Kryefaqja Vip-Shendet Ylli Baka: Shëndeti është i pari

Ylli Baka: Shëndeti është i pari

0
Shpërndaje

Bisedoi: Elena Beta

Mund të thuhet se kënga popullore identifikohet me emrin e tij. I kërkuar në koncerte në të gjithë botën, sidomos me bashkëpunimet e reja me artistë të teatrit, Ylli Baka rrëfen për gazetën “Shëndet +” çfarë i bën njerëzit ta duan dhe të pëlqejnë muzikën e tij. Kur bisedon me të, vë re kënaqësinë që ndjen kur të tregon videot nga koncertet dhe se sa i madh është numri i njerëzve që e ndjekin. I bën përshtypje mosha e re e fansave që dinë çdo këngë të tijën. Një natyrë tepër sportive, aspak i ndikuar nga fama dhe suksesi që e rrethon, Ylli i beson fort shprehjes “Duaj, që të të duan”. Në intervistën më poshtë mund të lexoni më shumë për jetën e tij jashtë skenës, si kanë qenë fillimet e karrierës, sa ia lehtëson fama jetën në Shqipëri dhe shumë detaje të tjera interesante për bashkëpunimet e fundit dhe baladën “Ditët e Janarit”.

Ylli, ti je një nga këngëtarët e muzikës popullore më të preferuar në Shqipëri dhe jo vetëm. Sa vite ke që i dedikohesh muzikës popullore dhe si e kujton daljen tënde të parë në skenë?

Karriera ime ka filluar në vitin ’93, si pjesë e një grupi nga Memaliaj, krijonim vetë muzikë, madje unë kam qenë dhe baterist. Ky bashkëpunim zgjati deri në vitin 1996. Më pas jam shpërngulur për të jetuar në Athinë, ku dhe merresha me muzikë ilegalisht (qesh) për faktin se nuk kam pasur dokumente. Kam punuar në arkeologji si dhe në një ndërmarrje derisa plotësova ditët e punës dhe mora dokumentet. Në vitin 2002 kam nxjerrë një album, i cili nuk u promovua shumë edhe për fatin se unë nuk jetoja në Shqipëri. Në vitin 2004 erdhi albumi tjetër “Këngët e vendit tim”. Filluan klipet e para. Më pas nuk kam ndaluar së prodhuari. Kam nxjerrë 150 këngë në total si dhe 51 videoklipe. I fundit, “Këngët e janarit”, e kam shumë për zemër dhe është xhiruar në Korçë.

Mund të më flasësh pak më shumë për “Ditët e janarit”… Si lindi ideja e këtij projekti, që dallon nga këngët që jemi mësuar ta shohim Yllin të interpretojë?

Publiku e ka pëlqyer. Edhe pse kam punuar dhe më përpara balada, kjo këngë pati diçka të veçantë dhe u pëlqye menjëherë. Rastësisht kam qenë në studion e një shoku, po pinim kafe dhe i thashë: “meqenëse është pak ftohtë, bjeri tastierës të këndojmë”.

Kush e ka shkruar tekstin?

E kam shkruar vetë.

Së fundmi ke realizuar disa bashkëpunime me personazhe të njohur të skenës së teatrit. Si janë pritur ata nga publiku?

Të them të vërtetën, bashkëpunimi me Bes Kallakun tek kënga e Baftjarit ka qenë jashtëzakonisht i suksesshëm dhe është pritur shumë mirë nga publiku, i çfarëdolloj moshe. Gjithashtu dhe kënga e dytë që realizova me Besin ishte e suksesshme po njëlloj “Çohu kërceni”. Kemi bërë plot koncerte. Me Gent Hazizin gjithashtu pati sukses kënga që punuam. Kënga që kemi krijuar është si një mënyrë për të uruar njerëzit për Vitin e Ri. Është më i bukur urimi nëpërmjet këngës.

Mendon se do vazhdosh me bashkëpunime të tjera, me të tjerë aktorë të humorit?

Jo, nuk e mendoj. Kënga dhe humori kanë shumë lidhje me njëra tjetrën, të dyja janë për qejf dhe shkojnë bashkë, por s’mund të bësh gjithmonë të njëjtat gjëra, pasi u humbet lezeti. Unë do vazhdoj të eksperimentoj dhe të gjej mënyra të reja për të qenë sa më pranë publikut që më ndjek.

Mjafton një kërkim i shpejtë në profilin tënd në Facebook dhe kuptohet sa shumë të duan njerëzit. Çfarë mendon se e bën publikun të të dojë dhe të të kërkojë në koncerte në të gjithë botën?

