendër të qytetit të Lezhës dhe kjo do na udhëheqë edhe në të ardhmen në Bashkinë e madhe të Lezhës, pasi ky është prioriteti im: që Lezha të kthehet në një qytet evropian.
Ujërat e Lumit Drin janë tërësisht të ndotura, pasi derdhen ujërat e zeza të qytetit në të. Si do të zgjidhet ky problem?
Në fakt, impianti i ndërtuar në mes të qytetit të Lezhës dhe Shëngjinit ka qenë një investim i cili do të zgjidhte përfundimisht mbledhjen e të gjithë ujërave të zeza të këtyre dy qyteteve dhe të bënte dhe trajtimin e tyre për të mos patur asnjë lloji impakti në ndotjen e ujërave.
Ky investim nuk ka përfundur, por përfundimin e kanalizmëve dhe ujësjellësit e ri që ka nisur në qytet do të marrë zgjidhje ky problem dhe do evitohet derdhja e ujërave të zeza në Lumin Drin dhe të gjithë ujërat e zeza të trajtohen në impiant. Besoj se shumë shpejt ky problem do të marrë zgjidhje dhe ndotja në këtë lum nuk do të ndodhë më.
Ndotja akustike mbetet një problem shqetësues…
Të gjitha subjektet të cilat operojnë në qytetin e Lezhës do të jenë të licencuara dhe do të kenë monitorim të rreptë në orarin e muzikës, kjo për të eliminuar zhurmat. Ne do të jemi të kujdesshëm që të japim licenca aty ku plotësohen të gjitha kushtet e mosndotjes, me qëllim që të mos ketë impakt me ndotjen akustike në qytet. Do të rrisim më shumë vëmendjen dhe do t’i monitorojmë me Policinë Bashkiake dhe insitucionet e tjera të gjithë këto subjekte.
Problem në Lezhë mbetet hedhja e mbeturinave, siç është përroi i Fildanes, por dhe në një përrua në lagjen “Varosh”…
Në fakt, ne kemi hyrë disa herë në këto zona, duke i larguar këto mbetje që hidhen nga qytetarët e papërgjegjshëm, por sërish vijon të jetë e njëjta situatë. Kemi menduar të sensibilizojmë qytetarët që të mos i hedhin aty mbetjet dhe do të kemi një monitorim të rreptë për të gjithë ata që do të hedhin mbeturina në këto zona. Gjithashtu, në planin tim është që të aplikohen edhe gjoba për të gjithë ata qytetarë të cilët do të hedhin mbeturina në vende të pëparcaktuara.


