Virozat e përsëritura tek fëmijët, mjekët: Duhet të vaksinohen

Dr. Polikron Çelo duke folur për “Shëndet+”

Emanuel Smaka

Luhatjet e temperaturave gjatë stinës së vjeshtës dhe dimrit sjellin një numër të lartë të virozave tek të vegjlit. Mjekët thonë se për rastet e fëmijëve tek të cilët virozat janë të përsëritura duhet të aplikohen patjetër vaksinat.

Mjeku Polikron Çelo, me një eksperiencë të gjatë në fushën e mjekësisë, i cili aktualisht punon si pediatër në një klinikë private, thotë se është mjaft e vështirë të binden prindërit se vaksinimi është masa më e sigurt.

“Pavarësisht trajtimeve që bëjmë për rastet e virozave tek fëmijët, është e pamundur që të themi se i kemi mbrojtur tërësisht. Për të qenë të sinqertë, është shumë e vështirë që të parandalohen virozat kur janë të përsëritura. E vetmja masë parandaluese është vaksina dhe, për fat të keq, prindërit kanë një vlerësim negativ sa i përket rezultatit të tyre” – shprehet mjeku Çelo.

Prindërit akoma janë skeptikë sa i përket efektit që ka vaksinimi në parandalimin e virozave.

“Prindërit mendojnë se vaksina shkakton ndërlikime dhe nuk i përdorin tek fëmijët e tyre. Nëse vaksinat do të ishin të rrezikshme, ashtu siç mendojnë, Organizata Botërore e Shëndetësisë do t’i hiqte nga qarkullimi. Një fëmijë që sëmurët shpesh dhe ka probleme duhet të vaksinohet patjetër”- thekson mjeku teksa flet për gazetën “Shëndet+”.

Ndërkohë, shumë prindër, duke mos pasur besim tek vaksinat që shiten në Shqipëri, i sjellin ata nga jashtë vendi thotë mjeku pediatër. “Ky është një gabim i madh, pasi duke i sjellë vaksinat në çanta dhe në temperature jo optimale, humbet efekti”.

Simptomat e virozave dhe ndërlikimet

“Shenjat e para të virozave tek fëmijët që mund të shfaqen gjatë kësaj periudhe janë në rrugët e sipërme të frymëmarrjes, skuqje sysh, refuzim i ushqimit nga ana e të vegjëlve etj”.

“Këto shoqërohen me të përziera – tregon mjeku pediatër. “Temperatura sigurisht është ajo që shoqëron rastet, e cila varet sipas tipit dhe rezistencës së fëmijës”.

Ndërkohë, një shqetësim i përvitshëm, kryesisht në prag të dimrit dhe në pranverë, janë ndërlikimet e tjera që mund të lindin si pasojë e virozave.

Mjeku pediatër Polikron Çelo tregon se ndërlikimet serioze nuk janë të shpeshta, por duhet të trajtohen në kohë.

“Mesatarisht 10% japin ndërlikime, si p.sh. infeksionet në veshë. Ndërlikim tjetër mund të jetë me fytin, tip laringitesh, ku kolla mund të përkeqësohet” – tregon mjeku.

“Problemi tjetër  lidhet me sëmundjet e frymëmarrjes, ku nga virozat mund të çojnë deri në pneumoni. Ndërlikimet që mund të vijnë nga virozat tek fëmijët duhet patjetër të kapen në kohë”- thotë Çelo.

Sa i përket blerjes së medikamenteve direkt në farmaci nga prindërit pa u konsultuar me mjekët, Çelo e konsideron një gabim të madh.

“Blerja e medikamenteve nga ana e prindërve në farmaci për fëmijët e tyre, sigurisht që është e gabuar. Vetë fjala virozë do të thotë që shkaktohet nga një virus dhe mbi virusin nuk duhet të përdoren antibiotikët. Ne si pediatër nuk rekomandojmë antibiotikë për fëmijët, megjithëse në shumë raste prindërit e tyre i përdorin. Antibiotikët për fëmijët në rastet e virozave duhet të përdoren vetëm me këshillën e mjekut dhe në raste të veçanta”.

Në lidhje me rastet joserioze të virozave tek fëmijët, mjeku pediatër ka disa rekomandime. “Virozat e stinës tek fëmijët – thekson Çelo – mund të trajtohen edhe në ambiente shtëpie. Kjo do të thotë se shmangia e ekspozimit të fëmijëve në ambiente të populluara, trajtimi në temperatura optimale si dhe përdorimi i lëngjeve të ngrohta, mund të shmangin ndërlikimet nga virozat”.

Gjatë kësaj periudhe, muajt tetor dhe nëntor, mjekët pediatër shpjegojnë se prindërit duhet gjithashtu të tregojnë shumë kujdes tek ushqimi dhe veshja e fëmijëve./ Shendeti.com.al

Postime të ngjashme

Ministrja e Shëndetësisë: Nga shtatori, Check-Up mund ta bëjë çdo qytetar mbi moshën 35 vjeç
Çfarë i ndodh trupit tonë kur kalojmë shumë orë në diell?
Eurostat: Shqipëria, e katërta në Europë për vdekjet nga ndotja e ajrit
Rritet ndjeshëm konsumi i barnave, në tremujorin e parë të vitit
Protesta/ Qytetari denoncon sistemin shëndetësor:Gjatë ndërhyrjes për tumor, spitali mbeti pa kondicionim
E rëndë/ Foshnja humb jetën rrugës për spital, procedohen penalisht dy mjekë pediatër
Mente: 7 përfitime shëndetësore që mund të mos i keni ditur
Lajm i mirë për pacientët me Sklerozë Multiple! NHS sjell për herë të parë ilaçin që përmirëson lëvizshmërinë