“Jam rritur në një familje që nuk kishte shumë të ardhura. Me paratë që kishim prindërit mezi na siguronin ushqimin. Kështu që, kur më erdhën periodat, përdorja çorape, letër higjienike – çdo gjë që mund të më ndihmonte në ndalimin e gjakderdhjes, ” rrëfen A.D.
Ajo shprehet se nga pamundësia për të përballuar blerjen e produkteve menstruale filluan dhe mungesat e shumta në shkollë.
“Mungoja shpesh në shkollë, sepse nuk mund të dilja. Me ato produkte që unë përdorja njollosesha. Një ditë mendova se isha më e sigurtë dhe vajta në shkollë. Teksa qëndroja së bashku me shoqet në oborrin e shkollës vura rë që më ishin skuqur xhinset. Të gjithë po më shikonin. Ishte vërtet e turpshme”, rrëfen më tej ajo.
Varfëria menstruale është një problem që prek vajzat dhe gratë në mbarë botën. Varfëria menstruale nënkupton që vajzat dhe gratë në grupe të caktuara nuk mund të përballojnë, ose të kenë akses në produktet menstruale. Termi mbulon gjithashtu tabutë, stigmatizimin dhe mungesën e edukimit në menstruacionet e grave.
Lidhur me heqjen e TVSH-së mjekja obstetër-gjinekologe Mimoza Keta, shprehet:
“Ka ardhur koha që kjo të jetë një detyrim për t’u bërë dhe unë them që në të gjitha këto dhomat higjenike të vendosen tampona apo lines, t’i kenë falas vajzat dhe gratë që janë nëpër shkolla.”
E ndërsa autoritetet mendojnë nëse ka para për këtë qëllim apo jo, bota punon me praktika të mira dhe shembulli vjen nga Skocia. Është i pari dhe aktualisht i vetmi vend në botë që detyron ligjërisht të gjitha institucionet publike, përfshirë shkollat dhe universitetet, të ofrojnë produkte menstruale falas në ambientet e tyre.
Ligji, i cili hyri në fuqi në janar 2021, kërkon që qeveria skoceze të krijojë një program kombëtar për të ofruar produkte falas për këdo që ka nevojë për to. Shkollat dhe universitetet duhet të kenë disa lloje të produkteve menstruale pa pagesë në tualetet e tyre dhe qeveria ka fuqinë të detyrojë të gjitha objektet e tjera publike të ofrojnë produkte menstruale falas.
Ndryshime të tilla në legjislacionin skocez pasuan shumë aktivitete për të nxjerrë në pah problemin e varfërisë menstruale dhe këto praktika u kryen nga aktiviste të reja femra, veçanërisht në institucionet arsimore.
Lidhur me legjislacionin për përjashtimin ose uljen e taksës për produktet menstruale, në vitin 2019 Parlamenti Evropian miratoi një rezolutë që u bën thirrje shteteve anëtare të ulin taksat për produktet menstruale, duke iu referuar vlerave dhe parimeve thelbësore të BE-së për të promovuar barazinë gjinore dhe mosdiskriminim.
Direktiva e BE-së për sistemin e përbashkët tatimor të vitit 2006 është baza në uljen e taksës për produktet menstruale në 5% në nivel të të gjitha shteteve anëtare. Një numër i madh vendesh në BE e kanë zbatuar tashmë këtë direktivë, si: Belgjika, Holanda, Portugalia, Franca dhe Qiproja dhe në Irlandë produkte të tilla janë plotësisht pa taksa.
Në shoqërinë shqiptare, gratë dhe vajzat ende kanë turp të flasin për menstruacione si fenomen dhe njohja e koncepteve të të drejtës menstruale dhe varfërisë menstruale mbetet ende shumë e vakët. Nga ana tjetër, kushtet ekonomike të grave dhe vajzave në Shqipëri i përballin ato me vështirësi reale në menaxhimin e kujdesit minimal personal për veten. Ndaj në raportin e prodhuar nga TFL rekomandohet:
- Heqjen e plotë të TVSH për produktet menstruale me synim reduktimin e çmimit të shitjes së këtyre produkteve.
- Rishikimin e Dokumentit të Strategjisë Kombëtare të Barazisë Gjinore miratuar me Vendimin e Këshillit të Ministrave nr.400/2021, ku të përfshihet si politikë e veçantë ofrimi i pecetave higjienike falas për vajzat në shkolla, universitete, burgje dhe institucionet të tjera ku mbizotërojnë gratë.
- Ndërgjegjësimin dhe sensibilizimin e aktorëve të ndryshëm si politikë-bërësit apo donatorët dhe mbështetësit ndërkombëtarë mbi rëndësinë e trajtimit në shoqërinë shqiptare të çështjes së të drejtës dhe varfërisë menstruale dhe implikimet buxhetore që mund të vijnë nga politikat lehtësuese në këtë fushë.
- Organizimin e fushatave edukuese dhe ndërgjegjësuese lidhur me menstruacionet për të hedhur poshtë tabutë dhe paragjykimet e krijuara lidhur me këtë temë.
Mbetet për të shpresuar se praktikat e sjella në këtë artikull të shërbejnë si shembull në vendin tonë dhe të ndikojnë drejtpërdrejt në tejkalimin e varfërisë menstruale. Deri atëherë është e rëndësishme zhvillimi dhe ndërgjegjësimi i qytetarëve për këtë çështje.
Ky artikull, u prodhua si si pjesë e projektit “Reglons les Tabous”, mbështetur nga Ambasada Franceze dhe zbatuar nga Shoqata Together for Life.


