Për gazetën “Shëndet+” Rezar Deveja, kardiokirurg
Zemra është një organ i cili mund të preket nga sëmundje që dëmtojnë miokardin ose valvulat e saj. I sëmuri mund të ndjejë shqetësime të ndryshme, të cilat varen nga lloji i sëmundjes por edhe nga rëndesa e saj.
Në shumicën e rasteve, problemet e zemrës zhvillohen shumë ngadalë, me kalimin e viteve. Gjatë kësaj periudhe, zemra krijon vetvetiu mekanizma të ndryshëm përplotësues që të arrijë të përmbushë nevojat e organizmit me gjak. Për vite të tëra të sëmurët mund të mos kenë asnjë shqetësim, por herët a vonë simptomat do të shfaqen dhe i sëmuri do të kuptojë se diçka po ndodh.
Atëherë ai duhet t’i drejtohet mjekut që të diagnostikojë dhe të trajtojë problemin.
Cilat janë shenjat për të cilat duhet të dyshojmë se zemra mund të ketë problem?
Dhimbja. Kjo është ndër simptomat kryesore të zemrës. Quhet ndryshe anginë. Angina mund të ketë veçori tipike ose jo. Veçori dalluese është lokalizimi i saj në gjoks. Ajo mund të ndihet si peshë, si shpim ose si shtrëngim. Mund të përhapet në drejtim të krahut të majtë ose të qafës. Por, nganjëherë mund të lokalizohet edhe në zonën e stomakut. Paraqitet zakonisht mbas një aktiviteti fizik, kur dalim në ajër të ftohtë, pas një vakti të rëndë, ose pas një gjendje të rëndë shpirtërore. Një tjetër veçori dalluese e anginës është fakti se kjo dhimbje lehtësohet gradualisht shpejtë, sapo ndërpritet aktiviteti fizik. Por nuk është e thënë që angina të ndihet me të gjitha këto veçori njëherazi. Ajo mund të shfaqet edhe vetëm me disa prej tyre.
Dispnea. Ndryshe quhet vështirësi në frymëmarrje. Kjo simptomë vërehet në shumë sëmundje të zemrës dhe është kryesisht shenjë e insuficencës së zemrës. Dispnea mund të ndihet gjatë një aktiviteti fizik të lehtë ose kur jemi të shtrirë në krevat. Por, sapo ndalojmë aktivitetin ose kur ngrihemi nga krevati, ajo ndalon shumë shpejt.
Edemat e këmbëve. Ato janë fryrje të këmbëve për arsye të grumbullimit të ujit në to. Kjo është një shenjë e gjendjeve të përparuara të sëmundjeve të zemrës dhe tregon edhe për insuficencë të saj.
Rrahjet e gjoksit. Rrahjet e zemrës kur punon normalisht nuk janë të ndjeshme. Ato mund të bëhen të ndjeshme pas një aktiviteti fizik të rëndë, pas një çasti tronditës shpirtëror ose nga abuzimi i alkoolit apo i duhanit. Në rastet kur ndjenja e rrahjes së gjoksit nuk lidhet me faktorët që përmendëm më lartë, por shfaqet në çaste qetësie ose gjatë një aktiviteti normal fizik, atëherë duhet t’i drejtohemi mjekut për të sqaruar nëse zemra ka ndonjë problem.
Sinkopi. Është rasti kur dikush humbet ndjenjat. Kjo mund të jetë një simptomë tipike për arsye aritmie, por nga ana tjetër mund të ketë prejardhje nervore, duke ndikuar përkohësisht zemrën.
Kolla me gjak. Rrallë herë mund të paraqitet kolla me gjak. Ajo normalisht përbën një simptomë të gjendjeve të përparuara të sëmundjeve të zemrës, për arsye të kongjestionit të mushkërive. Kryesisht vërehet në stenozë mitrale. Nuk është e thënë që këto shenja të lidhen gjithmonë me çrregullimet e zemrës. Ka edhe sëmundje të tjera jo kardiake të cilat mund t’i shkaktojnë ato. Prandaj, për t’u bërë diagnostikimi i saktë, duhet patjetër të drejtohemi tek mjeku.
Rëndësia e diagnostikimit të hershëm
Parandalimi dhe diagnostikimi i hershëm i sëmundjeve të zemrës përbën në vetvete edhe terapinë më të mirë. Është më se e ditur se ishemia e zemrës lidhet ngushtë me diabetin, hipertensionin, kolesterolin e lartë ne gjak, duhanin, obezitetin apo me trashëgiminë familjare. Për sa i përket sëmundjeve të valvulave, ato lidhen kryesisht me ethen reumatizmale, si edhe me moshën e vjetër.
Sëmundjet e zemrës përbëjnë shkakun kryesor të vdekjeve në mbarë botën dhe nga ky fakt kuptohet sa i rëndësishëm është parandalimi dhe diagnostikimi i hershëm i tyre. Sa më shpejt të merren masat, aq më e mirë është ecuria e tyre. Kjo është një këshillë e vlefshme jo vetëm për ata që kanë simptoma, por edhe për ata të cilët nuk ndiejnë shqetësime nga zemra.
Për sa i përket atyre që kanë simptoma si: dhimbje gjoksi, vështirësi në frymëmarrje, dobësi të përgjithshme, aritmi etj, duhet t’i drejtohen mjekut pa vonesë, që të fillohet sa më shpejt trajtimi mjekësor dhe të parandalohen komplikacionet e ndryshme.
Ndërhyrja e hershme apo e menjëhershme iu zgjat ose iu shpëton jetën këtyre të sëmurëve. Rasti i atyre të cilët nuk kanë simptoma përbëhet nga të sëmurë që janë me diabet, me hipertension ose me kolesterol të lartë. Gjithashtu, ata që janë duhanpirës, që janë obezë apo kanë histori familjare me infarkt, janë të prirur për probleme të zemrës.
Nëse dikush ka një ose disa nga këta faktorë, ai paraqet një rrezikshmëri shumë më të lartë sesa pjesa tjetër e popullsisë për ishemi apo infarkt. Po ashtu, edhe mosha e vjetër hyn në këtë kategori. Hapi i parë që duhet bërë është vizita tek kardiologu, i cili do të diagnostikojë hershëm ose do ta përjashtojë një sëmundje të zemrës.
Është më e arsyeshme një vizitë tek mjeku se sa neglizhenca, e cila mund të jetë edhe vdekjeprurëse. Kryesisht, në ishemitë e zemrës, vizita e hershme tek mjeku mund të luajë rolin vendimtar në prognozën e sëmundjes dhe shpëtimtar për shëndetin e këtyre njerëzve./ Shendeti.com.al