Kryefaqja Aktualitet Vonesa dhe pritje të gjata për marrjen e shërbimit tek onkologjiku, prishet...

Vonesa dhe pritje të gjata për marrjen e shërbimit tek onkologjiku, prishet sistemi

0
Shpërndaje

Desara Çela

Gazeta “Shëndeti online” bëri sot një monitorim në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, pas denoncimeve për trafik të ngarkuar makinash në ambientet e këtij spitali.

Pas verifikimit të situatës, e cila si duket u qetësua shpejt, u pa se një tjetër radhë ishte krijuar përpara shërbimit të onkologjisë. Pacientët po prisnin me orë në radhë për tu futur brenda dhe për të bërë ekzaminimet ose vizitën me mjekun specialist.

Shkak ishte mosfunksionimi i sistemit për të regjistruar pacientët. Pacientë nga Tirana por edhe nga rrethet qëndrojnë përpara koordinatorit ku i kërkojnë llogari se pse nuk po futen brenda për të marrë shërbimin dhe pse po presin aq shumë orë jashtë në radhë.

Një pacient nga Lushnja shprehet për gazetaren me rekomandimin në dorë duke i thënë:

Kam ardhur nga Lushnja në orën 12 sepse në atë orar e kisha për të bërë një eko abdominale, jam me tumor në stomak. Kam një orë që pres këtu jashtë në të ftohtë që të më thërrasë emrin që të futem brenda të bëj ekon. Sa herë që e pyesim koordinatorin se pse po presim kaq gjatë  ai na thotë se është prishur sistemi dhe nuk mund të më regjistrojë për të bërë ekon. Pasi të bëj ekon unë do nisem për në Lushnjë por se di dhe sa do pres këtu”.

Një tjetër paciente shprehet se: “ Kam 3 orë që pres jashtë për të marrë përgjigjen e skanerit por koordinatori  më thotë se është prishur sistemi dhe duhet të presësh. Edhe sa do pres? Kur do rregullohet sistemi? Kam gjithë ditën që rri këtu jashtë.”

Kjo nuk është hera e parë që në këtë shërbim del jashtë  funksioni sistemi për të regjistruar të dhënat e pacientëve. E njëjta situatë ka ndodhur edhe me datë 11 shkurt 2021 pranë këtij shërbimi ku mosfunksionimi i sistemit ka lënë në pritje pacientët për të marrë shërbimin e kërkuar.

 

LËR NJË MESAZH

Please enter your comment!
Please enter your name here