Ulërima. Terror. Traumë. Këto janë fjalët që kanë përshkruar mëngjesin e së hënës në repartin e hemodializës në Spitalin Amerikan. Një grindje mes dy pacientëve ka shkaktuar vdekjen e dy grave paciente, plagosjen e rëndë të dy personave të përfshirë, si dhe plagosjen dhe rrezikimin e jetës së 26 pacientëve që në kohën e ngjarjes po kryenin seancën e dializës.
“U terrorizuam! Ishim nga dhoma tjetër për të marrë shërbimin dhe dëgjuam vetëm ulërima. Mjekët erdhën me vrap, na hoqën aget, çmontuan pajisjet me shpejtësi dhe dolëm përjashta”, tha Ludovik Prendi, një nga pacientët e hemodializës. Pacientë të tjerë mes ankthit tregojnë tmerrin e përjetuar mes tymit dhe flakëve. Dritaret e katit të parë ku kryhej hemodializa ishin me kangjella, një arsye për të shtuar tmerrin e tyre, ndërsa “të lidhur” me aparaturën me të cilën pastrojnë gjakun e tyre, mundësia për shpëtim ka qenë e vogël. “Kishte gjak kudo, ndërsa filluan të gjithë të shkulnin tubat nga krahët për të shpëtuar jetën. Ishte tmerr”, rrëfen një pacient tjetër.
Ndërkohë, familjarë të ndryshëm kërkonin të afërmit e tyre nën ankthin se mund t’u kishte ndodhur diçka, pa mundur të merrnin një informacion të saktë. Nën tmerrin e përjetuar, ata nuk kanë ngurruar të kapen me mediat që pasqyronin ngjarjen: “Pse e nxirrni lajmin pa konfirmuar? Ku e dini ju që ka vdekur? Ai emër që thuhet në media, është nëna ime. Policia nuk ka thënë që ka vdekur!” bërtiste vajza e njërës prej pacienteve viktima, e cila vetëm pak më pas konfirmoi ndërrimin e jetës së të ëmës.
A ka përgjegjësi institucionale?
Për gjithçka që ndodhi, policia, ministri i Shëndetësisë, Zjarrfikësit dhe FSDKSH, Spitali Amerikan kanë dhënë versionin zyrtar: një pacient u grind me një tjetër dhe i hodhi benzinë, që shkaktoi zjarrin që çoi në vdekjen e dy personave dhe plagosjen rëndë të dy të tjerëve. Ndërkohë, lidhur me përgjegjësinë institucionale u tha shumë pak (Pyetjet më të shpeshta: Ku e gjeti benzinën pacienti? Pse u lejua futja e benzinës në spital? A kishte forca sigurie në spital në kohën e ngjarjes? Ku ishte stafi mjekësor në kohën që ndodhi konflikti mes dy pacientëve?)
Drejtori i Shërbimit Zjarrfikës, Shkëlqim Goxhaj, ishte i pari që raportoi nga vendi i ngjarjes se konflikti ishte mes dy pacientëve. Sipas tij, dyshohej se dy pacientë që kanë pasur një konflikt të zgjatur njëri me tjetrin, ishin përfshirë në një debat që shkaktoi zjarrin. Ndërkohë lidhur me sigurinë e jetës së pacientit nuk u tha asgjë nga drejtori Goxhaj.
Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, foli për “një fatalitet”. Teksa përmendi punën heroike të infermierëve që shpëtuan jetën e pacientëve (të cilët i falënderojmë edhe ne), tha se organet kompetente kanë filluar hetimin e tyre dhe kërkoi që të liheshin organet të bënin vlerësimin juridik të kësaj situate. Sipas ministrit, “do të vazhdojmë të mbikëqyrim zbatimin e pjesës administrative të kontratës që Fondi ka me këtë institucion”.
I kontaktuar nga gazeta “Shëndet+”, Fatjon Ferko i FSDKSH-së u shpreh se duhet kuptuar përgjegjësia e Fondit në këtë çështje. “Logjikisht, Fondi monitoron ofrimin e shërbimit të hemodializës ku përfshihen zëra të caktuar, por nuk është Fondi që merret me sigurinë fizike të pacientit”, u shpreh Ferko.
Ndërkohë, drejtoresha e FSDKSH-së, Vjollca Braho, teksa foli për faktin që pacientët do të marrin të gjithë shërbimin e hemodializës, sipas “Boldnews”, mësohet të ketë thënë se “Spitali Amerikan mban përgjegjësi për sigurinë e pacientëve brenda dhomës ku kryhet Dializa”.
Lidhur me ngjarjen e ndodhur, mjekja Fjona Nasto, në emër të Spitalit Amerikan deklaroi: “Ngjarja ka ndodhur në një ambient ku ishin 30 pacientë. Mund të konfirmojmë që nga kjo ngjarje kanë mbetur dy viktima. Pjesa tjetër, falë punës së mirë të stafit mjekësor është mundur të zgjidhet nga pajisjet në kohë”.
E pyetur nga gazetarja Denisa Canameti e gazetës “Shëndet+” se kush përgjigjet për sigurinë e pacientëve gjatë kohës që ata marrin shërbimin e dializës, Nasto u përgjigj: “Duhet të kujdesemi për shërbimin ndaj pacientëve apo për sigurinë ndaj pacientëve?!”
E pyetur nëse kjo nënkupton që ata janë të ekspozuar ndaj çdo rreziku tjetër, Nasto tha se “jemi këtu për të ofruar shërbim shëndetësor dhe vetëm shërbim shëndetësor të standardeve të larta. Ne nuk kontrollojmë dot sendet personale të pacientëve. Është çështje etike. Kemi menduar se ka shishe uji dhe nuk menduam se ishte shishe benzine”.
Në konferencën për shtyp të organizuar nga Spitali Amerikan folën edhe një infermier që ishte në vendngjarje, i cili tha se ishin të trajnuar për raste të rrezikshme, si dhe një paciente, e cila u shpreh se gatishmëria e stafit mjekësor ishte maksimale për ta.
Nga ana e vet, policia deklaroi se “më datë 25.07.2016, rreth orës 11:00, tek spitali Amerikan, në SQU, në brendësi të pavionit të Hemodializës, ka rënë zjarr. Në vendin e ngjarjes kanë shkuar menjëherë shërbimet policore dhe zjarrfikëset të cilët bënë të mundur fikjen e zjarrit. Nga veprimet paraprake të grupit hetimor, i cili ndodhet në vendin e ngjarjes dyshohet se zjarri mund të jetë shkaktuar me dashje nga pacienti i identifikuar si Lefter C. rreth 47 vjeç. Dyshohet se ka lindur një konflikt midis dy shtetasve Lefter C. dhe shtetasit D. Saraçi 69 vjeç. Shtetasi Lefter C. pasi ka mbaruar dializën, ka shkuar në dhomën e shtetasit D.Saraçi, ka nxjerrë nga qesja një bidon dhe dyshohet të ketë spërkatur me benzinë shtetasin D. Saraçi dhe më pas i ka vënë zjarrin. Me ndërhyrjen e infermierëve është bërë e mundur shuarja e zjarrit mbi autorin e dyshuar dhe të dëmtuarin”. Sipas policisë, viktimat e kësaj ngjarjeje janë pacientja Sanie Sulaj, 55 vjeçe, nga Mamurrasi, dhe Hani Mali, 55 vjeçe, banuese në Laç.



