Vaksinat shoqërohen me shumë efekte të dëmshme, ende të panjohura, mund të jenë fatale ër jetën, rrisin rrezikun për autizëm dhe vdekje të foshnjave dhe janë pak të efektshme kundër gripit: janë këto disa prej frikërave dhe ideve gjithnjë e më të përhapura për vaksinat, por që nuk kanë bazë shkencore.
Kështu deklaron Organizata Botërore e Shëndetësisë, e cila ka nxjerrë disa prej besimeve të rreme e të vërteta, si rrjedhojë e ngjarjeve të fundit në Itali ku dyshohet se disa njerëz kanë vdekur për shkak të vaksinave.
1- Vaksinat shoqërohen me efekte të dëmshme ende të panjohura e mund të kenë pasoja fatale.
E gabuar! Vaksinat në përdorim janë shumë të sigurta, pjesa më e madhe e efekteve anësore janë të lehta dhe kalojnë shpejt dhe efektet e rënda janë shumë të rralla. Të mirat e vaksinimit e tejkalojnë rrezikun që ato kanë.
2- Duke përmirësuar higjienën dhe kujdesin shmangen sëmundjet dhe vaksinat s’janë të nevojshme.
E gabuar! Sëmundjet që parandalohen nga vaksina përhapen pavarësisht higjienës së mirë që mbajmë ne.
3- Në vendin tim sëmundjet që parandalohen nga vaksinat thuajse nuk ekzistojnë.
E gabuar! Duhet të vazhdohet vaksinimi, pasi agjentët infektues vazhdojnë të qarkullojnë dhe i kalojnë kufijtë.
4- Vaksina kundër difterisë, tetanozit dhe ajo kundër poliomelitit janë përgjegëse për sindromën e vdekjes së foshnjave (SIDS):
E gabuar. Nuk kanë asnjë lidhje me njëra-tjetrën.
5- Sëmundjet që parandalohen nga vaksinat janë një e keqe e jetës që duhen pranuar.
E gabuar! Fruthi, shytat dhe rubeola mund të shkaktojnë ndërlikime të mëdha si pneumoni, diarre, infeksion të veshëve, encefalit, verbëri dhe vdekje.
6- T’i bësh një fëmije më shumë se një vaksinë njëherësh rrit rrezikun e problemeve të rënda, duke mbingarkuar sistemin imunitar
E gabuar! S’ka asnjë provë shkencore për këtë.
7- Gripi është thjesht një shqetësim dhe vaksina nuk është shumë e efektshme.
E gabuar! Gripi është një sëmundje e rëndë, përgjegjëse për 300-500 mijë të vdekur 1çdo vit. Vaksinimi është mënyra më e mirë për të ulur mundësitë e rëndimit të sëmundjes dhe infektimit.
8- Është më mirë të fitosh imunitet nga sëmundja se nga vaksinat
E gabuar, sepse vaksinat ndërveprojnë me sistemin imunitar pa shkaktuar sëmundje dhe pa i ekspozuar njerëzit ndaj rreziqeve.
9- Disa vaksina përmbajnë mërkur, i cili është i rrezikshëm.
E gabuar! Tiomersali është një përbërës organik që u shtohet vaksinave si konservues. Nuk ka prova se sasia e tiomersalit e përdorur në vaksina përbën rrezik për shëndetin.
10- Shkakton autizmin.
E gabuar! S’ka prova të një lidhjeje mes vaksinave kundër fruthit, shytave, rubeolës dhe kësaj sëmundjeje./ Përgatiti: Arlinda Gjypi


