Rritet ndjeshëm konsumi i barnave, në tremujorin e parë të vitit

Tregu i barnave dhe kozmetikës po rritet me shpejtësi si në volum ashtu edhe në vlerë. Të dhënat zyrtare të INSTAT treguan se në mars 2026 indeksi i vlerës së shitjeve në këtë kategori arriti në 154.8 pikë, (ku 2021 ishte =100) që do të thotë se tregu ishte 54.8% më i madh në vlerë sesa niveli mesatar i vitit 2021.

Në të njëjtën kohë, indeksi i volumit arriti në 150.3 pikë, duke treguar se sasia e produkteve të shitura ishte 50.3% më e lartë se në vitin bazë 2021.

Krahasuar me marsin e vitit të kaluar, shitjet u rritën me 7.6% në vlerë dhe me 7.5% në volum. Ritmet pothuajse identike të dy treguesve tregojnë se zgjerimi i tregut është mbështetur kryesisht nga rritja e sasive të shitura dhe jo nga shtrenjtimi i produkteve.

Rritja e vazhdueshme po reflekton zgjerimin e kërkesës për barna, pajisje dhe produkte mjekësore, por edhe për artikuj kozmetikë, parfume dhe produkte të kujdesit personal. Megjithatë, të dhënat mujore shfaqin luhatje të forta, me nivele më të larta zakonisht në muajin dhjetor dhe në disa muaj të fillimit të vitit.

Edhe tremujori i parë i vitit 2026 konfirmoi këtë prirje, me vlerën e shitjeve që u rrit mesatarisht me 6.2% dhe volumin me 6.1% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Shqipëria ka aktualisht më pak banorë, por një pjesë gjithnjë e më e madhe e tyre janë të moshuar dhe kanë nevojë për trajtime të vazhdueshme. Sipas Censusit 2023, rreth 19.7% e popullsisë ishte mbi 65 vjeç, nga 11.3% në vitin 2011. Pothuajse një në pesë banorë është në një grupmoshë përdor më shpesh barna dhe, në shumë raste, merr disa medikamente njëkohësisht.

Një faktor tjetër që po rrit konsumin e barnave është përhapja e sëmundjeve kronike. Sëmundjet kardiovaskulare, diabeti, tumoret dhe sëmundjet kronike të frymëmarrjes kërkojnë trajtime që nuk kufizohen në disa ditë, por mund të zgjasin për vite ose gjatë gjithë jetës. Sipas profilit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, sëmundjet jo të transmetueshme përbëjnë rreth 93% të të gjitha vdekjeve në Shqipëri, duke treguar peshën e madhe që këto diagnoza kanë në nevojën për barna.

Krahas barnave me recetë, është rritur edhe përdorimi i produkteve që blihen drejtpërdrejt nga qytetarët, si qetësuesit, vitaminat, mineralet, suplementet, preparatet për imunitetin, produktet dermatologjike dhe medikamentet për problemet e tretjes apo të frymëmarrjes.

Edhe përkeqësimi i disa faktorëve të stilit të jetesës po shton nevojën për trajtim. Ushqyerja jo e shëndetshme, mbipesha, aktiviteti i ulët fizik, duhanpirja, ndotja e ajrit dhe stresi janë të lidhura me sëmundjet e zemrës, diabetin, problemet e frymëmarrjes dhe çrregullime të tjera kronike. / monitor

Postime të ngjashme

EMRI/ Ndalohet drejtori i Spitalit të Fierit, zbardhen detajet e para
Shqipëria vijon të shuhet, lindjet ranë me 10.5% në T3, shtesë pozitive vetëm Tirana e Durrësi
Shtatë fëmijë të Kopshtit nr. 10 në Vlorë përfundojnë në spital, dyshohet për helmim nga ushqimi
Produktet e pasigurta në treg, alarmi vjen nga Belgjika; kontrollet në Shqipëri ranë me 33% në 2025
Trajtimi me medikamentet GLP-1 RA, mjekja zbulon gabimet më të zakonshme që bëjnë pacientët
Buxheti 2027/ Spahiu: 117.8 miliardë lekë për shëndetësinë dhe mirëqenien sociale
Pagesat nga xhepi për shëndetësinë, Raporti i KE: Qytetarët paguajnë tri herë më shumë se mesatarja e BE-së
Mjekja zbulon dietat që janë efektive për rënien nga pesha