E vërteta është se duke i dashur njerëzit, duke u afruar me ta përmes muzikës që bëj, i kanë shumë për zemër këngët e mia dhe ndjekin në koncertet e mia gjithmonë. Si thotë një shprehje “duaj, që të të duan”. Besoj se kjo vlen dhe në rastin tim.

Duke qenë se je tepër i angazhuar në koncerte brenda dhe jashtë vendit, si e menaxhon kohën për të qëndruar pranë familjes dhe të dashurve të tu?

Në ditët e festave kam qenë gjithmonë nëpër koncerte. Nuk kam qenë asnjëherë në shtëpi, u bënë vite. Së fundmi kam filluar t’i marr fëmijët me vete. Më shumë kur jam afër, Greqi, Itali. Në këtë mënyrë edhe punoj edhe qëndroj së bashku me familjen. Në fund të fundit puna është punë, festat janë ato ku ka më shumë volum koncertesh dhe janë më produktive për artistët.

Po fëmijët , mendon se do të ndjekin hapat e tu?

Unë kam 3 fëmijë, 2 djem binjakë dhe një vajzë 17 vjeçe. Sigurisht që kanë marrë nga unë dhe kanë qejf muzikën, por të shohim në të ardhmen çfarë do të vendosin.

Të kalojmë në një atmosferë tjetër pyetjesh. Të del koha të ndjekësh një dietë të rregullt ushqimore?

Jo, nuk e ndjek dot. Ka pasur raste që kam tentuar dhe nuk ia kam dalë. Kur je i ngarkuar me koncerte, më beso që nuk të del koha të ushqehesh ashtu si duhet, të duhet të vraposh të kapësh ritmin gjithmonë. Unë kam një punë që më bën të udhëtoj shpesh, të shkosh në Itali dhe mos të provosh një verë të mirë, ç’ kuptim ka? (qesh) .

Si je me konsumimin e alkoolit?

Një gotë verë në drekë po, ka raste dhe 2 apo 3. Gjatë punës time asnjëherë, mendoj se ndikon në performancë duke e dëmtuar atë.

Di të gatuash?

Duke qenë se kam ikur i vogël nga shtëpia, di të bëj ndonjë gjë të shpejtë. Më përpara i bija shkurt, një biftek , një sallatë dhe iku vakti. Tani jam më i fokusuar të eksperimentoj me supat apo sallatat e ndryshme.

Të është dashur të shkosh në spitalet tona shtetërore në rolin e pacientit apo të shoqëruesit? Si të kanë pritur? Ke marrë vëmendjen dhe kujdesin e duhur?

Në fakt ndikon pak, edhe pse unë jam njëri i thjeshtë dhe nuk mendoj që duhet të jem më i privilegjuar se njerëzit e tjerë. Tani, kur ka shumë radhë, del gjithmonë një fans i imi që ma shkurton pritjen (qesh).

Çfarë vlerësimi do të jepje për mjekët?

Unë nuk kam pasur raste personale, por mund të them se jemi një vend në zhvillim dhe jemi duke u përmirësuar në çdo aspekt, përfshi këtu dhe sistemin shëndetësor.

Çfarë ta zbukuron ditën?

Shoqëria e mirë!

Cili është kolegu me të cilin ke më shumë shoqëri?

Likja nga Fieri, baterist, dhe Arben Duka poet.

Lexon për shëndetin?

Po, lexoj. Tani me moshën fillon dhe ndonjë problem shëndetësor dhe dashje- padashje lexon se të hyn frika.

Cili do të jetë bashkëpunimi i radhës?

Deri në qershor them të shijoj “Ditët e janarit”. Për 1 muaj e gjysmë kam nxjerrë 4 videoklipe, prandaj deri në verë do shijoj produktin që kam prodhuar deri tani. Më vonë do këtë projekt të ri, të cilin nuk dua ta zbuloj akoma.

Sa të kushtueshme janë videoklipet e tua?

Janë shumë të kushtueshme, por të them të vërtetën unë nuk u kushtoj shumë rëndësi. Dua gjithmonë t’i mbaroj shpejt. A ka mundësi për 1 orë, për 2 orë? (qesh). Kënga e vitit të ri që kam realizuar me Gent Hazizin është xhiruar për 30 minuta. Nuk e shoh kurrë videoklipin si një mënyrë për të depërtuar në zemrën e publikut, jam më shumë i fokusuar tek audio.

Një mesazh për të gjithë ata që dëgjojnë muzikën tënde

Ju uroj një pranverë të bukur dhe do shihemi shumë shpejt me këngë dhe video të reja. Si thuhet dhe në tekstin e këngës time: “Gëzuar të keqen vëllai, se shëndeti është i pari, pastaj vjen leku dhe dollari”./ Shendeti.com.al

LËR NJË MESAZH

Please enter your comment!
Please enter your name here